Valter Mollaj së bashku me kushëririn Edlir Mollaj dhe çobanin e tyre Bledi Angjo janë të arrestuar si të dyshuar për vrasjen 26-vjeçarit Martin Çeço, ngjarje e ndodhur në fshatin Kolanec të Maliqit në Qershor 2022.
Të tre u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, 18-vjeçares që u konsiderua si “mollë sherri”, pasi në telefon u gjetën biseda të saj me Martin Çeçon.
Por Tina,shprehet se ishte e frikësuar dhe prandaj në dëshmitë e para në polici përmendi emrat e Valter e Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo, dhe sipas këtij varianti, ajo kishte lidhje intime me Valter Mollajn e ky i fundit ishte i interesuar për të vrarë Martinin. Por të gjitha këto deklarime Tina Pajollari i ka rrëzuar.
Sakaq ka folur nga burgi i Peqinit vetë Valter Mollaj, i cili mohon çdo akuzë të ngritur ndaj tij dhe hedh poshtë pretendimet se ka patur lidhje intime me Tina Pajollarin. Ai bën thirrje që të zbardhet e vërteta dhe të lihet i lirë.
Pyetje: Ju jeni personi kryesor i akuzuar për vrasjen e Martin Çeços.
Valter Mollaj: Unë nuk kam asnjë lidhje fare me këtë ngjarje.
Pyetje: Çfarë ju lidh ju me Tina Pajollarin?
Valter Mollaj: Si?
Pyetje: Me Tina Pajollarin çfarë lloj lidhje keni?
Valter Mollaj: Asnjë fare, të ka sqaruar gruaja, po bëj 1 vit pa folur…asgjë, këtu e 1 vit që s’kam patur fare as telefon, asgjë.
Pyetje: Ajo ka përmendur për një lidhje dashurie?
Valter Mollaj: Në botë… Edhe jetën time, dhe fëmijët e gruaja, në botë lidhje dashurie. Jam i sinqertë edhe mbaj shumë përgjegjësi në këtë që ka thënë ajo. Në qoftë se unë i kam thënë vetëm një llaf asaj, as telefon as kështu… fare, fare, fare…
Pyetje: Përse duhet t’ju implikonte Tina Pajollari juve personalisht?
Valter Mollaj: Nuk e di, edhe vetes ia bëj pyetje përse. Unë nuk flisja, po bënte afro 1 vit me të. Se ç’pruri një lopë edhe i thashë unë ik mos hajde më.
Pyetje: Po Bledi Angjo përse duhet të rrëfente kundër jush?
Valter Mollaj: Nuk e di, ai është i pavetëdijshëm. Në ka thënë, po s’e besoj të ketë thënë.
Pyetje: Më datën 12, duam të dimë të vërtetën tuaj, ku keni qenë? A keni udhëtua ju drejt Kolanecit? A e keni marrë ju peng Martin Çeçon? A e keni vrarë ju Martin Çeçon? Këto janë pyetjet kryesore.
Valter Mollaj: Asnjëherë në botë, se dhe unë ia bëj pyetje vetes pse te mua janë drejtuar. Unë s’kam qenë në atë fshat asnjëherë në jetën time. Nuk e di ku është.
Pyetje: Në datën 12 a e keni marrë ju fuoristradën tuaj, Bledi Angjon kushëririn tuaj dhe keni vajtur në Kolanec?
Valter Mollaj: Asnjëherë në botë, asnjëherë në botë. Makina ime ka qenë aty në shtëpi dhe kam qenë në shtëpi. Asnjëherë në botë.
Pyetje: Në Kolanec më parë keni qenë ndonjëherë?
Valter Mollaj: Asnjëherë në jetën time, asnjëherë, asnjëherë, asnjëherë…
Pyetje: Mbani përgjegjësi për këto që thoni?
Valter Mollaj: Mbaj përgjegjësi penale… dhe them kështu, të më varin ku të dua në qoftë se unë kam qenë në jetën time atje dhe unë kam gisht në atë ngjarje, një fije peri në atë ngjarje. Edhe ia bëj pyetje vetes pse mua m’u drejtuan… si bombë më erdhi, nuk… jam i shokuar, i dërrmuar.
Pyetje: Po si ka mundësi z.Valter, edhe Tina Pajollari komshia juaj, edhe bariu që ju e paguanit, kanë përmendur emrin tuaj?
Valter Mollaj: Nuk e di! Këtë nuk e di. Bariu s’ka lidhje, s’ka thënë. Me bindje të plotë s’e di, po që nuk ka thënë gjë. Nuk e di.
Pyetje: Çfarë kërkoni sot?
Valter Mollaj: Unë vetëm drejtësi, asgjë tjetër nga juve. Vetëm drejtësia të vihet në vend. Asgjë tjetër.
Pyetje: Në çdolloj rrethane ju do t’i qëndroni të njëjtit version që nuk keni lidhje me ngjarjen?
Valter Mollaj: Absolutisht. Fare, fare, s’kam asnjë lidhje fare fare.
Pyetje: Me Martin Çeçon keni folur ndonjëherë në telefon?
Valter Mollaj: Asnjëherë, unë nuk e njoh këtë. As e njoh, them se s’më ka njohur. Unë nuk e kam idenë fare, s’e kam idenë.
Pyetje: Në rast se s’keni folur ju, s’ka folur Tina Pajollari, atëherë kush ka folur me Martin Çeçon? Sepse ju e keni parë intervistën e babait të Martinit.
Valter Mollaj: S’e kam parë.
Pyetje: Babai i Martinit thotë që djali ka folur me një vajzë që ne pretendonim që ishte Tina Pajollari dhe pastaj ka dalë një person tjetër që e ka kërcënuar. Në rast se s’keni qenë ju, s’ka qenë kushëriri juaj…
Valter Mollaj: Mbaj përgjegjësi në rast se kam qenë unë. Unë s’kam folur, s’e kam idenë, nuk kam folur fare. Unë dua nga juve vetëm drejtësi, asgjë tjetër./uniko