Kongresi Amerikan duket se e sheh si një problem serioz veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Një letër zyrtare i është drejtuar ambasadorit bullgar në SHBA, nga dy kongresmenët ku kanë kërkuar ndryshimin e qëndrimit, pra heqjen e vetos.
Kjo letër i jep 40 ditë afat qeverisë bullgare të reflektojë dhe shtonte se vonesat e mëtejshme në përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt BE-së do të vinin në dyshim përpjekjet e liderëve perëndimorë dhe do të hapnin derën për ndikimin politik anti-perëndimor në rajon, veçanërisht nga Kina dhe Rusia.
Letra
“Tre vendet e Ballkanit, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore, janë anëtarësuar me sukses në NATO. Për këto arsye, anëtarët e Kongresit në të dy anët e sallës kanë shprehur mbështetjen e tyre të fortë për integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”.
Në të njëjtën kohë, anëtarët e Kongresit theksuan se megjithëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë përmbushur kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, “mbetet një mosmarrëveshje midis vendit tuaj dhe Maqedonisë së Veriut që po e pengon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë negociatat.
Ambasador Stojçev, ngadalësimi i vazhdueshëm i progresit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ka vënë në dyshim angazhimet e liderëve perëndimorë, duke i hapur derën ndikimit politik anti-evropian në rajon, veçanërisht nga Kina dhe Rusia. Ne besojmë se anëtarësimi eventual i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është thelbësor për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe për të gjithë komunitetin transatlantik.
Kjo është arsyeja pse ne po ju shkruajmë sot për t’ju bërë thirrje që të arrini një zgjidhje përfundimtare për këtë mosmarrëveshje dypalëshe, e cila do t’i lejojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të fillojnë negociatat e tyre për anëtarësim në BE përpara përfundimit të vitit.
Shpresojmë që të lini mënjanë mosmarrëveshjet tuaja dhe të mbështesni integrimin e plotë politik të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian” mbyllet letra.
/Priza.al/