Intervista/Behgjet Pacolli, presidenti i tretë i Kosovës: Trupat Serbe në Kosovë!? Nuk do kthehen kurrë më. Serbia të mos e kalojë vijën e kuqe

 

Nga Klara Dervishi

Situata në Veri të Kosovës ka rritur tensionet dhe frikën e një përshkallëzimi të mëtejshëm që do kishte pasoja të pariparueshme dhe ndoshta që Vuçiç do ishte në gjendje që ashtu si ka bërë deri tani t´i kthente në disfavore të mëdha për Kosovën. Por edhe pse mudn të shihet kështu reagimi I mefshët ose deri diku pritës i Prishtinës se dikush tjetër duhet ta zgjidh këtë, shfrytëzohet nga Beogradi si mundësi e mirë për ta bërë të besueshme se edhe kur vetë Vuçiç kërkon kthimin e forcave serbe në Kosovë fajin e ka Prishtina. Por si po sillet BE në këtë krizë dhe kush është roli i SHBA që në fakt duket se ka qënë vendimtar për të mos lejuar cënimin e integritetit territorial që Kosova e ka fituar me sakrificën e të humburit të shumë njerëzve në luftë.

Pse BE shtyn pa fund vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët duke i bërë atë të vetmin popull të izoluar në Ballkan?

Sa e rëndësishme është që Prishtina zyrtare të rrisë besimin e saj në vendet e BE dhe të besoj fort te negociatorët më të mirë që janë BE dhe SHBA.

Cili ka qënë roli i Tiranës zyrtare në këtë përballje dhe sa rëndësi kishte për shqiptarët mbajtja e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë?

Priza.al ka biseduar për gjithë situatën me presidentin e tretë Kosovar, zotin Behgjet Pacolli

 

  1. Zoti Pacolli, faleminderit që pranuat të më jepni kohë duke iu përgjigjur pyetjeve të Priza.al.  Po shohim ditët e fundit një tensionim në rritje që është shoqëruar me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe ndoshta do kulmojë me shtimin e trupave të EULEX një gadishmëri e shprehur qartë nga BE. Si e cilësoni këtë situatë zoti Pacolli?

Shiko Klara. Gjendja nuk duket e mirë në Veri.  Situata e sigurisë është e brishtë atje dhe ka një vakum të sundimit të ligjit dhe të rendit. Kjo e vështirson shumë pozicionin e Kosovës dhe shtrirjen e sovranitetit dhe kontrolit shtetëror në atë pjesë të vendit. Është tejet shqetësuese që pas më shumë se një dekade kemi një situatë të tillë prapë ku vendosen barikada nga banda kriminale dhe struktura paralele dhe shohim prezencën e shtetit të Kosovës te reduktuar. Papërgjegjësi totale në shumë drejtime është se si po adresohet ky problem edhe si po krijohet si diçka normale kjo gjendje.

Kur kam qënë Ministër i Jashtëm kemi pasur një situatë të përafërt ku është tentuar të pengohet një operacion policor nga bandat e veriut dhe një zyrtar rus që punonte për UNMIK-un po ndihmonte këto banda të krijonin pengesa dhe barikada në rrugë. Reagimi I shtetit ka qënë i drejtpërdrejt dhe i pa kompromis, ai zyrtar rus për shkak të imunitetit të tij nuk ka mundur të ndiqet, por është shpallur person non-grata nga ana joën dhe policia e ka kryer operacionin e vet në mënyrë profesionale.

Po e përmendi këtë rast për të gjykuar situatën aktuale që më shqetëson dhe mënyra qysh po menaxhohet edhe nga qeveria por edhe nga misionet ndërkombëtare që kanë mandat të qartë.

  1. Një tentativë ose më saktë një deklaratë për kthimin e forcave serbe në Kosovë? A do ishte kjo një prag tensioni të armatosur nëse vërtet do të bëhej siç ka kërkuar Vuçiç?

Kjo është deklaratë aq sa qesharake edhe e çuditshme. Trupat Serbe në Kosovë nuk do të kthehen kurrë më dhe nuk munden. Është një Vijë e kuqe e qartë kjo dhe çdo diskutim për këtë më duket banal dhe shkon në mulli të Beogradit. Qeveria ka qënë e qartë për këtë, spektri politik në vend gjithashtu, dhe këtu të gjithë jemi në unison në përgjigjen për këtë. Askush nuk duhet të bëjë këtë diskutimi, as brenda Kosovës as jashtë. Ne duhet vetëm të tregojmë se kjo është fytyra hegjemoniste e Beogradit, të cilën duhet të kundërshtojmë me veprime të mencura dhe të qarta.

  1. U tha më herët këtë javë se BE e humbi durimin me Serbinë e Kosovën, por për çfarë bëhet fjalë? Kush duhet të jetë ai që e humbet durimin në këtë konflikt që i ngjan një lufte nervash e provokimesh pa fund?

Në raportet Kosovë-BE humbja e durimit është normalitet. Edhe ne kemi humbur një kohë të gjatë durimin për mos liberalizimin e vizave përkundër që kemi plotësuar kushtet me vite dhe ka pasur qasje jo parimore nga BE dhe vizat u kthyen në mjet të arogancës së Brukselit në Kosovë. Mirë që vizat po lëvizin dhe për këtë meritor është Presidenca ceke e Bashkimit Evropian. Çka nuk po shoh duke lëvizur është perkushtimi i BE ndaj Kosovës per marrëveshjen finale. Nuk munden 5 vende të mbajnë peng 22 vende të tjera që e kanë njohur Kosovën. Mungesa e njohjes nga këto vende ka lazderuar Serbinë, i ka dhënë asaj mundësi që të behet faktor destruktiv karshi Kosovës dhe rajonit. BE ka injoruar gjendjen me vite dhe nuk ka luajtur rolin e saj në mënyrën më të mirë si ndërmjetës. Ka pas një politikë të tolerimit të sjelljes së Serbisë ndërsa të mos durimit ndaj Kosovës edhe kur argumentet kanë qënë në anën tonë.  Kam tentuar gjithnjë të paralajmëroj BE që Serbia po përdor politikën e saj të vizave kundër Kosovës për të siguruar çnjohje. Nuk ju ka interesuar fare sjellja e Serbisë shpesh. E sot jemi në një situatë për shkak të kësaj tolerance ndaj Beogradit.

  1. Duket në fakt sikur kjo ka lidhje me faktin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë. Tensionet u rritën kur nga ndërkombëtarët u artikuluan se duhej anullim i zgjedhjeve. Pse i trembet Serbia këtyre zgjedhjeve duke e marë të mirëqënë se të interesuarit e parë janë ata për anullimin:

Serbia nuk dëshiron prezencë të shtetit të Kosovës në veri. Ky është misioni i saj. Më shqetëson fakti që puna erdhi deri aty që zgjedhje demokratike, pra instrumenti përmes të cilit qytetarët zgjedhin zyrtarët publik, u desht të shtyhet për shkak të kërcënimeve të bandave kriminale dhe strukturave paralele të Beogradit. Këtu qëndron problemi në tërësi. Si erdhëm këtu është pyetja që duhet bërë, çka e solli gjendjen këtu, kur hiç më larg se vitin e kaluar janë mbajtur zgjedhjet lokale në veri, e vite e vite me rradhë.

  1. I dërguari i posatshëm i SHBA Escobar ka qënë aktiv këtë kohë, madje këtë mudn të themi edhe me arritjen e një dakordësie për targat kur kreministri Kurti pranoi propozimin e SHBA për të shtyrë gjobat. Si e shihni rolin e SHBA në këtë krizë?

Roli amerikan është esencial edhe i domosdoshëm në Kosovë dhe në zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të punojmë ngushtë, të kordinohemi, të dëgjojmë dhe të shprehim mendimet tona si partner ndërmjet veti. Kosova ka garancione të sigurisë nga ShBA siq e rikonfirmoj z. Escobar, këto garancione dhe përkrahja e vazhdueshme e tyre janë  shtylla se si të ecet tutje përpara së bashku.

