Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka reaguar në lidhje me paketën e dytë anti-krizë të qeverisë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij personale në ‘Facebook’, Teliti shkruan se ndihma financiare që qeveria ka vendosur për periudhën shtator-dhjetor për 63 mijë familje është një paketë gjysmake.
Ai tha se për qeverinë nuk është e rëndësishme nëse qytetarët nuk kanë bukë të hanë apo nëse jetesa u është vështirësuar. Teliti thekson se e rëndësishme për qeverinë ka qenë dhë është fasada.
“Të bësh “art” me lugën bosh! Jetojmë në kohërat ku “Park Eden” vlen më shumë edhe se “ekzistenca” e njeriut të varfër. Siç dihet tashmë, instalacioni prej druri në oborrin e Kryeministrisë pritet të kushtojë 4.4 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Ndërkohë nga ana tjetër, qeveria me paketën e dytë gjysmake që prezantoi pak ditë më parë, ka vendosur që për periudhën shtator-dhjetor 2022 të japë në total vetëm 3.9 milionë euro ndihmë financiare për: 63 mijë familje në ndihmë ekonomike dhe 90 mijë persona që janë me aftësi të kufizuara.
Duket qartë se për qeverinë nuk paska rëndësi nëse s’ke bukë të hash, nuk paska rëndësi nëse je person me aftësi të kufizuar dhe jeta të është vështirësuar akoma edhe më shumë këto muajt e fundit. Rëndësi për qeverinë ka patur dhe ende paska vetëm pamja, dukja, fasada”, shkruan Teliti.