Pas incidentit të ndodhur në ashensorin e spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, ku mbetën të lënduar një paciente dhe një infermier, janë marrë nën hetim tekniku i ashensorit dhe administratori.
Mësohet se nën hetim janë marrë tekniku Ermal Braja, 45 vjeç dhe administrator i firmës së ashensorëve, Ardian Sulollari 52-vjeç.
Ata u shoqëruan në komisariat pasi një paciente dhe barrelisti që e shoqëronte janë dëmtuar rreth orës 23:30, në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, pasi ashensori me të cilin po lëviznin pësoi defekt.
Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat barrelisti ka marrë pacienten 80 -vjeçare në katin -1 dhe do të ngjiteshin në katet sipër. Midis katit -1 dhe 1 ashensori pësoi defekt dhe u hap duke lënduar të dy personat brenda në të.
Dëmtimet me serioze i ka marrë 80-vjeçarja, ndërsa infermieri ka marrë lëndime në këmbë. Pas ngjarjes, 80-vjeçarja iu nënshtrua një operacioni. E moshuara ka marrë dëmtime në kokë dhe është dërguar për mjekim më të specializuar tek Spitali i Traumës.
Paraprakisht dyshohet se ashensorit i është këputur një prej javove dhe është rrëzuar mes kateve.