Importi i naftës, reagon sërish deputeti Sula: Nuk po tregtohet me standarde evropiane, kompanitë po grabisin qytetarët

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula shprehet se korrupsioni me importin e naftës ka kapur majat teksa në 10 vite është dyfishuar numri i makinave të përdorura, ndërkohë që importi i naftës është ulur.

Deputeti i PD, Dashnor Sula ka reaguar sërish në lidhje me importin e naftës në vend.

Sula tha se në 10 vite është dyfishuar numri i makinave, por importi i karburantit rezulton të jetë në sasi më të vogël se përpara 10 vitesh.

Sakaq shton se nuk ka pasur reagim nga institucionet në lidhje me këtë fakt, si dhe kompanitë nuk tregtojnë naftë të standardeve evropiane

“Gjatë këtyre muajve duke pasur parasysh rritjen e çmimit të naftës, një shurdhëri nga ana e qeverisë dhe argumente të pabaza nga ministria e Financave, rezultoi se shteti pasurohet përditë, ndërkohë që qytetarët varfërohen. Nga viti 2011 deri në 2021 pra në 10 vite kemi gati 2 fishim të numrit të makinave, ndërkohë që importi i karburantit rezulton të jetë në sasi më të vogël se përpara 10 vitesh. Nuk ka logjikë ekonomike të ndodhë kjo. Kjo tregon që ka dy rrugë: ose bëhet kontrabandë e drejtpërdrejtë, ose këtu përdoret nafta e prodhuar nga Albpetrol. Për këtë i kam kërkuar informacion edhe AKBN-së. Nga 2011 e në vijim e ka prodhimin mbi 1 milionë, ndërkohë që në 2021 zbret në 700 mijë tonë.

Nuk e them vetëm unë, këtu e thonë të gjithë që cilësia e naftës lë për të dëshiruar. Këtë e dimë që nga koha e PD-së. Jam i bindur po t’i shohësh të gjitha kompanitë nuk tregtojnë naftë të standardeve evropiane. Jo nuk ka pasur. Nuk mund të dalin institucionet dhe të thonë u bë kontrabandë. Por nuk ka dalë asnjë njeri as ta përgënjeshtrojë. Unë jam i bindur se këtu ka diçka që nuk shkon. Kjo është detyrë e Doganave, Tatimeve që ta ndalojnë. Nëse do kemi kontroll rigoroz ndaj kompanive që bëjnë importin, del se çfarë ka ndodhur. Imagjinoni se sa humbet shteti në këtë rast. Kush e pëson më pas? E pësojnë qytetarët”, tha ai.

 

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *