Zëvendës presidenti i Urdhërit të Infermierit, Sabri Skënderi thotë se dhuna ndaj dy infermierëve në Pediatrinë e QSUT-së dy ditë më parë, është një rast i përsëritur.
Skënderi pohon se ka pasur raste kur edhe infermierë në rrethe janë dhunuar nga pacientë.
“Ajo ishte nëna e një fëmije, thoshte më shpëtoni fëmijën, i kapi për flokëve dhe filloi të qëllonte infermierët. Ky ishte një veprim shumë i padrejtë, ne po reagojmë të sensibilizojmë edhe opinionin e bluzave të bardha për të reaguar dhe protestuar ndaj këtyre sjelleve. Ky është një rast i përsëritur. Ka pasur 2-3 raste edhe në rrethe, ku pacientë në kontakte të para me inferimerët, dhunojnë dhe ofendojnë ndaj bluzave të bardha. Sistemi ynë shëndetësor ka ato dobësite dhe problemet e veta”, theksoi ai.
Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka paralajmëruar se së shpejti bluzat e bardha do të dalin në protestë.Përmes një njoftimi, shoqata shprehet e indinjuar në lidhje me dhunimin e dy infermierëve në Pediatrinë e QSUT-së, nga familjarët e një pacienteje. Sipas tyre, kjo ngjarje ka kaluar si diçka normale nga të gjitha institucionet, teksa shprehen se infermierët do t’i dalin për zot vetes së tyre, pasi ndihen të harruar dhe të abuzuar nga shteti. Ndër të tjera, theksohet se dhuna ndaj bluzave të bardha është një fenomen që nuk mungoi as në kohën e pandemisë, që ndodh në forma të ndryshme jo vetëm në Tiranë, por në çdo spital në Shqipëri./euronews