Indeksi i Cilësisë së Jetës Dixhitale, Shqipëria ndër të fundit në Europë

Shqipëria renditet në katër vendet e fundit në Europë sa i përket Cilësisë së Jetës Dixhitale, dhe ruan vendin e 64 në botë, sipas indeksit të Surfshark*.

Raporti vlerëson pesë kritere: përballueshmërinë financiare e internetit, cilësinë e internetit, infrastrukturën elektronike, sigurinë elektronike dhe qeverisjen elektronike.

Bazuar në indeksin e vitit 2022, Shqipëria ka ruajtur të njëjtin vend në botë nga viti 2021, duke u renditur e 64-ta midis 117 vendeve, dhe ka ngjitur një vend në Europë, duke u renditur e 35 nga 38 vende.

Vendi ynë lë pas vetëm Bjellorusinë, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Për përballueshmërinë financiare, Shqipëria renditet e 66-ta. Dhe rezulton që sipas indeksit shqiptarëve iu kushton më shtrenjtë interneti se vendet e tjera të rajonit. Sipas raportit një qytetar shqiptar duhet te punojë çdo muaj 18 minuta për të blerë 1 GB për telefonin e tij celular. Ndërsa për të paguar faturën më të lirë mujore të internetit me brez të gjerë duhet të punojë 3 orë e 37 minuta. Cilësia e internetit që mat shpejtësinë e rendit Shqipëria në vendin e 96, me përformancë të dobët që lidhen kryesisht me shpejtësinë e lidhjeve fikse të internetit. Për sa i përket shpejtësisë së internetit në celular, Shqipëria renditet e 43-të me një shpejtësi prej 55.85 Mbps/sekondë. Shpejtësia e internetit në shtëpi është mesatarisht 48.95 Mbps/sekondë, në vendin e 73-të.

Sa i përket sigurisë së internetit, që është veçanërisht i rëndësishëm për përdoruesit, individët dhe bizneset, si dhe për funksionimin e administratës publike vendi ynë renditet 54-ti në botë. Vendin e parë e ruan Greqia.

Kush udhëheq në botë

Izraeli ka cilësinë më të mirë të jetës dixhitale në botë, sipas indeksit, duke tejkaluar Danimarkën, vend të cilin e ruante prej dy vitesh.

Shtatë nga 10 vendet me një rezultat më të lartë të cilësisë së jetës dixhitale janë të vendosura në Europë. Izraeli ndiqet nga Danimarka, Gjermania, Franca dhe Suedia. Më pas renditen Holanda, Finlanda, Japonia. Britania e Madhe renditet e 9-ta dhe top listën e mbyll Koreta e Jugut. Shtetet e Bashkuara mbajnë vendin e 12-të./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *