Inflacioni në eurozonë rritet në nivel rekord prej 10.7% në tetor, pritet ndikim dhe në Shqipëri

Inflacioni në eurozonë vlerësohet të ketë arritur një nivel të ri rekord prej 10.7% në tetor, sipas vlerësimeve paraprake të Eurostat.

Nëse konfirmohet më vonë në nëntor, kur të dalin të dhënat finale nga Eurostat, agjencia zyrtare e statistikave të Bashkimit Europian, ky do të ishte leximi i parë i inflacionit që kalon pragun e 10%.

Rritja u nxit nga çmimet e energjisë, të cilat Eurostat vlerëson se ishin 41.9% më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Çmimet për ushqimet, alkoolin dhe duhanin ndërkohë besohet se janë rritur me 13.1% nga viti në vit.

Inflacioni ishte 9.9% në shtator.

Vendet baltike janë vendet më të prekura me inflacionin vjetor që mbetet mbi nivelin 20%. Estonia kryeson listën me një vlerësim prej 22.4%.

Franca mbetet vendi më pak i ndikuar, megjithëse inflacioni vjetor për muajin tetor vlerësohet të ketë arritur në 7.1%. Italia, norma vjetore e së cilës parashikohet në 12.8%, ndërkohë ka shënuar rritjen më të lartë nga muaji në muaj me një kërcim prej 4%.

Banka Qendrore Europiane, mandati i së cilës është të mbajë inflacionin në zonën e euros afër 2%, që nga fillimi i verës ka ndryshuar ciklin e më shumë se një dekade të normave negative të interesit, në një përpjekje për të kufizuar rritjen e çmimeve.

Javën e kaluar, ajo njoftoi rritjen e tretë të madhe të normave të interesit.

Bankat qendrore përdorin normat e tyre të interesit për ta bërë paranë më shumë apo më pak të shtrenjtë në mënyrë që ose të frenojnë ose të nxisin shpenzimet, pasi interesat bazë ndikojnë drejtpërdrejt në normat që bankat tregtare ofrojnë për familjet dhe bizneset.

Banka parashikoi se priten rritje të tjera të tilla në muajt në vijim pasi “inflacioni mbetet shumë i lartë dhe do të qëndrojë mbi objektivin [2%] për një periudhë të zgjatur”.

Shefja e BQE-së Christine Lagarde paralajmëroi gjithashtu se aktiviteti ekonomik në eurozonë ka të ngjarë “të ngadalësohet ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit dhe ne presim një dobësim të mëtejshëm në pjesën e mbetur të këtij viti dhe fillimin e vitit të ardhshëm”.

Parashikimi i saj erdhi vetëm një ditë pasi kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ofroi parashikimin e zymtë se gjysma e vendeve në eurozonë mund të hyjnë në recesion në muajt në vijim.

Një recesion në përgjithësi përkufizohet si dy tremujorë radhazi me rritje negative të PBB-së.

Ndikimi në Shqipëri

Në Shqipëri, në shtator inflacioni arriti në 8.1%, niveli më i lartë në 24 vitet që nga dhjetori i vitit 1998. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,91 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,99 pikë përqindje.

Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë i kaloi 10%. Bashkimi Europian është partneri kryesore i tregtisë së Shqipërisë, me mbi 50% të totalit, me Italinë, që mbetet partneri kryesor tregtar.

Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga INSTAT, në shtator Shqipëria ishte ndër 6 vendet me rritjen më të ulët të çmimeve në Europë. Kjo tendencë është e ndikuar dhe nga fakti që energjia nuk është shtrenjtuar ende për konsumatorët në vend, ndërsa në vendet e Europës ai është faktori kryesor që e ka ndikuar inflacionin./Monitor


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *