Intervista/Enver Bytyçi: Vështirë që Vuçiç të pranojë Kosovën, kjo edhe për shkak se deklaratat e BE dhe SHBA janë një kakofoni fjalësh e konceptesh kontradiktore

 

Nga Klara Dervishi

Një vit i tensionuar dhe shumë pak hapa para në drejtim të gjetjes së një zgjidhje midis Kosovës dhe Beogradit dhe një lider serb që vazhdon të luajë edhe me ndihmën e disa qarqeve të caktuara në BE që mesaduket më shumë kanë nevojë për të sesa për Kosovën.

Një vit që u mbyll me “paqe” duke larguar të paktën për momentin erën e luftës dhe që tregoi se sa e brishtë është paqa dhe se Vuçiç do vijojë të luajë me kartat e një konflikti të cilin mesaduket ai nuk e ka llogaritur si duhet. Të provokosh luftë me Kosovën do të thotë të përballesh me NATO dhe askush nuk e beson se Vuçiç e merr parasysh këtë.

Të gjithë besojnë se ai thjesht kërkon të marrë gjithcka e të mos gjejë zgjidhje, një zgjidhje që ndoshta do vuloste fundin e tij në politik.

 Por a ishte tërheqja e barrikadave në Veri të Kosovës një zgjidhje përfundimtare apo thjesht Vuçiç e gjeti atë si “kalin e Trojës” të cilin mund ta aktivizojë sa herë që ti duhet?

Si u pa reagimi ndërkombëtar edhe këtë herë? A ishte BE dhe SHBA e vendosur për t´i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe a kërkon ta bëjë këtë edhe plani Gjermano-Francez dhe pse nuk e përmend ai njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë?

 Çfarë do sjellë ndryshe 2023 në drejtimin 6 mujor të BE-së nga Suedia që vetë kërkon “qetësi” duke u anëtarësuar në NATO dhe a do këtë hapa para për Kosovën në drejtim të liberalizimit të vizave apo për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në drejtim të vijimit të negociatave?

Për këto Priza.al ka biseduar me analistin  dhe studiuesin e çështjeve të Ballkanit zotin Enver Bytyçi dhe më tej edhe me Lulzim Veliu.

Tiranë, 7 janar 2023

  1. Një Europë që e nis kryesimin e presidencës me Suedinë në këtë vit të ri 2023. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

Suedia është një vend shumë i rëndsishëm për Bashkimin Europian. Ajo ka histori të hidhura në marrëdhëniet e saj me Rusinë. Ndaj dhe po bëhet pjesë e NATO-s, madje me proçedura të përshpejtuara.

Për shkak se Suedia është shumë e ndjeshme ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, ajo ka qenë, është e do të jetë përkrah Ballkanit Perendimor në synimet e rajonit për integrime euro-atlantike. Në këtë kuptim është me rëndësi që Suedia e merr kryesinë BE-së për gjashtëmujorin e ardhshëm. Jam I sigurt se ajo do ta shtyjë përpara procesin e integrimeve dhe pajtimit në këtë pjesë të Europës.

  1. Në një dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Evropën. E bën lufta që Rusia vijon të zhvillojë edhe më real këtë objektiv?

Në përgjithësi Suedia është një vend serioz, me demokraci të zhvilluar edhe në raport me vendet e Europës së Jugut. Një fakt po ju jap: – Suedia është i vetmi vend në BE, ku opozita ka të drejtën pa votën e mazhorancës të ngrejë komisione parlamentare hetimore për veprimtarinë e qeverisë. Kaq e zhvilluar është demokracia dhe transparenca ndaj qeverisjes. Kjo do të thotë se e drejta demokratike është nxitje për Suedinë që të ndihëmojë vendet e rajonit tonë.

Padyshim se luan një rol të rëndësishëm e ndoshta kurcial agresioni rus kundër Ukrainës. Konflikti dhe lufta në Ukrainë e bën Suedinë edhe më të përgjegjshme dhe e nxit atë që të mbështetë proçesin e zgjerimit. Një vend tjetër, veç Suedisë, zor se do të angazhohej me kaq përkushtim.

3. Po çfarë mund të pritet për Kosovën gjatë këtij viti? Një krizë që ishte ajo e barrikadave në veri që u zgjidh ose më saktë kështu u krijua ideja vetëm me largimin e barrikadave.

Kosova është në një moment kthese. Qeveria e Albin Kurtit gjatë vitit që shkoi prishi statukuonë që kishin krijuar paraardhësit e tij. Ai e nisi këtë taktikë politike duke mos lejuar që në territorin e Kosovës të mbahej një referendum i Serbisë për çeshtje të rregullit të brendshëm të saj. Më pas qeveria e Kosovës nuk pranoi që serbët e Kosovës të votonin për zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë, vëçse në një qendër në Prishtinë, ose duke shkuar vetë fizikisht pranë qendrave të votimit në territorin e Serbisë.

Këto dy akte dhanë mesazhin e prezencës së shtetit të Kosovës në veriun e vendit. Pikërisht kjo situatë nuk i pëlqeu Beogradit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Nisi konflikti për dokumentet e udhëtimit dhe targat. Edhe në këtë rast Kurti u pajtua me kërkesën e ndërkombëtarëve për të dhënë kohë. Megjithatë, në momentin kur policia e Kosovës nisi të paralajmërojë qytetarët me targa serbe që ata t’i zevendësojnë me targat e Kosovës, nisi sherri. Fillimisht u dorëzuan mandatet e deputetavë dhe kryetarët e komunave të veriut.

Dhe më pas, megjithëse presidentja Osmani shpalli shtyrjen e zgjedhjeve në komuna për muajin prill 2023, nisi protesta e barrikadave. Ato u ngritën në fund të javës së parë të dhjetorit dhe qëndruan për 19 ditë radhazi. Vuçiq mobilizoi ushtrinë dhe e solli në kufijtë e Kosovës. Ai i kërkoi NATO-s që të sjellë në Kosovë 1000 forca ushtarake speciale. Thuajse i shpalli luftë Kosovës.

Me ndërmjetësimin e Fuqive Ndërkombëtare barrikadat u hoqën.

Ju thoni se çfarë pritet! Pritet që kriza të përssëritet. Beogradi nuk heq dorë nga përpjekjet e saj për ndarjen e Kosovës. Ajo nuk pajtohet me dialogun dhe zgjidhjet që çojnë në stabilitet dhe paqe rajonale. Me mjete të tjera synohet të arrihen objektivat e Milosheviçit për krijimin e Serbisë së Madhe. Retorika luftënxitëse e liderëve serbë i ngjan retorikës së presidentit rus, Putin, në rastin e agresionit të tij në Ukrainë. Kjo do të thotë se konflikti do të vazhdojë. Mund të ngrihen sërishmi barrikadat. Mund të eskalojë situata edhe në ndonjë konflikt të vogël. Kosova duhet të jetë e përgatitur për më të keqen. Por pa panik dhe pa frikë. Serbia e ka të pamundur që me forcë të zgjerojë territore në Kosovës. Por as me dialog, nëse këtë nuk e pranojnë autoritetet e Kosovës.

  1. Por fakt është që Vuçiç tregoi se mund ti ngrejë barrikadat e mund ti heqë kur të dojë. Ai pra nuk ka qënë vendim individual apo i një grupi njerëzish ngritja e barrikadave. Dhe BE nuk foli me gjuhën e saj dhe as të diplomacisë për zgjidhjen?

Eshtë tipar karakteristik i udhëheqësve autoritarë që krizat t’i nisin ose t’i ndalin përmes vullnetit individual të tyre. Prandaj dhe në vendet autoritare ka zhvillime të papritura. Ndryshe ndodh në vendet demokratike, ku vendimmarrja është në dorën e institucioneve dhe jo të një individi.

Si lider autoritar dhe arrogant, Aleksandër Vuçiq dha urdhër të ngrihen barrikadat dhe po si I tillë I hoqi ato. I hoqi nën kërcënimin e liderëve të demokracive perendimore. Megjithatë BE dhe SHBA në përgjithësi nuk e kritikuan, nuk e bënë përgjegjës për atë që ndodhi. Përkundrazi, më shumë fajësuan kryeministrin e Kosovës, sesa shkaktarin e krizave, Aleksandër Vuçiq.

Tani duket se do të rinisë dialogu. Tre përfaqësuesit perendimorë, ai amerikan, gjerman dhe francez, pritet të shkojnë në Prishtinë dhe në Beograd për të kërkuar zgjidhje të shpejtë e përfundimtare, sipas një projekti të ashtuquajtur franko-gjerman. Unë jam skeptik dhe nuk besoj se presidenti i Serbisë do të pranojë ndonjë zgjidhje të logjikshme dhe racionale, me të cilën të ruhet unitarizmi i shtetit të Kosovës e mbi të gjitha të ruhen kufijtë e saj. Kjo edhe për faktin se deklaratat europiane dhe amerikane janë një kakofoni fjalësh e konceptesh kontradiktore.

  1. A pritej një zgjidhje e shpejtë e heqjes së barrikadave apo u ndie realisht era e një konflikti të armatosur në fund të dhjetorit?

Sigurisht që situata precipitoi në prag-konflikti. Pikërisht këtë dëshironte Vuçiq. Ta merrnin seriozisht! Ndaj dhe e çoi krizën drejt konfliktit të armatosur. Por më së shumti ndërkombëtarët u shqetësuan, sepse Beogradi armatosi serbët e veriut të Kosovës, të cilët i ruanin me armë në dorë barrikadat, të cilat vetë i larguan. Sipas Tim Judah, gjatë vitit 2022 ishin gjithsej 600 serbë të veriut, kryesisht të rinj, të cilët u stërvitën në qendrat e repartet ushtarake të Serbisë.

Pra, gjithçka ishte përgatitur për ta trembur Perëndimin. Dhe kjo u bë me qëllim që në Perëndim ndërmjetësuesit e dialogut me Kosovën të pranojnë kërkesat serbe për ndarjen e saj ose për krijimin e një Srpska Republika të tipit të Bosnjës.

  1. Kujt i intereson tjetër ky konflikt përveç Vuçiç?

I interesuari kryesor është presidenti i Serbisë. Me Kosovën dhe konfliktin e ndezur në veri të saj ai mban gjithashtu pushtetin në Serbi. Pushteti është qëllimi kryesor i udhëheqësve autoritarë si Vuçiq dhe të ngjajshmit e tij.

Megjithatë ka dhe të interesuar të tjerë. Eshtë Moska në radhë të parë. Presidentit Putin i konvenon një konflikt i armatosur midis serbëve dhe shqiptarëve. Përhapja e konfliktit në Ballkan do ta tërhiqte vëmendjen nga lufta në Ukrainë.

Më tej akoma, më duhet të them se ka qarqe të caktuara edhe në Europë dhe SHBA që kanë interes për një situatë të tillë të tensionuar. Nuk mund të them për luftë, por ama tensioni parapëlqehet. Këto qarqe lobojnë për interesat serbe në Kosovë, madje edhe për autonominë e Kosovës në kuadër të shtetit serb.

Para së gjithash për konfliktin në very të Kosovës ka interes prej mafies dhe bandave kriminale ekonomike. Kjo, sepse kjo pjesë e vendit nuk vihet nën kontroll e përmes saj lëvizin interesat mafioze të bandave kriminale. Janë ato që mbështesin politikën në Beograd dhe mbështeten prej kësaj politike.

  1. Ka njerëz që e shohin problemin që nuk merr zgjidhje te dy liderët ose të kokëfortësia e Vuçiç dhe Kurtit. Por ka edhe nga ata që mendojnë që vendosmëria e Kurtit e ka risjell fort për zgjidhje këtë problem.

E thashë në fillim. Kurti trazoi ujërat. Lëvizi nga statukuoja. Ai i qëndron fort rendit kushtetues të Kosovës në veri. Ndërkaq Vuçiq është “kokëfortë” në doktrinën e krijimit të Serbisë së Madhe. Janë dy gjëra e dy nocione krejt të ndryshme. Kurti shpreh një “kokëfortësi” të tijën në mbrojtje të shtetit e territorit të Kosovës. Ndërsa “kokëfortësia” e presidentit të Serbisë zhvillohet sipas filozofisë së krijimit të “botës serbe” në modelin e “botës ruse” të Vladimir Putin. Pra, janë dy subjekte që kanë filozofi, doktrinë dhe ide të ndryshme e të kundërta.

  1. Një Kosovë që BE kërkon ta “ushqejë” me lugën bosh qoftë kjo edhe në planin e liberalizimit të vizave me BE apo edhe për një zgjidhje përfundimtare për njohje nga ana e Beogradit. A nuk shihet si e ngurtë BE në drejtim të Kosovës por jo me Serbinë?

Bashkimi Europian e ka shumë të thjeshtë zgjidhjen, nëse do të dëshironte. Të njohë në mënyrë unanime shtetin e Kosovës, t’i hapë rrugë procesve të integrimit të saj në strukturat euro-atlantike dhe merr fund konflikti i saj me Serbinë. Sepse Beogradi do të tërhiqet menjëherë nga qëndrimet e tij ekstremiste dhe do të kërkojë një rrugë tjetër që të ruajë influencën e tij në Kosovë. Siç ka bërë me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e të tjerët në rajon.

Por BE nuk ka dashur ta bëjë këtë. Disa thonë se nuk ka ndikim BE te shtetet anëtare në politikën e jashtme. Nuk është e vërtetë. Ka ndikim dhe në 15 vite të pavarësisë së Kosovës do të kishte mundur ta realizonte njohjen e pesë vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur. Pse ndodh kjo? Sepse BE është e përçarë. Ka ndonjë vend, i cili e ka njohur shtetësinë e Kosovës për hipokrizi dhe nga ana tjetër punon me vendet mosnjohëse që ta detyrojë atë t’i nënshtrohet serishmi Serbisë.

  1. Dhe ndikimi rus vijon të ketë rolin e tij në këtë krizë dhe në gjithë ballkanin perëndimor edhe pse thuhet që ende nuk e ka shtrirë plotësisht këtë ndikim . A është edhe kjo një sfidë që BE duhet të zgjidhë?

Ndikimi rus ishte zgjeruar shumë deri para një viti, kur Rusia sulmoi Ukrainën. Prej 24 shkurtit të vitit që lamë pas duket se është zvogëluar ky ndikim, por unë ve re se investimet e rublës ruse po ndikojnë që influenca e Moskës në BP të mos dobësohet ende.

Besoj se ky ndikim do të dobësohet edhe më shumë. Ndoshta do të shkojë në minimum. Por problemet nuk mbarojnë këtu.

Ka shumë mundësi që vendin e rivalitetit Perendim-Lindje në Ballkan ta zërë rivaliteti BE-SHBA! Madje te ky ngërç e shoh zvarritjen e zgjidhjes përfundimtare të çeshtjes së Kosovës. Ka shumë dilemma, diskutime, opinione, deklarime, thënie e stërthënie. Do të uroja që Ballkani Perëndimor të mos bëhet sërishmi vijë e ndarjes së interesave të më të mëdhenjve. Sepse duke qenë i tillë deri më sot, prej gati dy shekujve, ai u bë fuqia e barutit për Europën. Le të shpresojmë se së paku Fuqitë Perëndimore do të bëhen bashkë ta përzënë influencën ruse nga rajoni ynë dhe nuk do të grinden midis tyre, se kush do të jetë më shumë i pranishëm këtu.

  1. Çfarë mund të sjellë 2023 për Shqipërinë në aspektin politik por edhe të integrimit ose ëndrës së integrimit?

Shumë shkurt! Do të vazhdojnë trafiqet. Do të ketë krime të tjera mafioze e kriminale. Qeveria do të vazhdojë të vjedhë e grabisë pasuritë e shqiptarëve. Shqiptarët nga ana e tyre do të vazhdojnë të ikin prej vendlindjes, në vend që të rezistojnë e të luftojnë për Shqipërinë. Do të vazhdojë vëllazëria e binjakëve Rama-Vuçiq. Do të kemi përsëri vjedhje të votave me 14 maj, përçarje të skenës politike e kështu me radhë.

Vetëm nëse shqiptarët së paku në zgjedhjet e 14 majit do të vendosin kundër kësaj qeverisjeje që babin dhe nënën e ka zevendësuar me prindin 1 e prindin 2, atëherë duhet të shpresojmë për diçka më pozitive.

  1. A e bën të vështirë ndihmën për Ukrainën fakti që Suedia ende nuk është anëtare e NATO-s?

Suedia tashmë është në NATO. Së paku sa i përket vullnetit të saj dhe të gjitha vendeve anëtare të saj, përveç Turqisë. Ukraina do të ndihmohet, nëse NATO dhe Europa duan që të evitojnë luftën e pashmangshme me Rusinë. Janë të detyruar ta ndihëmojnë Ukrainën vendet e Perendimit, ndryshe u rrezikohet ekzistenca.

Ndihma e NATO-s dhe BE-së për Ukrainën është kontribut për paqen në Europë dhe jo për Ukrainën. Nëse Rusia nuk dështon dhe nuk mundet në Ukrainë, kufijtë e saj do të vijnë sërishmi te Porta e Branderburgut. Prandaj dhe ndihma për Ukrainën nuk ka alternativë!

Faleminderit zoti Bytyçi.

Intervista/Lulzim Veliu: Opozita në Kosovë po e dëmton qëllimin e kryeministrit Kurti i cili ka pak përvojë në negociime me Beogradin

Berlin, 7 janar 2023

1. Një Europë që e nis kryesimin e presidencës me Suedinë në këtë vit të ri 2023. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?

Ishte viti 2007 kur pjesë e BE u bënë Bullgaria dhe Rumania ndoshta hap i ngutshëm. Kaluan 6 vite për tu pranuar Kroacia edhe pse në të gjitha pikëpamjet ishte më e gatshme se dy të parat. Ndërsa nga viti 2013 sikur BE mbylli dyert  tani dhjetë vite pas dhe vetëm invazioni Ruse mbi Ukrainën bëri që BE të kthej kokën nga BP dhe të krijohet përshtypja se nuk bëhet nga dëshira për anëtarsimin e BP në BE por nga rreziku permanent për përhapjen e luftës dhe kjo nuk ndryshon as me presidencën e Suedisë.

2. Në një dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Evropën. E bën lufta që Rusia vijon të zhvillojë edhe më real këtë objektiv?

Prioritet i BE patjetër që është siguria në Europë dhe posaçërisht në BE, pra viti 2022 ishte shembulli më i mirë se edhe në mes të Europës mund të vijë lufta ashtu si është duke ndodhur tash e 10 muaj në Ukrainë. Duke pasur për bazë edhe të kaluarën historike kur Ballkani gjithmonë është llogaritur si vatër baruti pastaj edhe influenca Ruse në Serbi e bën edhe më të rrezikshëm ndaj mendoj se për BE edhe nën presidencën Suedeze BP do të ketë prioritet.

3. Po çfarë mund të pritet për Kosovën gjatë këtij viti? Një krizë që ishte ajo e barrikadave në veri që u zgjidh ose më saktë kështu u krijua ideja vetëm me largimin e barrikadave.

Gjatë vitit 2022 kishim një angazhim të paparë të komunitetit ndërkombëtar për dialogun Kosovë-Serbi mirëpo deri më tani pa sukses  pa ndonjë përafrim, pastaj doli edhe plani Franko-Gjerman për normalizimin e marëdhënieve në mes dy vendeve dhe çdo herë kur diçka nuk iu shkon përshtati politikave të Serbisë duhet të gjendet shkas për destabilizim dhe barrikadat janë arma e vetme e Serbisë  që ka përdorur gjithmonë e vazhdon edhe sot e kësaj dite.Kemi paralajmërime se përfaqësuesit e Francës dhe Gjermanisë për dialogun së bashku me përfaqësuesin e SHBA zotin Eskobar do ta vizitojnë Kosovën qysh në javën e parë të vitit e pastaj edhe Serbinë për realizimin e marrëveshjes për normalizimin e marëdhënieve në mes dy vendeve.

4. Por fakt është që Vuçiç tregoi se mund ti ngrejë barrikadat e mudn ti heqë kur të dojë ai pra nuk ka qënë vendim individual apo i një grupi njerëzish ngritja e barrikadave. Dhe BE nuk foli me gjuhën e saj dhe as të diplomacisë për zgjidhjen?

Për një kohë është proklamuar se barrikadat në Veriun e Kosovës janë shprehje e pakënaqësisë së popullatës Serbe që jeton në ato vise, mirëpo tanimë të gjithë po e shohin se barrikadat ngrihen e largohen gjithmonë nga bandat kriminale që veprojnë nën urdhërat  e financimin e presidentit Serb Vuçiq i cili i shfrytëzon për konsum të brenshëm ndërsa qytetarët serb të Veriut të Kosovës janë viktimë e tyre. Ndërsa sa i përket qëndrimit të diplomacisë Europiane është ajo si gjithmonë që mendon se duke i bërë  favore Serbisë do ta largoj nga orientimi prorus por kësaj radhe patëm edhe ndryshim të qëndrimit nga SHBA dhe e tëra kjo nuk ishte pa fajin tonë. Në një fare mënyre i dha mundësinë Kosovës për 23 ditë ta ushtroj sovranitetin e shumë proklamuar.

5. A pritej një zgjidhje e shpejtë e heqjes së barrikadave apo u ndie realisht era e një konflikti të armatosur në fudn të dhjetorit?

Këtu nuk bëhet fjalë për një konflikt të armatosur, kush do ta bëjë? Nuk ka interes askush për një konflikt të armatosur pastaj për një gjë duhet të jemi të qartë se edhe sikur Serbia do të dëshironte një gjë të tillë ata duhet të përballen e luftojnë me KFOR-in pasi KFOR-i është i ngarkuar për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

6. Kujt i intereson tjetër ky konflikt përveç Vuçiç?

Unë mendoj se më pak se të gjithë të tjerët interes për konflikt ka Vuçiqi, i cili po e shfrytëzon në maksimum presionin e konfliktit për të realizuar qëllimet e tij. Ai është më shumë i interesuar për zhvillimin ekonomik të Serbisë dhe jo rastësisht investimet më të mëdha të Gjermanisë në BP janë pikërisht në Serbi. Interes për përhapjen e konfliktit në BP ka vetëm Putini me qëllim largimin e vëmendjes nga lufta në Ukrainë.

7. Ka njerëz që e shohin problemin që nuk merr zgjidhje te dy liderët  ose të kokëfortësia e Vuçiç dhe Kurtit. Por ka edhe nga ata që mendojnë që vendosmëria e Kurtit e ka risjell fort për zgjidhje këtë problem.

Është normale që presidenti serb Vuçiqi por edhe kryeministri Kurti bëjnë përpjekjet maksimale për të dalë fitues nga procesi negociues, në këtë rast mendoj se Vuçiqi qëndron më mirë pasi ka një përvojë më të gjatë  të negocimit por ka edhe mbështetjen e brendëshme ndërsa Kryeministri Kurti përveç që ka një përvojë me të shkurtër dialogimi i mungon edhe mbështetja e subjekteve opozitare që në shumë raste të japin përshtypjen se janë në krahun tjetër dhe kjo bënë që të kemi edhe gabime. Taktizime me këmbëngulje deri në maksimum mund edhe të ketë por tërheqja duhet të bëhet me koheë në të kundërtën shkakton edhe dëme deri në degradimin e qeverisë por edhe të vendit.

8. Një Kosovë që BE kërkon ta “ushqejë” me lugën bosh  qoftë kjo edhe në planin e liberalizimit të vizave me BE apo edhe për një zgjidhje përfundimtare për njohje nga ana e Beogradit. A nuk shihet si e ngurtë BE në drejtim të Kosovës por jo me Serbinë?

Pa dyshim shihet ngurtësia e BE kundrejt Kosovës. Jo vetëm sot por për një periudhë të gjatë, Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim qysh në vitin 2017 dhe ende nuk gëzon të drejteën e lëvizjes së lirë. Mendoj këtu nje rol negativ kanë pasur vendet qe ende nuk e kanë njohur realitetin e ri pra pese vendet qe nuk kanë njohur Republiken e Kosoves. Shpresoj se gjatë këtij viti do te arrihet marreveshja për normalizimin e marëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të ndryshoj shumë pra do të sjellë edhe njohjen nga pesëshja europiane, ndërsa si çdo herë Serbia është e përkëdhelura e Europës.

9. Dhe ndikimi rus vijon të ketë rolin e tij në këtë krizë dhe në gjithë ballkanin perëndimor edhe pse thuhet që ende nuk e ka shtrirë plotësisht këtë ndikim . A është edhe kjo një sfidë që BE duhet të zgjidhë?

Vetë fakti që Serbia qëndron në pozicionin mes BE-së dhe Rusisë dhe është i vetmi vend europian që nuk ka vendosur sanksione kundrejt Rusisë e bënë që roli i Rusisë përkundër problemeve që ka është i dukshëm edhe në Ballkan. Këtu BE duhet të jetë më e vendosur dhe t‘ja bëjë me dije Serbisë se duhet ta ndajë mendjen me BE apo me Rusinë.

10. Çfarë mund të sjellë 2023 për Shqipërinë në aspektin politik por edhe të integrimit ose ëndrës së integrimit?

Integrimi i Shqipërisë në BE mendoj se shumë shpejt do të bëhet realitet. Aktualisht Shqipëria qëndron më së miri nga të gjitha vendet e BP, duke plotësuar kushtet që kërkohen nga BE gjatë negociatave për anëtarësim. Viti 2023 është vit zgjedhor për Shqipërinë dhe këtu duhet të jemi te kujdessheëm e të bëjmë zgjedhje të mira.

11. A e bën të vështirë ndihmën për Ukrainën fakti që Suedia ende nuk është anëtare e NATO-s?

Suedia është anëtare e BE dhe për 6-mujorin e parë të vitit 2023 do të udhëheqë presidencën e BE dhe çdo vendim që merret është vendim i BE pra nuk kemi të bëjmë me kurfarë problemesh e vështirësish. Këtu dëshiroj të shfrytëzoj rastin dhe ta bëj një krahasim në mes vendeve demokratike dhe atyre që thirren në emër të demokracisë e vetëm demokratike nuk janë. Vendosmëria e Suedisë për mosekstradimin e disa të kërkuarve nga pushteti Turk në këmbim të vetos turke tregon se si mbrohen parimet e demokracisë në këndvështrimin me palën tjetër.

Faleminderit zoti Veliu

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *