HYRJE – E krijuar më 17 dhjetor 2011, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave zhvilloi dy ditë më parë Mbledhjen Vjetore të 11-të të saj, në të cilën Prof. Dr. Fatos Tarifa u rikonfirmua si president i radhës i kësaj Akademie.
Në atë mbledhje u trajtuan çështje të një rëndësie të veçantë për arsimin e lartë, shkencën, historinë, artet dhe kulturën tonë kombëtare, të cilat do të jenë fokusi i veprimtarisë së Akademisë për vitin 2023.
Eseja që botojmë më poshtë nga Prof. Tarifa është shkruar për të shprehur respektin dhe nderimet e tij për kolegët e kësaj Akademie, për rolin dhe kontributin e tyre të spikatur si intelektualë publikë, motivuar nga vullneti i përbashkët për t’i shërbyer së mires publike në Shqipëri dhe në trojet shqiptare jashtë saj.
Nga Fatos Tarifa
Mirënjohjeje për miqtë dhe kolegët e mi të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
Qysh në fund të viteve 1980, kur, si intelektualë të rinj në Tiranë, kuptuam se mund të ishim vërtet racionalë dhe të lirë për t’i shprehur mendimet dhe bindjet tona siç i kemi krijuar, siç i ushqejmë dhe siç besojmë në to, vendi që zënë intelektualët dhe roli që luajnë ata në shoqëri u bënë një ndër interesimet e mia teorike e praktike kryesore.
Pasi kisha botuar disa dhjetëra artikuj në gazetat e asaj kohe—Studenti, Zëri i Rinisë dhe Drita—në vitin 1992, në një gazetë krejt të parëndësishme dhe efemere, Alternativa SD (Social-Demokrate), e cila, pas një kohe të shkurtër nuk doli më, botova një artikull që e titullova “Intelektualët”. Në atë kohë unë jetoja në Shtetet e Bashkuara dhe nuk e di pse redaksia e asaj gazete e botoi atë artikull pa emrin tim si autor.
Ky fakt, sidoqoftë, ka pak rëndësi dhe m’u kujtua vetëm sepse këtë gazetë, të zverdhur nga tri dekadat që kanë kaluar qysh nga ajo kohë, e gjeta rastësisht disa ditë më parë ndërsa rrëmoja në sirtarët e mi. U habita se si ka mundur të ruhet deri më sot, ndërkohë që, prej shpërnguljeve të mia të shumta këtej dhe andej Atlantikut, më kanë humbur revista dhe libra shumë më të rëndësishëm sesa ajo gazetë.
Mentori im në University of North Carolina në Chapel Hill, Craig Calhoun, i cili më vonë do të bëhej Drejtor i London School of Economics and Political Science, do e lidhte këtë episod me fatin e atyre njerëzve, që ai i cilësonte si airport intellectuals, siç ishte edhe ai vetë një i tillë.
Në atë kohë unë nuk i njihja autorë të tillë, si Ralph Waldo Emerson dhe Henry David Thoreau, të cilët konsiderohen si dy ndër intelektualët më me influencë në Amerikën e shekullit të 19-të. Nuk kisha lexuar asgjë prej tyre. Në atë kohë unë nuk i njihja as sociologë të tillë si W. E. B. Du Bois, Antonio Gramsci, C. Wright Mills, David Riesman, Robert Bellah apo Pierre Bourdieu. Këta i lexova dhe i njoha më vonë, në mesin e viteve 1990 kur, si student i sociologëve të njohur Peter Blau dhe Craig Calhoun në UNC, studiova teorinë sociale, teorinë kritike dhe mbrojta disertacionin doktoral, që fokusohej në konceptin weberian të legjitimitetit të pushtetit.
Më vonë, në vitin 2004, kur Michael Burawoy, në fjalën e tij si president i Shoqatës Sociologjike Amerikane, në mbledhjen vjetore të kësaj organizate solli një perspektivë të re në sociologji, atë të sociologjisë publike—një sociologji që shkon përtej akademisë, me synimin që të informojë, të orientojë dhe të promovojë debatin publik—dhe kur profesoresha e më vonë mikesha ime e ngushtë në UNC, Judith Blau, e përqafoi me zell këtë perspektivë dhe vetë ajo u bë një ndër përfaqësuesit më vokalë të saj, interesimi im për rolin publik të sociologut dhe të intelektualëve në përgjithësi u rrit edhe më shumë.
***
Ajo që kisha nisur të kuptoja e të besoja në fillim të viteve 1990, kur në Shqipëri sapo kishim dalë nga një shoqëri e mbyllur, kolektiviste dhe opresive, që e pengonte dhe e atrofizonte mendimin e lirë dhe arsyetimin kritik, në Amerikë u bë për mua një mënyrë të menduari e të vepruari—dhe jo vetëm në academe.
Në vitin 2006, ndërsa punoja në Eastern Michigan University, botova në Tiranë për kolegët e mi shqiptarë dhe publikun e vendit tim, një artikull që e titullova “Karl Popper, debati dhe progresi intelektual”. Në atë artikull vija në dukje se jetës intelektuale në Shqipëri i mungonin kryesisht dy gjëra: (i) krijimi i njëmendtë teorik në fushën e shkencave shoqërore dhe (ii) debati i gjallë në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale.
Nisur nga “debati pozitivist” (Positivismusstreit) i viteve 1960— një debat mbi metodat e përdorura në shkencat shoqërore dhe mbi rolin e vlerave në gjykimet e studiuesve të këtyre shkencave, në të cilin spikati veçanërisht angazhimi i filozofëve Karl Popper dhe Hans Albert (nga pozitat e racionalizmit kritik) dhe Theodor Adorno e Jürgen Habermas (nga pozitat e teorisë kritike të Shkollës së Frankfurtit)—në atë artikull vija në dukje, gjithashtu, vlerën e lirisë së fjalës dhe të lirisë së komunikimit, që kishin një rëndësi qendrore edhe për filozofët e sipërpërmendur.
Në atë artikull shpjegoja se, ndërsa për Popper-in një kusht esencial për një shoqëri të hapur—dhe një tipar dallues i saj—është liria për të kritikuar autoritetet politike dhe intelektuale, Habermas i kushton rëndësi komunikimit të hapur e të qartë. Si njëri dhe tjetri flisnin për rëndësinë e sferës publike dhe për rolin e dialogut e të kritikës së lirë në kontekstin e një shoqërie demokratike, edhe pse argumentet e tyre ishin të ndryshëm.
Pikëpamjet e tyre u përpoqa në atë kohë që t’i aktualizoja në kontekstin e shoqërisë shqiptare në dekadën e dytë të tranzicionit demokratik të saj, e cila vazhdonte të ishte—siç ka mbetur edhe sot kur shkruaj këto radhë—një shoqëri politikisht, ekonomikisht dhe intelektualisht shumë e polarizuar, për të argumentuar rëndësinë që ka debati i lirë në emancipimin intelektual, politik e shoqëror.
Në atë kohë, por sot edhe më shumë, ideja e Popper-it se në një debat publik duhen krahasuar argumentet e palëve dhe jo identitetet e tyre, kishte dhe vazhdon të ketë një ndikim të veçantë tek unë. Kjo kërkesë është esenciale për një komunikim intelektualisht të emancipuar, pasi vetëm në këtë mënyrë ne e trajtojmë Tjetrin me respektin e duhur, jo thjesht për atë që ai është, por për vlerën dhe peshën e argumenteve të tij.
Zëvendësimi i debatit mbi argumentet e njëri-tjetrit me “analiza” për njëri-tjetrin, sipas Popper-it, nuk është gjë tjetër veçse “metoda shkencore” që zhvilluan dhe përdorën në analizat e tyre marksistët, frojdistët dhe adleristët. Sipas tij, çdo argument kundër kornizës së mendimit të tyre interpretohej nga vetë ata “në një mënyrë të tillë, që t’i përshtatej pikëpamjes së tyre”. Dhe, nëse kjo ishte e vështirë, atëherë ishte “gjithnjë e mundur ta psikanalizoje, ose ta socioanalizoje kundërshtarin tënd”. Kritikat ndaj ideve marksiste kishin gjoja për bazë paragjykimin klasor; kritikat ndaj ideve frojdiste ‘shpjegoheshin’ me represionin, ndërsa kritikat e ideve adleriste buronin nga pasioni për të provuar superioritetin tënd, pasion që, sipas Popper-it, shpjegohet me përpjekjen për të kompensuar inferioritetin tënd.
Të trija këto epistemologji “sociologjike”- marksizmi, frojdizmi dhe adlerizmi – të cilat Popper i kritikonte, janë në mënyrë inherente relativiste. Ndërsa pajtohej me pikëpamjen se askush nuk është i përsosur dhe se të gjithë njerëzit mund të gabojnë, Popper theksonte se, pikërisht ky fakt përbën atë standard absolut, mbi bazën e të cilit duhen gjykuar të gjitha opinionet tona.
Për çdonjërin nga ne, natyrisht, është e vështirë t’i njohim dhe t’i pranojmë gabimet tona. Sidoqoftë, të tjerët mund të na ndihmojnë në këtë drejtim. T’i lëmë ata të na kritikojnë, thoshte Popper, pasi kjo mund të na shpëtojë nga gabime të tjera që mund të bëjmë, ose nga përsëritja e gabimeve të vjetra. Po kështu, sipas tij, është veçse e logjikshme që ne t’ua shpërblejmë të tjerëve këtë ndihmë në të njëjtën mënyrë, duke u vënë në dukje hapur gabimet e tyre. Kjo e bën të mundur e të dobishëm një komunikim normal në sferën publike. Popper e konsideronte një “ekzagjerim të rrezikshëm” idenë se një diskutim i frytshëm është i pamundur nëse ata që debatojnë nuk kanë të njëjtin vizion për çështjet mbi të cilat flasin.
Popper theksonte, gjithashtu, se kriteri i suksesit në një debat nuk duhet të jetë kurrë i jashtëm—social, ekonomik, ose politik—por thjesht intelektual. Në këtë mënyrë, sipas tij, edhe nëse ti përpiqesh të mbrosh interesat e tua personale, ose ato të komunitetit të cilit i përket, duhet të përdorësh vetëm argumente të vlefshëm intelektualisht. Për të, “fitorja në një debat nuk është asgjë, ndërsa sqarimi sado pak edhe i një problemi të vetëm, madje edhe kontributi më i vogël për ta bërë më qartë të kuptueshme për të tjerët pikëpamjen tënde, ose pikëpamjen e kundërshtarit tënd, është një sukses i madh”. Një debat, që ti e fiton, por që nuk arrin të ndryshojë, ose të sqarojë sadopak mendimin tënd, Popper e konsideronte si humbje.
***
Pas vitit 2008, kur u ktheva përfundimisht në Tiranë, roli publik i sociologut dhe i intelektualit u bënë për mua – siç vazhdojnë të jenë edhe sot – jo vetëm një subjekt qendror në krijimtarinë time, por edhe mantra e tërë veprimtarisë sime akademike e shoqërore. Anthony Giddens, me të cilin isha njohur në fund të viteve 1990, në Parathënien e tij për librin tim Shkencat e Shoqërisë (2013) argumentoi se “progresi në fushën e mendimit vjen nga dialogu i vazhdueshëm, jo nga paragjykime që i ndajnë dhe i armiqësojnë palët me njëra-tjetrën”.
Popper, Russell, Mills dhe, në një masë të caktuar, Habermas dhe Giddens, kanë qenë e janë intelektualisht inspirues për mua. Në këto dhjetë vitet e fundit veçanërisht, ideve të tyre, me një përmbajtje dhe frymë emancipuese për shoqërinë, u jam referuar gjerësisht në një pjesë të krijimtarisë sime akademike e publiçistike dhe në veprimtarinë time shoqërore si një intelektual publik i angazhuar.
Qindra ese dhe artikuj polemikë, të botuar në faqet e shtypit tonë, kryesisht në gazetën Dita, në të cilët më është dashur të polemizoj me ndonjë të ashtuquajtur filozof, me historianë, antropologë, shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë, shqiptarë ose të huaj, si dhe dhjetëra intervista që kam dhënë për shtypin ose për televizione të ndryshëm, duke filluar nga viti 2014 janë ribotuar nga Onufri në një kolanë vëllimesh polemikë, titulluar Bona fide (2014), Sapere aude (2016), Carpe diem (2018), Scripta manent (2020) dhe Pro tanto, që pritet të dalë nga shtypi vitin e ardhshëm.
Pjesë e kësaj krijimtarie janë edhe disa Letra të Hapura, që u janë drejtuar vitet e fundit drejtuesve politikë më të lartë të vendit, kryesisht kryeministrit socialist Edi Rama, disa anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, studentëve të universiteteve tona dhe (ish) presidentit socialist renegat të republikës Ilir Meta. Këto letra janë bërë publike në kohën kur janë shkruar përmes gazetës Dita. Në këto letra nuk është synuar kurrfarë protagonizmi. Ato, përkundrazi, duhen lexuar si një protestë intelektuale e bërë publikisht ndaj të gjitha atyre institucioneve, ose ndaj atyre individëve që unë mendoj se janë përgjegjës për gjërat nuk kanë shkuar, ose nuk shkojnë mirë në shoqërinë tonë. Një përmbledhje e tyre, si një vëllim më vete, titulluar Për të mirn publike, botohet së shpejti nga Minerva.
Njëlloj si C. Wright Mills, unë besoj se zbulimi i lidhjeve mes mjedisit të përditshëm të individit dhe strukturës sociale, pra mes proceseve mikro- dhe atyre makro-socialë, bën të mundur që shqetësimet tona personale dhe preokupimet tona private të mund t’i shohim e t’i kuptojmë si çështje publike, si pjesë e problemeve më të gjera të shoqërisë në të cilën jetojmë.
Unë nuk kam qenë dhe s’mund të jem një intelektual romantik i izoluar, një armchair sociologist, që jeton në një botë manikine. Qelizat shoqërore dhe ato politike të imagjinatës sime sociologjike janë formuar e ushqyer në botën reale të marrëdhënieve me individë të tjerë, me shoqërinë dhe me shtetin. Pa këtë imagjinatë sociologjike, të cilën, si një “aftësi të mendjes”, Mills thotë se e ka çdo njeri, unë mund të kisha vazhduar së qeni një mbrojtës pasionant i sociologjisë akademike, e cila, sot, gjithkund duket se është një disiplinë akademike në agoni, ose një disiplinë që po parcializohet e ballkanizohet përherë e më shumë, por nuk do të isha një sociolog publik.
Imagjinata sociologjike më ka ndihmuar me kohë që të gjej vendin tim në sferën publike, në rolin e një intelektuali që kërkon ndryshime pozitive në shoqëri dhe më shumë liri. Ashtu si Lester F. Ward më shumë se një shekull më parë, unë gjithnjë i jam përmbajtur idesë se “sociologjia është një shkencë e çlirimit, jo e kufizimit”.
Si sociolog, unë jam përpjekur e përpiqem të bëj vend në ndarjen shoqërore dhe atë akademike të punës duke i përdorur dijet e fituara deri më sot përmes një shkollimi të gjatë dhe një përvoje profesionale e shoqërore të pasur, në katër mënyra, ose në katër forma: si dije profesionale, si dije kritike, si dije publike dhe si dije mbi politikat.
***
Qëndrimi që mban një shoqëri e caktuar ndaj intelektualëve të saj është domethenës për të gjykuar se në ç’masë kjo shoqëri është demokratike. Kjo është e vërtetë edhe për qëndrimin që mban një qeveri ndaj intelektualëve të vendit të vet. Një shoqëri dhe një shtet i vërtetë demokratik nuk mund ta shpërfillin, ose ta denigrojnë mendimin intelektual, edhe kur ai është kritik ndaj metodave të qeverisjes dhe politikave shtetërore. Mendimi kritik, siç është në thelbin e vet mendimi i përparuar intelektual, duhet dëgjuar me respekt e vëmendje nga ata që drejtojnë vendin, sidomos në një shoqëri të re demokratike, si kjo që përpiqemi të ndërtojmë në Shqipëri, e cila ende nuk është çliruar plotësisht nga mentalitetet, fobitë dhe metodat autoritariste të komunizmit.
