Nga Klara Dervishi
Ashtu si pritej, njohje për Kosovën nuk pati. Por çfarë fitoi apo humbi Kosova apo çfarë fitoi Serbia me marrëveshjen e së shtunës së kaluar në 18 Mars në Ohër. A do ketë kjo marrëveshje fatin e marrëveshjes së vitit 2001 midis maqedonasve dhe shqiptarëve? A do jetë ajo një paradhënie për Serbinë që e çon atë drejt integrimit të shpejtë apo do përdoret nga Vuçiç i cili hilen e mosfirmosjes mund ta përdorë si të dojë? Opozita në Kosovë po përpiqet ta kryqëzojë Albin Kurtin duke e vulosur si tradhëtar, ndërsa vetë kryeministri Kosovar përpiqet të thotë që nuk ksihte zgjidhje tjetër madje duke pranuar se as për Asociacionin ai nuk kishte zgjidhej tjetër pasi paraardhës të postit të tij e kishin pranuar atë më parë. Në fakt as Vuçiç nuk është në pozitat e një fitimtari në Serbia. Ndoshta kjo ka qënë arsyeja e fortë që e detyroi atë të mos firmoste. Vuçiç nuk do një fund politik të shpejtë në Serbi. Në rastin e një firme kjo do ishte më e mundur dhe më e shpejtë. Ndërsa kështu ai justifikohet para partisë së tij dhe para serbëve. Ai nuk ka firmosur. Por edhe pse me këtë lojë ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë që do monitorojnë çdo pikë të marrëveshjes. Këtë pret edhe Kurti. Ndërsa kosovarët presin që hapi i radhës të jetë liberalizimi i vizave duke “çliruar” kështu popullin e vetëm në Ballkan që është i izoluar me kufij qesharakë. Edhe pse në kënvështrimin tim kufijtë nuk duhet të ekzistojnë kosovarët si popull për shumë arsye e meritojnë shumë më shumë sesa shqiptarët e Shqipërisë të lëvizin lirshëm. Megjithatë tani të gjithë sy e vesh janë se çfarë do të ndodhë? A do krijohet asociacioni me statusin e një vetëmenaxhimi e jo vetëqeverisje apo do të bëhet kjo një shkëndijë e fortë baruti për ta mbajtur konfliktin ndezur? A do heshtë vërtet Vuçiç kur 3 ndoshtë shtet i BE si pritet ta njohë Kosovën? Unë kam biseduar këtë herë me analistin Lulzim Veliu në Düsseldorf.
- Në Ohër u arrit ajo që pritej, Serbia nuk e njohu Kosovën, pra një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Por a mund te quhet kjo marrëveshje dhe a mund të jetë e detyrueshme duke mos pasur firmat e asnjërit prej palëve?
Samiti i Ohrit është vazhdimësi e asaj që është vendosur në Bruksel me 27 shkurt kur në fakt palët janë dakorduar për planin Franko-Gjerman, derisa aty janë dakorduar për takimin e radhës për ta diskutuar dhe planifikuar realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani. Une mendoj se kjo marrëveshje edhe pse nuk është nënshkruar mund të vonoj por gjithësesi do të realizohet. Këtu kemi më shumë të bëjmë me viktimizimin e Vuçiç i cili po arrin ta shfrytëzoj situatën shumë mirë në favorin e tij dhe Serbisë dhe do të përfitoj shumë nga kjo situatë pra me investime milardëshe nga SHBA dhe BE si dhe lehtësime për integrim në BE, derisa pala Kosovare ishte e gatëshme për të nënshkruar.
2. Po në fakt mungesa e nënshkrimit të marrëveshjes mund të përdoret nga Serbia si argument për mos implementimin e saj pasi të krijohet Asociacioni si e para.
Në kudër të kësaj marrëveshje është një pikë e veçantë e cila parasheh krijimin e një grupi po themi mbikqyrës të realizimit teë marrëveshjes që do të jetë ndërkombëtar pra nga BE, si do që të jetë çdo marrëveshje ka interesat e palëve pjesëmarrëse dhe në këtë rast Serbia do të ketë përfitimet e saj që do ta shtyjnë drejt realizimit.
Gjithë kjo zhurmë nga presidenti serb është për konsum të brendshëm pra për të pregaditur votuesit e tij por edhe të gjithë serbët se përkundër të gjitha kundërshtimeve jemi të obliguar për të pranuar marrëveshjen.
3. Edhe e pafirmosur si mund të jetë detyruese ajo marrëveshje nëse në vend të Vuçiç vjen një kryeministër tjetër?
Marrëveshja tani është e panënshkruar por mendoj se në një të ardhme të afërt do të nënshkruhet dhe ne e dimë mirë se marrëveshjet ndërkombëtare duhet zbatuar na pëlqen apo jo, rasti më i mirë për të parë këtë është edhe marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë edhe pse e gjithë kauza e kryeministrit aktual edhe LVV ishte ndërtuar mbi asociacionin (Zajednicën) detyrohen të pranojnë marrëveshjen. E njëjta do të ndodhë edhe me Serbinë pa marrë parasysh se kush do të jetë president i Serbisë, pra marrëveshjet e arritura nuk janë marrëveshje të presidentëve apo kryeministrave por janë marrëveshje shtetërore dhe obligimet ju kalojnë shteteve që kanë bërë marrëveshje.
4. Dhe vetë Vuçiç ka thënë që nuk është detyruese përsa kohë nuk ka firmë. Pse e pranoi faktori ndërkombëtar këtë „truk“?
Po si e theksova edhe më herët pjesa e mosnënshkrimit është taktizim për të eleminuar etiketimet ballkanase si tradhëtarët nënshkruan etj, dhe kjo marrëveshje me kohën do të nënshkruhet. Ne të gjithë e dimë se që nga fillimi i luftës Ruso-Ukrainase bashkësia ndërkombëtare ka përkëdhelur Serbinë me qëllim që ti mbush mendjen dhe ajo të kordinojë politikat e saj me BE dhe të vërë sanksione kundrejt Rusisë pra që edhe Serbia vendi i vetëm në Ballkan me politika pro Ruse të ndryshoj qëndrim, në shumë raste e mendoj se në këtë aspekt ne mund të jemi viktimë pra Kosova të jetë monedhë e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Serbisë. Pra mendoj se negociuesit e bënë me qëllim për ti dhënë kohë e pastaj ta nënshkruaj.
5. Dhe me të drejtë pyesim kush fitoi nga kjo marrëveshje Kosova apo Serbia?
Pas një periudhe të gjatë status -koje ku nuk kishte asnjë levizje integruese për asnjërën nga dy vendet marrëveshja e arritur është fitore për dy vendet pasi kjo marrëveshje hap rrugën për integrime euroatlantike pastaj edhe përfitime materiale apo edhe investime nga vendet e BE por edhe SHBA. Shpresoj se pas implementimit të marrëveshjes do të kemi edhe njohje të reja për Republikën e Kosovës.
6. Dhe në fakt thuhet se të dyja palët gjejnë ngushëllim te marrëveshja p.sh Kosova në pikën 4 për futjen në OKB dhe Serbia në pikën 7 për asociacionin. A ishte konsistent Kurti kur pranoi Asociacionin që në fakt vetë e kishte kundërshtuar dikur edhe me të drejtë.
Negociata pa kompromis nuk mund të ketë e unë shpresoj të jetë kompromisi i vetëm i kryeministrit Kurti Asociacioni që është marrëveshje e nënshkruar nga qeveritë e më hershme biles edhe e ratifikuar në parlamentin e Kosovës vitin 2013 dhe 2015, dhe si e tillë detyrimisht e obligueshme për zbatim. Mendoj se këtu bashkësia ndërkombëtare po vepron me dy standarte në njërën anë shtet multietnik e në anën tjetër Asociacion monoetnik.
7. Por Vuçiç thotë se pika 4 e cila parashikon që: Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare sipas presidentit Serb nuk do të thotë anëtarësim në OKB. Dhe lind pyetja nëse është vërtet mosbllokim për në OKB pse nuk u shkrua në mënyrë eksplicite kështu pra fjala OKB?
Pika 4 e marrëveshjes parasheh që asnjëra nga vendet nuk ka të drejtë të flasë për vendin përkatës e as të pengoj në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare duke mos veçuar asnjërën pra me fjalë të tjera edhe anëtarësimin në NATO dhe OKB çka edhe është interes i joni. Dy ditë pas samitit të Ohrit presidenti serb Vuçiç pas presioneve të mbrendëshme deklaroi se ne nuk do pranojmë në asnjë mënyrë futjen e Kosovës në OKB, mirëpo ne nuk na duhet ta pranoj Serbia, ne na duhet që Serbia të mos pengoj me fjalë të tjera të mbyllë gojën edhe pse unë mendoj se është e vështirë duke parë zhvillimet gjeostrategjike të momentit por që mund të ndryshojnë me kohën.
8. Po a është ajo zoti Veliu në të vërtetë një njohje De Fakto e Kosovës nga Serbia?
Duke pasur për bazë se kjo marrëveshje u arrit duke u bazuar në kartën e OKB për normalizim dhe mos cënim të sovranitetit dhe integritetit pranimi i targave të Kosovës ku është edhe stema e shtetit të Kosovës dhe të gjitha dokumenteve të tjera që përfaqësojnë shtetin deri te pasaporta nuk është gjë tjetër vetëm se pranim de fakto, mirëpo kjo nuk është ajo që ne dëshirojmë pasi pranimi de juro do të lehtësonte punën shumë për pranim edhe në OKB. Disa nga këto që u thanë më herët qeveria Kurti ka dashur t´i arrij me reciproritet por ja që tani u bënë me një marrëveshje ndërkombëtare me ndërmjetësimin e BE.
9. Asociacioni i komunave serbe në Veri nuk do ketë vetëqeverisje por vetëmenaxhim.
Gjatë gjithë procesit të negociatave janë përdorur terme e emërtime të ndryshme shumë herë edhe të pakuptimta vetëm për të ikur nga situata që për mendimin tim fjala vetëmenaxhim është fytje për inteligjencën e qytetarëve. Asociacioni është marrëveshje e nënshkruar me herët dhe si e tillë duhet të bëhet por shpresoj që statuti i saj të jetë në pajtueshmëri me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Para dy ditësh dëgjova një intervistë të kryeministrit Kurti dhe argumentimi tij për realizimin e Asociacionit duke u bazuar në tri shtylla më pëlqeu edhe diçka që i vë në kurth edhe SHBA dhe BE-në.
10. Kush mund të jetë ai mekanizëm që mund të garantojë zbatimin e marrëveshjes?
Angazhim i vazhdueshëm, takime dialog edhe me tension si për palët ashtu edhe për ndërmjetësuesit nuk është bërë për të dështuar por për të përfituar dhe në këtë rast nuk kemi fitues apsolut por të dy palët pretendojnë se dolën fitues dhe kjo e bënë që kjo marrëveshje të jetë më lehtë e realizueshme. Pastaj pika 10 e marrëveshjes parasheh krijimin e një ekipi mbikqyrës që do të jetë nga përfaqësues ndërkombëtar që do të përcjellin çdo veprim të dy palëve dhe në rast të refuzimit të realizimit të marrëveshjes do të ketë edhe sanksione ndaj vendit që nuk respekton marrëveshjen.
24.03.2023, Düssedorf
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*