Importi i bananeve në vitin 2020 arriti një tjetër rekord historik. Sipas të dhënave zyrtare nga Doganat janë 27 milionë kilogramë (27 mijë tonë) banane të importuara, që do të thotë se konsumi për frymë është afërsisht 10 kilogram (numri i popullsisë 2.8 milionë banorë). Referuar shifrave të doganave, importet në vlerë për vitin 2020 ishin 22.3 milionë dollarë.
Në raport me vitin 2019, importet në sasi dhe në vlerë janë dyfishuar ndërkohë që nëse bëjmë një analizë edhe të shifrave për pesë vitet e fundit rezulton që ky të jetë viti me sasinë më të lartë të importeve që ndiqet nga 2016, kur importi ishte mbi 22 milionë kilogramë.
Ajo që bie në sy për importet e Shqipërisë sa i takon bananes është tregu ku furnizohet. Ky i fundit ka pësuar dinamika të ndryshme nga viti 2016 e në vazhdim. Së pari, në vitin 2016 importi bëhej në pjesën më të madhe nga Ekuadori dhe më pak nga Kolumbia dhe Meksika. Të paktën 77 për qind e importit bëhej nga Ekuadori.
Më pas në vitet 2017 dhe 2018, Meksika doli nga harta e importeve dhe mbetën vetëm Kolumbia dhe Ekuadori ku pjesën dominuese sërish e kishte ky i fundit. Në vitet 2019 dhe 2020 importi është bërë vetëm në Ekuador, duke ngushtuar tërësisht hartën e shteteve nga ku merret banania.
Ekuadori është eksportuesi më i madh botëror i frutës së verdhë. Për vitin 2021, ky shtet njoftoi se do të aplikonte ndryshime sa i takon mënyrës sesi vendoset sistemi i pagesës për bananet duke e ndarë atë në katër sezone për të sjellë kështu përfitimin maksimal për vendin.
Në vitin 2020, vendi ynë regjistroi rekordin e tij historik të eksporteve pavarësisht situatës së pandemisë, ndërsa që nga viti 2021 të paktën për muajt e parë të tij ka regjistruar rënie në eksporte në disa tregje kryesore. Në 2020, eksportet ishin 380 milionë kuti që në raport me një vit më parë shënon një rritje në vlerë të eksporteve me 15 për qind dhe në volum me 7 për qind.
Nga ana tjetër, vendet që janë prodhuesit më të mëdhenj në sasi të bananeve në botë sipas statistikave të përpunuara të vitit 2019 nga World Map Atlas rezultojnë India, Kina, Indonezia, Brazili.
/Marrë nga Monitor/