Në morinë e ankesave që u drejtuan të Avokati Popullit gjatë vitit 2020 rreth 1770 të tilla, burrat ankoheshin për çështjet e pronësisë dhe gratë për të drejtat e fëmijëve, raportoi INSTAT.
Ankesa të paraqitura nga burrat për pretendim shkeljeje të së drejtave ishin 868 ankesa gjithsej ose 49,0% e totalit dhe 367 ankesa ishin paraqitur nga gratë ose rreth 20,7% e totalit.
Në totalin e ankesave për pretendim shkeljeje të së drejtave, shumica e tyre i përkasin të drejtave në grupin e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore etj.
Sipas llojeve të ankesave, INSTAT përllogarit se burrat kanë paraqitur më shumë ankesa për shkelje të së drejtës së pronës (23,3%) dhe të së drejtës për një proces të rregullt ligjor (20,0%).
Ndërsa gratë kanë paraqitur më shumë ankesa për shkelje të së drejtës për fëmijën (20,4%) dhe të së drejtës për pronën (19,9%).
Gjatë vitit 2020 janë trajtuar 390 ankesa lidhur me të drejtën e fëmijës, prej të cilave 17,4% e ankesave janë paraqitur nga burrat, 19,2% nga gratë.
Gjatë vitit 2020 janë trajtuar 323 ankesa që lidhen me të drejtën e pronës, prej të cilave 62,5% janë paraqitur nga burrat, 22,6% janë paraqitur nga gratë.
Në totalin e ankesave të paraqitura, pretendimet për shkelje të së drejtës së pronës përbëjnë grupin e dytë të të drejtave me më shumë ankesa të paraqitura.
Në totalin e ankesave të paraqitura, e drejta për një proces të rregullt ligjor përbën grupin e tretë të të drejtave me më shumë ankesa të paraqitura (12,6%).
Gjatë vitit 2020 janë trajtuar 95 ankesa që lidhen me të drejtën e personave të privuar nga liria, prej të cilëve 93,7% janë paraqitur nga burrat dhe 6,3% janë paraqitur nga gratë. Numri më i madh i ankesave ka të bëjë me cilësinë e shërbimit shëndetësor; refuzimin e kërkesës për të përfituar leje shpërblyese; zvarritjen e procedurës për të shkuar me leje shpërblyese; zvarritjen e procedurës për t’u transferuar.
Në raport me popullatën në burgje rezultojnë më shumë ankesa të paraqitura nga gratë, në ndryshim nga ajo që tregon numri absolut. Kështu, nga totali i burrave të burgosur, 2,0% e tyre kanë paraqitur ankesa, ndërkohë nga totali i grave të burgosura, 10,5% e tyre kanë paraqitur ankesa./Monitor