Seymour Martin Lipset vinte në dukje se “një elitë sunduese, madje edhe kur ajo është konservatore dhe anti-intelektuale, nuk mund t’u përgjigjet sfidave të intelektualëve duke i shtypur ata, nëse nuk dëshiron që koston e ndëshkimit që rrjedh nga një shtypje e tillë ta paguajë vetë ajo”. Po kështu, Joseph Schumpeter theksonte se, në kapitalizëm, “klasa ekonomike që sundon i mbron intelektualët”, sepse, “sado që mund të mos pajtohet me ta, intelektualët janë të saj dhe, prandaj, kjo klasë nuk mund ta shtypë kritikën intelektuale pa filluar një proçes represioni, me të cilin ajo do të minojë lirinë e vet”.
Vetë natyra kreative e veprimtarisë intelektuale, pavarësisht fushës në të cilën realizohet ajo, presupozon një dimension të gjerë lirie krijuese—artistike ose akademike. Intelektualët e vërtetë nuk e tradhëtojnë veçorinë e sendërtuar në qenien e tyre duke ua nënshtruar mendimin e tyre të lirë, ndërgjegjen dhe veprimtarinë e tyre krijuese kërkesave të punëdhënësit, të padronit ose të konsumatorit të rëndomtë dhe aq më pak ideologjisë zyrtare, si ushtarë të bindur të partisë në pushtet.
Intelektualët e vërtetë priren natyrshëm që t’u binden vetëm ligjeve dhe normave të krijimtarisë fushën e veprimtarisë së tyre. Ata nuk njohin autoritet më të lartë se sa e vërteta, edhe nëse kjo e vërtetë përkohësisht mund të fshihet, ose të shtrembërohet nga ata që janë vënë në krye të punëve të shtetit, ose nga mediat zyrtare.
Si krijues, intelektualët çmojnë si vlerë superiore dijen e re, idetë e reja, artin e ri dhe, ipso facto, është e natyrshmë që ata të kritikojnë dhe të refuzojnë status quo-në e gjërave, edhe nëse shoqëria në të cilën jetojnë është e organizuar dhe funksionon si një shoqëri demokratike. Sepse edhe demokracia nuk është një gjendje statike, por një proces dhe një praktikë qeverisëse që ndryshon e përsoset vazhdimisht.
***
Në esenë e tij brilante The American Scholar (1837), Ralph Waldo Emerson vinte në dukje se intelektuali, edhe pse i iluminuar nga tradita intelektuale e të së shkuarës, nuk duhet të mbetet i lidhur pas librave; aktiviteti e tij më i rëndësishëm është veprimi; të mosvepruarit është mungesë guximi.
Me këtë, ai i jepte një shpjegim çështjes së rëndësishme mbi dallimin mes dy mënyrave të jetesës, që në traditën filozofike e fetare për shekuj me radhë janë njohur si vita contemplativa dhe vita activa. Vetëm tetë vite më vonë, në Tezat mbi Fojerbahun (1845), Marksi e formuloi këtë ide në tezën e famshme se, “deri më sot, filozofët vetëm e kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme; çështja është që ta ndryshojmë atë”.
Emerson mendonte se detyra e një intelektuali është që idetë e mëdha të periudhave të shkuara t’i ruajë, t’ua komunikojë ato njerëzve të kohës së tij—jo thjesht intelektualëve të tjerë, por kujtdo— dhe, duke u mbështetur në to, të zhvillojë ide të reja. Këtë, besonte ai, intelektuali e bën jo thjesht si një detyrim ndaj shoqërisë por, në radhë të parë, si një obligim ndaj vetes dhe ndaj misionit të vet. Veprimi publik, sipas tij, është për intelektualin pjesë e të qenit “One Man”, pra një person i plotë.
Në fillim të viteve 1990, pikërisht atëherë kur kisha nisur odisenë time akademike në Shtetet e Bashkuara, Edward Said, në atë kohë profesor në Columbia University dhe një ndër intelektualët publikë më të njohur, e nisi një seri leksionesh titulluar Representations of the Intellectual me këto fjalë: “Ajo që për mua ka rëndësi, si një intelektual, është çfarë them para një audience, ose para një publiku, dhe rëndësia e asaj çka unë them nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën se si i artikuloj mendimet e mia, por me atë që unë përfaqësoj, si dikush që synim kryesor ka përpjekjen për të çuar përpara kauzën e lirisë dhe të drejtësisë. Unë i shkruaj ose i them këto fjalë pasi, pas shumë reflektimesh, kam kuptuar se kjo është ajo çfarë unë besoj dhe, gjithashtu, dua që t’i shtyj edhe të tjerët të mendojnë në këtë mënyrë”.
Said, ashtu si C. Wright Mills, por në një mënyrë tjetër nga ky i fundit, gjeti tek unë një mendje të hapur për idetë e tij. Mills e idolizoi me ngjyra romantike llojin e intelektualit të vetmuar, duke këmbëngulur në pavarësinë e tij si intelektual publik. Kritikën e tij teorike mjaft të guximshme ndaj shoqërisë amerikane të kohës së vet—në vepra të tilla si White Collar (1951), The Power Elite (1956), The Causes of World War Three (1960) dhe Listen, Yankee (1960)—Mills e bëri pa u angazhuar drejtpërsëdrejti me publikun të cilit i drejtohej. Në vend të protestës publike, Mills i mbyllte librat dhe artikujt e tij me pohime programatike të përgjithshme, që nuk kishin shumë lidhje me jetët e njerëzve të atij publiku, të cilit ai i adresohej. Në konceptin e tij mbi shoqërinë nuk kishte vend për lëvizjet sociale; aq më pak kishte vend përfshirja e tij në to, edhe pse, si për ironi, lëvizjet për të drejtat civile, protestat kundër luftës, lëvizja për emancipimin e grave, lëvizjet studentore dhe ato të Botës së Tretë, që pasuan vdekjen e tij më 1962, u frymëzuan pikërisht nga idetë e tij.
Ndryshe nga Mills, i cili mbetet një prej heronjve të mi intelektualë, unë mendoj se një intelektual publik duhet të jetë i angazhuar në problemet e mëdha të shoqërisë. Si një sociolog publik i angazhuar, unë nuk mundem të vëzhgoj se çfarë ndodh në jetën e shoqërisë sonë si të isha një spektator i një drame njerëzore, me të cilën nuk më lidh asgjë, dhe as me kokën mbi re, por duke qenë i përfshirë në një sferë të ndërlikuar publike, pa të cilën—dhe jashtë së cilës—ekzistenca jonë si qenie shoqërore dhe misioni im si sociolog nuk do të bënin kuptim.
***
Kritika ndaj institucioneve ekzistuese të shtetit, edhe në një sistem demokratik, vlerësohet pothuajse në të gjithë literaturën sociologjike të shkruar për intelektualët si një “tendencë inherente”, që buron nga veta natyra e aktivitetit të tyre krijues, si “një sëmundje profesionale e intelektualëve” (Raymond Aron), si “një ndër tiparet që i dallon” ata nga njerëzit e tjerë (Joseph Schumpeter), si një “cilësi e sendërtuar në vetë natyrën dhe rolin e tyre profesional” (Seymour Martin Lipset).
Aftësia e intelektualëve për kritikë sociale dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj fakteve, i bën ata që të ngrihen mbi kufizimet klasore dhe influencat e grupeve ose të komuniteteve të cilëve u përkasin. Në veprën e tij të njohur Men of Ideas, Lewis Coser i cilëson intelektualët si njerëz që “nuk ndihen kurrë të kënaqur me gjërat në gjendjen që ato janë”. “Ata”, vinte në dukje ai, “vënë në dyshim të vërtetën e momentit në emër të një të vërtete më të lartë”. Alvin Gouldner, nga ana e vet, theksonte se intelektualët përbëjnë një “klasë emancipuese”.
Për Said-in, intelektualët janë një pjesë e shoqërisë dhe ata duhet që t’ia komunikojnë shqetësimet e tyre një publiku sa më të gjerë që është e mundur. Një intelektual publik, shprehej ai, vë në balancë interesin e vet me interesin publik. Interesi i tij personal shërben si motivim dhe si forcë, por ideali i tij është e duhet të jetë e mira publike.
Said na intrigon edhe sot, pas tri dekadash, me pyetjet që ai shtroi për diskutim dhe zgjidhje: (i) Ç’vend zë një intelektual publik dhe ç’pozicion mban ai brenda dhe “jashtë” shoqërisë? (ii) Si dhe çfarë sheh të përbashkët një intelektual publik në atë çka është thellësisht personale (dhe në interesin personal të tij), por që është njëherësh edhe në interesin e publikut? (iii) Si mundet një intelektual publik të angazhohet në ato çështje që kërkojnë—dhe bëjnë të mundur—ndryshime pozitive në shoqëri dhe, në të njëjtën kohë, t’u qëndrojë besnik disa parimeve, që për të mbeten të pandryshueshme?
Këto të gjitha janë pyetje interesante si një ushtrim intelektual dhe të dobishme për t’u diskutuar publikisht. Unë nuk do të rrekem t’u përgjigjem pyetjeve të tilla, sepse nuk është ky qëllimi i këtyre radhëve. Unë konsideroj intelektual publik një individ, i cili është i formuar mjaft mirë në një disiplinë, ose në një fushë të caktuar, si filozofia, sociologjia, gjuhësia, ekonomia, shkenca politike, letërsia, artet, kritika letrare, ose edhe biologjia, fizika apo mjekësia dhe që—edhe pse jo detyrimisht— është pjesë e një trupe akademike, ose e një shoqate kulturore ose profesionale.
Kur një intelektual i tillë angazhohet të shkruajë, ose të flasë për një audiencë, ose për një publik më të gjerë sesa kolegët e tij të së njëjtës fushë, ai bëhet dhe merr rolin e një intelektuali publik.
Nga sa vura në dukje më sipër, kuptohet se jo çdo intelektual është, ose mund të quhet, një intelektual publik. Po kështu, jo çdo intelektual publik ka të njëjtën “peshë” në publik dhe luan të njëjtin rol në jetën e shoqërisë. Disa intelektualë janë publikë vetëm sepse – dhe për aq kohë e në atë masë që – ata flasin ose shkruajnë për publikun lidhur me disiplinën ose fushën specifike të krijimtarisë së tyre. Të tjerë i adresohen publikut të gjerë për çështje që kanë të bëjnë me disiplinën e tyre, ose me fushën e krijimtarisë së tyre, por duke i shpjeguar këto të lidhura me aspekte të jetës e të zhvillimit shoqëror, ekonomik, kulturor e politik të shoqërisë së vet, ose të shoqërisë ndërkombëtare.
Intelektualët publikë më të njohur janë ata individë, të cilët shkojnë përtej disiplinës ose fushës së tyre dhe ngrihen mbi intelektualët e tjerë, duke u bërë simbole frymëzues për një publik shumë të gjerë, brenda dhe jashtë vendit të tyre. Një ndër shembujt më domethënës të një intelektuali të tillë konsiderohet Albert Einstein. Pasi u bë botërisht i famshëm në fushën e tij, Einstein u ftua në sa e sa raste që të fliste e të shkruante për audienca të ndryshme mbi fenë, mbi çështje të arsimit, të moralit, të filozofisë e të politikës botërore. Ai u bë, në kuptimin më real të fjalës, një simbol i racionalitetit dhe nobilitetit njerëzor. Bertrand Russell ishte, gjithashtu, një intelektual publik i të njëjtave përmasa.
Në dekadat e fundit, disa ndër intelektualët publikë më të njohur kanë qenë, ose janë emra të tillë, si Noam Chomsky, Carl Sagan, Umberto Eco, Richard Dawkins, Steven Jay Gould, John Updike, Václav Havel, Adam Michnik, Susan Sontang, Jürgen Habermas, Anthony Giddens, Christopher Hitchens, Amartya Sen, Richard Rorty, Niall Ferguson, Naomi Klein etj.
Në shoqërinë shqiptare, intelektualë publikë të shquar kanë qenë, ose janë Rexhep Qosja, Ismail Kadare, i ndjeri Moikom Zeqo (të tre anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave) etj.
Intelektualët publikë, siç vura në dukje më sipër, shpesh shkruajnë ose flasin për çështje të rëndësishme shoqërore ose politike, që shkojnë përtej fushës së tyre të ekspertizës. Përgjithësisht, ata nuk refuzojnë të flasin për çështje të tilla, pasi e vlerësojnë këtë si një përgjegjësi që ata ndiejnë dhe kanë para shoqërisë. Edhe pse Einstein ka qenë, përgjithësisht, një njeri i mbyllur dhe i druajtur, ai ishte i mbushur me vetëbesim dhe krejt i ndërgjegjshëm për staturën e tij dhe për peshën e fjalës së tij në publikun e gjerë, prandaj edhe e pranoi përgjegjësinë e të qënit një intelektual publik.
***
Është për të ardhur keq, por më shumë është për të qeshur me atë shpurë jo të vogël “intelektualësh” narcistë e filistinë shqiptarë, që llomotisin çdo mbrëmje në studiot e pothuaj të gjitha televizioneve, për t’i “dhënë mend” publikut, shumë herë për çështje që ata vetë as i dinë, as i kuptojnë. Këta, në zhargonin popullor, stigmatizohen si “gjithologë”, ndërsa e konsiderojnë veten “opinionistë”.
Ndoshta jo krejt pa të drejtë, pasi shumica e tyre, përveç opinioneve të veta- edhe këto, në më të shumën e rasteve krejt të painformuara -nuk kanë kurrfarë njohurish të qenësishme mbi ato çështje për të cilat i “shesin mend” publikut. Francis Bacon do i krahasonte njerëz të tillë me merimangat, që pëlhurën e tyre e krijojnë nga vetvetja.
Shumica e “gjithologëve” të tillë nuk kanë shkruar kurrë një libër dhe, ndoshta, as kanë marrë mundimin të lexojnë një libër për ato çështje, për të cilat, në sytë e publikut—përmes kamerave dhe ekranit—përpiqen të tregohen se janë ekspertë. Dhe, meqenëse, tipari dallues kryesor i çdo intelektuali është aktiviteti krijues, individë të tillë jo vetëm që nuk janë e s’mund të jenë intelektualë publikë, por nuk janë, në fakt, as intelektualë.
Atyre u mungon edhe një cilësi tjetër esenciale e intelektualëve të vërtetë, aftësia për të njohur e pranuar kufizimet e dijes së tyre, si dhe për të kuptuar paragjykimet që ata kanë si individë, ndërsa përpiqen t’ua sheshin publikut mendimet e veta si të vërteta “të sigurta”, ose “të provuara”.
Në Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave nuk ka vend për “intelektuale” të tillë. Anëtarët e kësaj Akademie ndajmë mes tyre shqetësimin e intelektualëve publikë që, ashtu si C. Wright Mills më shumë se 60 vite më parë, shqetësimet personale të njerëzve përpiqen t’i kuptojë si shqetësime të shoqërisë sonë dhe sugjerojnë zgjedhje racionale për to.
—-
Anëtarët të rregullt të Akademisë Shqiptare të Arteve dbe Shkencave:
Alajdin ABAZI, Bashkim AHMETI, Arben BABOÇI, Abdylmenaf BEXHETI, Luljeta BOZO, Kujtim ÇASHKU, Pandeli ÇINA, Alqi ÇULLAJ, Liri DINGA, Mumtas DHRAMI, Romeo GURAKUQI, Artan HOXHA, Gëzim HOXHA, Ferid HUDHRI, Shefkije ISLAMAJ, Ermonela JAHO, Mirush KABASHI, Helena KADARE, Ismail KADARE, Isuf KALO, Eno KOÇO, Ksenofon KRISAFI, Emil LAFE, Xhevat LLOSHI, Rami MEMUSHAJ, Laura MERSINI-HOUGHTON, Inva MULA, Mina NAQO, Anila PAPARISTO, Tedi PAPAVRAMI, Llukan PUKA, Rexhep QOSJA, Ethem RUKA, Evan RROÇO, Sokol SADUSHI, Marenglen SPIRO, Zef SHOSHI, Fatos TARIFA, Agim VINCA, Pëllumb XHUFI, Aleksandër XHUVANI, Lea YPI.
Anëtarët Nderi:
Jean-Philippe ASSAL, Craig CALHOUN, Amitai ETZIONI, Victor FRIEDMAN, Anthony GIDDENS, Peter LUCAS, Matteo MANDALA, Claus OFFE, Obrad SAVIC, Brtan S. TURNER.