Dokumente të inteligjencës të publikuara së fundmi tregojnë se Irani po kërkon të marrë hak pas vrasjes së komandanti të lartë të ushtrisë së tij nga një sulm me dron i SHBA dy vjet më parë në Irak.
Në këto dokumente thuhet se Irani kërkon të vrasë ose të kapë ish-presidentin Donald Trump dhe sekretarin e tij të shtetit Mike Pompeo, për vrasjen e gjeneralit Qassim Soleimani, transmeton Yahoo News.
Konspiracioni shokues është zbuluar nga qendra kombëtare anti-terrorizëm që cila shkruante se Irani ka nisur një program afatgjatë kundër zyrtarëve të lartë në SHBA, duke përfshirë kërcënime me vdekje, manovra ligjore si dhe duke lëshuar urdhër arrestime e sanksione.
Komandanti Soleimani ishte një nga liderët ushtarakë më të fuqishëm në Lindjen e Mesme para vdekjes, me aktivitet të gjerë në ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri apo me grupin militant Hezbollah në Liban.
Ai u vra në një sulm të paprecedentë me dron pranë aerorortit të Bagdad gjatë një vizite në Irak në janar 2020.
“Prej janarit 2021, Teherani ka shprehur publikisht vullnetin për të kryer operacione brenda SHBA duke identifikuar si objektiv ish-presidentin Donald Trump, ish-sekretarin e shtetit Michael Pompeo, dhe ish Gjeneral Kenneth McKenzie, si objektivat kryesorë të hakmarrjes së tij,” thuhet në raport.
Në të shpjegohet gjithashtu se Irani konsideron vrasjen apo ndjekjen penale të një zyrtari si ish presidenti Trump si masë ekuivalente ndaj vrasjes së Soleimani.
Sipas Yahoo News, raporti kategorizohet me mbishkrimin “Jo për publikim” dhe “vetëm për përdorim zyrtar.”
Zbulimi vjen teksa presidenti aktual i SHBA Joe Biden është duke kryer një turne vizitash në Lindjen e Mesme, me qëllim forcimin e lidhjeve me rajonin.
Në një prej fjalimeve, sipas transmetuesit izraelit N12 Biden tha se nuk do të ngurronte të përdorte forcë ushtarake për të ndaluar Iranin që të arrinte armët bërthamore.
Ai kishte thënë: “E vetmja gjë më e keqe se Irani do të ishte një Iran me armë bërthamore.”
Vizitat vijnë në një kohë kur vijojnë bisedimet ndërkombëtare për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe heqjen e sanksioneve.