Akademia e Studimeve Albanologjike ka depozituar një ditë më parë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, kërkesë-padia për hapjen e procesit gjyqësor ndaj Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Në këtë kërkesë-padie kërkohet shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj” dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit deri në përfundim të procesit.
Më 12 qershor 2023, Senati Akademik i Akademisë së Studimeve Albanologjike vendosi ndjekjen e procesit ligjor kundër aktit të paprecedent për mbylljen e veprimtarisë të një prej institucioneve më të rëndësishme të albanologjisë, arsimit të lartë dhe kulturës shqiptare.
Sipas ASA ky vendim është marrë në kundërshtim të procedurave ligjore dhe nënligjore të parashikuara nga vetë Këshilli i Ministrave dhe nga ana tjetër, në mungesë totale të konsultimit paraprak me institucionin.