Matjet nga Eurostat regjistruan një rritje më të lartë të çmimeve në vendin tonë në krahasim me matjet nga metoda kombëtare e INSTAT që raportoi inflacion 2.4% në gusht.

Sipas metodologjisë së Eurostat rritja më e madhe e çmimeve prej 4,9% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 2,8%, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,3% secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shëndeti” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 1,1% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,7% dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,3%.

Ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ishte 0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,5%, pasuar nga grupi “Argëtim dhe kulturë” me 0,4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2% dhe “Transporti” me 0,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan”, u ulën me 0,6%, pasuar nga “Shëndeti” me 0,2%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili.

Në fillim të vitit 2017 për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. iÇK-ja përmban 332 zëra; iHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); iHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • /Marrë nga Monitor/