6. Dhe përsëri në tryezën e palëve pra të autoriteteve në Kosovë dhe në Serbi është plani franko-gjerman . A është ky plan në favorin e Kosovës zoti Pacolli ose çfarë mund të rinegociojë Kosova në këtë kornizë?

Kosova dhe Serbia kanë nevojë urgjente për një zgjidhje e cila arrihet duke siguruar njohje të ndërsjelltë si dy shtete të pavarura dhe sovrane, duke respektuar integritetin teritorial dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës.  Ne politikisht nuk kemi çka t’i japim më Serbisë. Me dokumentin e Ahtisarit ne kemi bo koncesus politik. Serbia ka arritur maksimumin në Kosove dhe çdo gjë që bën do të shkonte në dëm të Kosovës. Unë e shoh zgjidhjen vetëm tek një zonë e lirë ekonomike, e cila do të formohej mes Serbisë dhe Kosovës. Duhet të largohemi nga paradigma e kompromiseve politike, dhe të shkojmë drejt zgjidhjeve ekonomike, që janë celës i adresimit të problemeve në shekullin 21.

7. Por në plan mungon njohja e ndërsjelltë dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. A duhet insistuar që këto dy pika të jenë në plan pasi kështu si është mund të jetë vetëm një njohje “de fakto” dhe jo “de jure” e shtetit Kosovar nga Serbia?

Njohja e ndërsjelltë duhet të jetë kërkesa prej të cilës Kosova nuk hjek dorë. Pa njohje eksplicite, nuk shoh zgjidhje, por vetem zgjatje të problemeve. Serbia pajtohet për diqka dhe kalon një dekadë duke krijuar probleme nga ana e saj për atë që je pajtuar. OKB është diqka që varet nga vetoja në Këshill të Sigurimit nga Rusia dhe Kina. Por qka Kosova duhet të kërkoj është që Serbia të deponoj në OKB një shkresë ku thotë që nuk do të jetë kundër anëtarësimit të Kosovës, ose Kosova , Serbia dhe BE-ja bëjnë deponim të tillë. Përmes kësaj të hapet rruga së paku për statusin e vëzhguesit në OKB, që është një pozicion që Kosova duhet ta konsideroj, për të pasur prezencë në OKB. Duke qënë shtet vëzhgues në OKB Kosova do të kishte të gjitha të drejtat sikurse shtetet e tjera, përveç votës, por do të kishte ulëse në Asamble të Përgjithshme, flamuri do të ngritej para OKB-së, etj. Pra ka zgjidhje për të kaluar veton ruse dhe për të krijuar prezencë të Kosovës nga OKB. Mbi të gjitha Kosova do të njihej si “shtet vëzhgues”, pra OKB do të njoh shtetësinë e Kosovës me këtë veprim.

8. Pavarësisht, a mund të jetë ky plan një bazë e mirë për bisedime të mëtejshme midis vendeve? Domethënë a duhet ta shfrytëzoj në maksimum Kosova këtë mundësi?

Plani është Bazë e duhur për të krijuar një marrëveshje që përafron qëndrimet e palëve, por është plan minimal që duhet zhvilluar tutje. Kosova duhet të ketë kërkesa të qarta dhe të përfshijë një gamë të gjerë të aktorëve politik dhe shoqëror në vend për të krijuar një klimë uniteti.

9. Ndërkohë si e shihni sjelljen e BE në këtë krizë? Kemi parë deklarata të Borell që ka kritikuar ose treguar si fajtorin e vetëm Kosovën për mos arritjen e një marrëveshje në Bruksel, deklaratë që u kritikua nga Kosova. Vijon të jetë BE e ekuilibruar në këtë dialog apo presionet e Vuçiç duket sikur fitojnë më shumë terren?

Bashkimi Evropian si ndërmjetës duhet të jetë më i ekuilibruar. Shohim shpesh heshtje ndaj sjelljes së Serbisë, sikurse rasti i tanishëm me kërkesën për dërgim të ushtrisë, ndërsa ka mbi reagim për palën Kosovare. Situata të tilla i kam përjetuar disa vite më parë dhe e kuptoj frustrimin që ka qeveria dhe publiku në Kosovë. Por ndërmjetës më të mirë nuk mund të gjejmë. Duhet të punojmë ngushtë me BE dhe të japim argumentet tona, ti bindim ata që ne kemi të drejtë me kërkesat dhe shqetësimet tona.  Kjo është diplomaci dhe duke diskutuar në mënyrë të hapur me njëri tjetrin arrijmë të krijojmë një situatë të favorshme për Kosovën.

10. Kemi parë edhe një reagim të Rusisë në këtë konflikt. Nga njëra anë shqetësim për eskalim nga ana tjetër kritika për BE dhe SHBA?

Nuk duhet të merremi me Rusinë, se çka thotë është kot e çka bën në Evropë është terorrizëm shtetëror. Rusia nuk ka rol në Kosovë dhe nuk duhet të merremi me të. Por të kemi kujdes me sjelljen e saj destruktive gjithmonë.

11.Javën e kaluar u mbajt një Samit i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Si e konsideroni këtë Samit zoti Pacolli? A arriti ai të jepte ndonjë zgjidhje për Ballkanin Perëndimor , për krizën Kosovë-Serbi apo duhet vlerësuar vetëm fakti se u zhvillua për herë të parë jashtë një vendi të BE?

Është një sukses që në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, mblidhen liderët nga Bashkimi Evropian dhe rajoni. Është njohje e rolit konstruktiv dhe shumë pozitiv të Tiranës dhe kjo flet për fuqizim të rolit të Shqipërisë. Samiti duhet vlerësuar si një ri-startim i angazhimit Evropian karshi rajonit pas luftës në Ukrainë. Duhet kohë për të parë efektet në terren por fokusimi në agjend ekonomike dhe përshpejtimi i procesit integrues janë faktorët matës për sukses apo dështim.

12.U tha se në Samit do ishte një deklaratë për firmosje nga pala serbe për të pranuar dhe zbatuar sanksionet ndaj rusisë njësoj si vendet e BE, por nuk ndodhi. Mund të ketë qënë kjo dakordësia e BE për ta ulur Vuçiç në Samit duke qënë se ai kishte deklaruar se nuk do ishte i pranishëm?

Nuk kam informata për këtë dhe nuk mund të deklarohem. Por as nuk më bën përshtypje a merr pjesë Vuçiç apo jo. E rëndësishme që Kosova është prezente e shpreh qëndrimin e saj dhe që Tirana dhe shteti shqiptar kanë qënë mikpritës. Kjo vlen për mua.

13. Nga Tirana zyrtare kemi parë vetëm shprehjen e solidaritetit me Prishtinën. Ndërkohë që ka akuza se kryeministri Rama ka dijeni për planet e Serbisë . Megjithatë a është aktive apo duhet të ishte më aktive qeveria shqiptare në mbështetje të Kosovës?

Tirana dhe Kryeministri Rama kanë qëndrim të qartë dhe përkrahës ndaj Kosovës. Nuk vihet në diskutim kjo dhe tendencat për të vënë në diskutim Rolin konstruktiv të Shqipërisë nuk janë në favor të Kosovës. Për Kosovën flet Prishtina, Tirana jep përkrahjen e saj dhe ajo është më e madhe sa që mendohet. Inatet politike po bëhen aq jo racionale saqë nuk ja vlen të merremi. Unë e di mirë që Kosova nuk ka aleat më të afërt sesa Tiranën dhe Uashingtonin. Diku e lexova një citat të mirë, Shqipëria nuk ka luftu në Kosovë, por pa Shqipërinë lufta e Kosovës nuk do të mund të bëhej. Kështu e shoh përkrahjen aktuale të Tiranës.

14. Po vetë reagimet, veprimet dhe hapat e ndjekur nga autoritetet kosovare si i keni parë në këto kohë? Duket sikur sjellja e Kurtit e ka rikthyer çështjen kosovare në tryezën e diskutimit si temë për zgjidhje të shpejtë . Apo e kanë bërë këtë thjesht provokimet e palës Serbe?

Kosova duhet të punoj dhe të kërkoj që sovraniteti i Kosovës të shtrihet në çdo cep të vendit dhe që të mos cënohet siguria në vend dhe të krijohet vakum i sigurisë dhe institucioneve të Kosovës në Veri. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të jetë palë konstruktive dhe bashkëpunuese me Partnerët tanë, jo me kryeneçësi sikurse për Targat, që kanë bërë dëme të mëdha vendit me veprimet e pamatura. Kosova duhet të ketë qëllime të qarta, të zgjidh mosmarrëveshjet apo të prish në terren marrëveshjet e arritura deri më tani. Kam paqartësi për këtë se çka synon qeveria. Veprimet dhe fjaleët nuk përputhen mes veti.

15 .Ndërkohë Holanda duket se po bën hap para në këtë drejtim. Duket se do kemi rivendosje vizash për Serbinë për shkak të mungesës së pranimit të sanksioneve nga ana e Serbisë. Ndoshta kjo do nxjerë në pah edhe vendet që e mbështesin Serbinë pavarësisht kursit që Vuçiç ndjek.

Nga rezolutat e një parlamenti deri tek vendimi per heqje vizash është një rrugë e gjatë. Nuk jam në dijeni të detajeve, por mos të merremi se kush përkrah apo jo Serbinë, por teë rrisim përkrahjen për Kosovën. Kjo është zgjidhja më e mirë për të ulur përkrahjen për Serbinë.

16.Ditët e fundit një skandal korrupsioni ka tronditur autoritetin apo dhe seriozitetin e Parlamentit Europian. Si e komentoni këtë skandal? Sa e ka tronditur kjo besueshmërinë e autoritetit të qeverisë së Europës dhe a tregoi kjo se nuk ka autoritet të pakorruptueshëm?

Bashkimi Evropian besoj ka instrumente dhe mekanizmat më të duhura në botë për të adresuar probleme të tilla. Korupsioni është kancer për çdo shoqëri. Nuk maten shoqëritë për atë se a ka apo jo korupsion, por se si e adresojnë këtë sfidë, se si e luftojnë. Për këtë i bindur jam se Bashkimi Evropian ka kapacitetin që të adresoj probleme të tilla.

17. Si e shihni situatën e luftës dhe rolin e presidentit turk Erdoghan nëse do ta quajmë kështu? Ka ndikuar disa herë në gjetjen e një marrëveshje si është ajo për korridoret e grurit

Lufta në Ukrainë është sfida më e madhe e sigurisë për Evropën por edhe për rendin liberal në shekullin 21. Rusia me sjelljen e saj ndër vite ka treguar se nuk është e interesuar të jetë pjesë e botës së lirë, por të vazhdoj të jetë pjesë e së kaluarës dhe të mbaj të tjerët peng të saj. Lufta shpresoj që do të ketë fund së shpejti, por jam skeptik, sepse kostoja humane është e madhe dhe nga eksperienca jonë në Kosovë në luftën e viteve ´97-´99, ne ende sot kemi pasoja nga ajo luftë. Presidenti Erdogan ka treguar lidership të madh në muajt e fundit për të krijuar zgjidhje të ndryshme sikurse kjo me grurin për të shmangur një krizë ushqimore dhe financiare në botë. Të arrish zgjidhje të tilla në kohë lufte mes palëve, është goxha e vështirë dhe kërkon lidership. Besoj fuqishëm në rolin pozitiv dhe konstruktiv të Turqisë në adresimin e problemeve të ndryshme dhe duhet të inkurajojmë zgjidhje edhe më shumë që i japin fund luftës në Ukrainë. Por një gjë duhet të jetë e qartë, lufta ka vetëm një përfundim, Ukraina duke fituar dhe Rusia duke humbur. Gjithçka nën këtë është rrezik për Ukrainën vet edhe për Evropën.

Faleminderit Zoti Pacolli.

Intervistoi, Klara Dervishi.

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *