Në vendin tonë varfëria nuk është tipar vetëm i të papunëve dhe personave me aftësi të kufizuar, por prek në një masë të madhe personat që janë në pune.
INSTAT raportoi se në vitin 2021 mbi 12.6% e personave të punësuar janë në rrezik për tu përfshirë në varfëri. Ky tregues ishte pothuajse i njëjtë me vitin 2020, dhe nuk ndryshoi edhe pse ekonomia u rrit ndjeshëm më 2021.
Në personat e papunë rreziku i varfërisë është më i lartë dhe arrin në 39%, tek pensionistët është më i ulët në rreth 14%.
Në vendin tonë shumica e të punësuarve janë në një formë të vetëpunësimit (bujqësia dhe në sektorin informal). Punësimi në këto forma është i pamjaftueshëm për të rritur mirëqenien në nivele larg varfërisë.
Sektori informal gjithashtu është një punëdhënës i madh në vendin tonë, dhe zakonisht personat në këtë lloj punësimi paguhen pak dhe janë të pambrojtur në skemat e sigurimit. Kjo kategori punësimi është në rrezik të varfërisë dhe kjo u provua në vitin e pandemisë.
Në Shqipëri varfëria është e lidhur kryesisht me nënshfrytëzimin e krahut të punës, qoftë në formën e papunësisë së hapur apo nen punësimit masiv. Shumica e të varfërve janë ose të papunë ose përballen vazhdimisht me akses të parregullt në punë dhe kushte të pasigurta të punës.
Kombet e Bashkuara, nëpërmjet Departamentit të Punës (ILO) përllogaritën se gjatë vitit 2020, në Shqipëri 12% e totalit të të punësuarve morën paga nën kufirin e varfërisë relative 5 dollarë në ditë./Monitor