Inflacioni në Gjermani në nivelin më të lartë që prej 70 vjetësh

Inflacioni në Gjermani ka arritur nivelin më të lartë që prej 70 vjetësh. Nxitur nga çmimet e energjisë dhe ushqimeve për konsumatorët rritja e çmimeve në shtator kundrejt të njëjtit muaj një vit më parë ishte 10,0 përqind, vuri në dukje Enti Federal i Statistikave. Në gusht rritja ishte 7,9 përqind. Ekonomistët edhe në muajt e ardhshëm llogarisin me kuota rritjeje. Kuota inflacioni si aktualisht nuk ka pasur asnjëherë në Gjermaninë e ribashkuar. Në landet perëndimore të federatës janë regjistruar rritje me dhjetë përqind në fillim të viteve 1950, megjithatë me kalimin e kohës metodologjia e matjes ka ndryshuar.

Kuotat e larta të rritjes së çmimeve dobësojnë fuqinë blerëse të konsumatoreve dhe konsumatorëve, të cilët mund të blejnë më pak me një euro. Raporti financiar mes të ardhurave dhe shpenzimeve të njerëzve tkurret. Sipas një sondazhi të Shoqatës së Tregtisë në Gjermani (HDE) 60 përqind e konsumatorëve rezervohen në blerje. Për muajt e ardhshëm madje 76 përqind e të anketurave thonë, se blejnë më me kursim. „Shumë ekonomi shtëpiake janë të detyruara aktualisht që të paguajnë më shumë para për energjinë si dhe u duhet të llogarisin me rritjen e vlerës së pagesave të energjisë për ngrohjen. Si rrjedhojë atyre u duhet që të kursejnë fillimisht që të mund të blejnë diçka të re”, shpjegon Rolf Bürkl, ekspert i GfK, Instituti për Studimet e Konsumit në Nyrnberg. Kjo ka pasoja për ekonominë më të madhe të Europës, sepse konsumi privat është një ndër shtyllat e rëndësishme të koniunkturës.

Energjia dhe ushqimet me çmime shumë të larta

Prej muajsh energjia dhe ushqimet janë faktorët që nxisin rritjen e çmimeve. Sulmi rus ndaj Ukrainës si dhe vështirësitë me furnizimet e kanë ashpërsuar situatën gjithësesi të tensionuar. Në shtator energjia kushton 43,9 përqind më shumë se një vit më parë, ushqimet janë shtrenjtuar me 18,7 përqind. Në raport me një muaj më pare në shtator çmimet u rritën me 1,9 përqind. Në muajin gusht aboneja mujore e qarkullimit urban prej 9 eurosh si dhe masat lehtësuese të ndërmarra nga qeveria gjatë mujave të kaluar si p.sh. skontoja për karburantin e amortizuan disi situatën. Afati për të dyja këto masa lehtësuese mbaroi në gusht. Qeveria po planifikon lehtësime të reja. Pensionistët dhe studentët do të marrin një pagesë për përballimin e çmimit të energjisë. Ndihma për fëmijët do të rritet në fillim të vitit të ardhshëm.

Rritjen e çmimit të gazit qeveria do ta zbusë me frenimin e rritjes. Edhe në nivelin e Bashkimit Europian po diskutohen masa të tilla. Të premten (30.09) takohen në Bruksel ministrat e Energjetikës të vendeve të BE-së. Banka Qendrore Europiane (BQE), e cila pas një ngurrimi të gjatë po rrit interesat e depozitave në përpjekje për të përballuar inflacionin rekord me  synim të arrijë afatmesëm për eurozonën një stabilitet të çmimeve. Inflacioni në zonën e përbashkët monetare në gusht, sipas të dhënave të fundit, arriti një vlerë rekord. Kundrejt të njëjtit muaj të një viti më parë çmimet për konsumatorët u rritën me 9,1 përqind. Kjo është kuota më e lartë e inflacionit që nga viti 1999 kur euro nisi të përdoret si monedhë reference.

/DW

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *