Kryeministri Rama është nisur ditën e sotme drejt Budapestit për një vizitë zyrtare dhe do të takohet me liderët e shtetit hungarez.
Nesër Rama do të jetë në një vizitë zyrtare në Bullgari.
Në fokus të takimeve që do të zhvillojë në Budapest dhe Sofie do të jenë çështjet e integrimit evropian dhe marrëdhënie dypalëshe të Shqipërisë me këto dy vende.
Kreu i qeverisë do të rikthehet në Tiranë ditën e mërkurë, para seancës plenare ku pritet të votohet edhe shkarkimi i presidentit Ilir Meta.
Rikujtojmë se më 2 qershor kryeministri Rama ishte në Ankara së bashku me një pjesë të kabinetit. Ai u shoqërua nga ministrat Blendi Klosi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Arben Ahmetaj, Evis Kushi, Elva Margariti dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë takimeve të shumta u diskutua me palën turke për projektet e bashkëpunimit me investitorë në fusha të ndryshme të rëndësishme si teknologjia digjitale, turizëm, farmaceutikë, energji e transport.
Ndër të tjera, Rama zhvilloi një takim me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan me dyer të mbyllura.
/Priza.al/