INVESTIGIM 22/ Audio-regjistrimi: Punonjësit e degës pranojnë të paktën 70 të mashtruar nga ‘Fondi Besa’  

Skandali financiar i nisur prej të paktën 10 vitesh nga “Fondi Besa” me kredi fiktive që kanë kapur në “çark” mijëra klientë në të gjithë vendin, vijon dhe është tepër i sofistikuar.

Në mbi 20 botime, “Priza.al” ka zbardhur këtë skemë mashtrimi e ngjashme me një skemë të mirëfilltë piramidale, ku viktima të sekserëve që punonin për “Fondin Besa” kanë rënë qytetarë të painformuar, apo klientë bankash private të cilëve u janë shitur dhe tjetërsuar të dhënat personale.

Në vijim të zbardhjes së fakteve të këtij super-mashtrimi financiar dhe skeme pastrimi parash, “Priza.al” sjell sot një tjetër material tepër skandaloz që konfirmon edhe një herë se sa e thellë është skema mashtruese.

Këtë herë, pas kontaktimit me një tjetër viktimë të skemës mashtruese të “Fondit Besa”, “Priza.al” ka siguruar në mënyrë ekskluzive një tjetër audio-regjistrim të realizuar nga vetë klientët e Fondit në zyrat e këtij të fundit.

Ky audio-regjistrim hedh qartë dritë mbi mënyrën se si punohej në zyrat dhe degët e “Fondit Besa” me hapjen e llogarive bankare, bërjen e kontratave për kredi, bashkëpunimin me noteret Majlinda Demollari dhe Edlira Malaj, si dhe rrjetin e famshëm të sekserëve, të cilit kishin gjithë lirinë e veprimit si në zyrat e Fondit ashtu dhe në bankat private.

Ngjarja

Ky audio-regjistrim ekskluziv për “Priza.al” i sjellë sot pas bashkëpunimit të ngritur me viktimat e “Fondit Besa”, hedh dritë mbi një bisedë të zhvilluar rreth një vit më parë pikërisht në një prej degëve të Fondit në Tiranë.

Ngjarjet zhvillohen në zyrën e degës së “Fondit Besa” në rrugën “Komuna e Parisit”, në lagjen “Tiranë e Re”, në kryeqytet. Aty tre djem të rinj janë paraqitur tek punonjësit e kësaj dege dhe kanë kërkuar informacion mbi kontratat që Fondi ka çelur në emër të tyre për dhënie kredie, pa qenë në asnjë moment ata prezent dhe pa firmosur dhe vulosur asnjë dokument me dorën e tyre.

Të rinjtë, pasi kanë marrë vesh rastësisht në dyqane të ndryshme pajisjes elektronike në Tiranë që shesin edhe me kredi, se kanë kredira të bartura të marra vitet e fundit në “Fondin Besa”, kanë nisur të informohen për këtë “surprizë të hidhur”.

Por falë mendjemprehtësisë së tyre dhe aftësisë për të dokumentuar me fakte dhe regjistrime të gjitha kontaktet me “Fondin Besa”, kemi arritur të kuptojmë lojën që është zhvilluar nga ky institucion mikro-kredie.

Në regjistrim dalin qartë faktet që punonjësit e “Fondit Besa” janë në dijeni të lojës së bërë për vite me radhë. Po ashtu ata pranojnë se njohin dhe kanë informacion si për sekserët si L.Vrapi, apo edhe për noteret e lidhura me ta Majlinda Demollari dhe Edlira Malaj.

Punonjësit edhe pse mundohen të tregohen rigoroz dhe arrogant me tre të rinjtë, nuk mund të mohojnë dhe të fshehin përgjegjësinë dhe faktin që edhe institucioni i tyre, pra “Fondacioni Besa” është i përfshirë kokë e këmbë në këtë lojë.

Në audio-regjistrim kuptohet edhe fare qartë anomalia dhe mungesa e bashkëveprimit të degëve dhe zyrave qendrore të “Fondit Besa”, ku nga një zyrë në tjetrën vetë viktimat e interesuara për të zbardhur skemën, mësojnë më shumë se ç’mund të ketë mësuar Prokuroria dhe Gjykata në gjithë këto vite për Fondin.

Po ashtu vetë shefja e kësaj zyre, Lindita Ndroqi, pranon me gojën e saj ekzistencën e sekserit L. Vrapi, si dhe ngatërresën apo lojën që u është bërë dhjetra viktimave me kreditë fiktive, duke i thënë njërit prej djemve se “ai është i shtatëdhjeti që po vjen në këtë zyrë”.

Biseda e zbardhur, Audio-regjistrim I/ – Tre të rinj shkojnë në një nga degët e “Fondit Besa” të informohen mbi kredinë “surprizë” që u ka dalë befas:

Djali: – …eee… tani, është marrë një kredi këtu në emrin tim, pa dijeninë time.

Punonjësi 1: Po…

Djali: Doja pak kontratën, apo ku di unë ça është lidhur…

Punonjësi 1: Kush jeni ju, Zotëri?

Djali: ….(thotë emrin E.Sh.)

Punonjësi 1: Kush e ka, dini gjë me këtë emër?

Djali: Isha sot te zyra qendrore në Laprakë, e më thanë se është lidhur kontrata këtu…

Punonjësi 1: Kontrata s’lidhet këtu ke ne xhanëm, po bahet ke noteri…. Këtu ke unë s’je i herë. Unë, s’të kam unë…

Djali: Po kush e ka këtu…?

Punonjësi 1: Ka këtu me E. SH….?

Punonjësja Linda Ndroqi: Ti e di ku e ke marrë kredinë…?

Djali: Më thanë nga zyra qendrore që është marrë në këtë degë këtu…, në ‘Komunë të Parisit’.

Linda Ndroqi: Është me emrin tënd?

Djali: Po!

Linda Ndroqi: Po ti nuk e ke marrë vetë?

Djali: Jo!

Linda Ndroqi: Si s’e ke marrë vetë?!

Djali: Se di fare…?! Sot në mëngjes e zbulova që është marrë kredia.

Punonjësi 1: Po kush e ka marrë?

Djali: Është marrë në emrin tim!

Linda Ndroqi: Po si…? Nuk mund ta marrësh dot në emrin tënd, kur s’je personi.

Djali: Po pra këtë dua të zbuloj edhe unë!

Linda Ndroqi: Po numrin e llogarisë kush e ka hapur?

Djali: Nuk e di kush e ka hapur numrin e llogarisë!

Linda Ndroqi: Jo jo… numrin e llogarisë bankat nuk e hapin dot fantazëm!

Djali: Po unë kam numër llogarie vetë, se kam punuar.

Linda Ndroqi: E pra e di, e di që ke…

Djali: Po kredinë kush e ka marrë?!

Linda Ndroqi: Edhe lekët nuk i tërheq dot fantazëm ti…! Se i tërheq në sportel.

Djali: S’po kërkoj lekët! Po kërkoj numrin e kredisë kush e ka hapur…

Linda Ndroqi: Nuk e di! Këtu s’e ke! Nuk më rezulton!

Djali: Nuk rezultonkam?! Po ku mund të pyes unë? Se unë te zyra qendrore pyeta, që rezulton emri këtu. Isha me kartën e identitetit…

Punonjësi 1: …tek unë jo i herë.

Djali: Se erdhi edhe dikush tjetër këtu në mëngjes, që e drejtuat te drejtori i bankës te 21-shi.

Punonjësi 2: Dikush tjetër?

Djali: Po, dikush tjetër…

Punonjësi 1: …eee ka ardh Pllumi, mu më pyeti…

Punonjësi 2: Nga je ti? Nga je…

Djali: Po ç’lidhje ka nga jam unë?!

Punonjësi 2: Po të pyes kështu… shoqërore. Se je çun ore. Po flasim tamam! Kështu që…

Djali: Ok! Unë jam nga Jugu!

Punonjësi 2: Se ke hapur numrin e llogaris dot atje në Jug…?

Djali: Jo. Numrin e llogaris e kam hapur kam dy vjet unë, që kur kam filluar punë. Kredinë s’e di kush e ka marrë…?!

Punonjësi 2: Se është ideja që në BKT, në qoftë se është kështu…. BKT-ja të hedh në gjyq me sa di unë, o burr. Nuk ka shanse që t’më tërheqësh mu lekët pa shfaqur personin.

Djali: Po t’bëj muhabetin kush ka hapur kredinë o vlla! Tani ju po thoni s’ka emër këtu! Ata po thonë që është emri këtu…

Punonjësi 1: Sh…?

Djali: Po! Tani, ku diku kontrollohet në sistem… Apo ku di unë?

Punonjësi 1: Ne secili kemi klientët e vetë, me një fjalë…

Djali: Në rregull!

Punonjësi 1: Kemi akses vetëm te klientët tanë. Te asnjë njeri tjetër.

Djali: Tani i bie që ka gënjyer zyra në Laprakë.

Punonjësi 1: Avash e ti… s’ja them dot njeriu tërë atë gënjeshtër.

Djali: Po kush e di…?

Punonjësi 1: Unë nuk kam…

Djali 2: E hamë neve pastaj….?! Pa gjë të keqe fare.

Punonjësi 1: Nuk e di kush do ta hajë… Unë di këtë pjesën time. Për pjesën tjetër se kam idenë fare dhe as më intereson fare…

Djali: Tani si i bëhet…? Zyra thotë që është këtu. Ju thoni s’është këtu. Si i bie tani?!

Punonjësi 1: A e ka ndonjëri prej jush?

Punonjësi 2: Jo se ka këtu. Se keni? Nuk e ke këtu o çun.

Vijon…/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *