Gaz lotsjellës është hedhur gjatë performancës së Goran Bregoviç në Festën e Birrës në Korçë, në zonën VIP, aty ku ndodhej dhe ministri Niko Peleshi.
Njerëzit mbuluan hundën duke lotuar e më pas u shpërndanë kur në zonë u përhap gazi lotësjellës.
Disa persona janë shoqëruar nga policia, ndërkohë pjesëmarrësit shihen duke fërkuar sytë apo duke mbajtur shami në hundë për shkak të djegies që i shkakton gazi lotsjellës, ndërsa disa të rinj kanë shpërthyer në lot. Nuk kanë munguar edhe ata që kanë pyetur policinë duke bërtitur: “Çfarë kontrolli i keni bërë?”.
Pavarësisht kësaj situate, performanca e Bregoviç nuk është ndërprerë në asnjë moment.
Më parë, u raportua se ishin marrë masa të rrepta sigurie, me mbi 200 forca policie të pranishëm. Pjesa më e madhe kishin rrethuar terminalin, ndërkohë që pjesa tjetër ishte vendosur në bulevardet kryesore të qytetit.
Që në hyrje të terminalit thuhej se kishte kontrolle të rrepta për të gjithë të interesuarit për të ndjekur performancën e këngëtarit. Kontrollet arrinin deri atje sa nuk lejohen monedha, shishe apo sende të tjera metalike, ndaj mbetet e paqartë si i ka shpëtuar policisë rasti i personit që hodhi gaz lotsjellës.
/Burimi videos TCH/