INVESTIGIM 23/ Audio-regjistrimi: Punonjësit e ‘Fondit Besa’ sqarojnë skemën mashtruese ‘Fond-Notere-BKT’    

Të tjera fakte tronditëse që zbulojnë mega-mashtrimin financiar të “Fondit Besa” vijnë sot në pjesën e dytë të audio-regjistrimit që “Priza.al” sjell ekskluzivisht sot.

Gjatë bisedës të zhvilluar në njërën prej zyrave të degëve të “Fondit Besa” në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, ku tre të rinj shkuan për t’u informuar rreth rrengut që u ishte bërë nga sekserët e Fondit, ata zbardhën detaje mjaftë të bujshme nga skema e mashtrimit.

Të rinjtë bënë që në debat e sipër me punonjësit e “Fondiot Besa”, nga këta të fundit të mësonin se si mes Fondit, noteres Majlinda Demollari dhe BKT-së, të kishte një lidhje të cilën ne e kemi treguar edhe në investigimet e mëparshme.

Vet punonjësit e Fondit, fillimisht me arrogancë dhe përbuzje, mundohen të mohojnë se të rinjtë i kishin dokumentet e dosjeve të kredisë në zyrat e tyre (kur ata ishin dërguar në këtë degë nga drejtoria qendrore në Laprakë), por më pas pohojnë me gojën e tyre ishin në dijeni të këtyre klientëve.

Po ashtu, nga vet Shefja e zyrës në “Komunën e Parisit”, Lindita Ndroqi, pranohet në bisedë e sipër ekzistenca e sekserit L.Vrapi. Njëri prej sekserëve të shumtë të rrjetit të mashtrimit të ngritur nga vetë “Fondi Besa” në bashkëpunim edhe me banka të nivelit të dytë.

Janë ndër kohë punonjësit e këtij Fondi ata që pranojnë se hapja e llogarive në BKT bëhet posaçërisht për “Fondin Besa” për të marrë një kredi. Por si për ironi kreditë nga fondi kanë dalë vetëm me paraqitjen e një karte identiteti të marrë rastësisht.

Në bisedë e sipër duket qartë edhe toni i presionit që punonjësit e Fondit, mundohen të ushtrojnë ndaj të rinjve, për të maskuar skemën që tashmë ka plasur, por edhe për t’i “përcjellë” ata pa u dhënë në dorë dokumente apo informacione mbi kontratën e kredisë që siç pranojnë ata vetë, është hapur në emër të tyre pa qenë ata prezent.

Por në gjithë këtë bisedë, si “qershia mbi tortë” është fakti që nga oficeri i kredisë në këtë zyrë, pranohet edhe fakti që dokumentet për kontratën e kredisë përpilohen dhe mbahen nga noterja Majlinda Demollari.

Kjo e fundit është edhe një prej personazheve e cila nga shumë klientë-viktima të “Fondit Besa” është akuzuar si e përfshirë në skemën që bashkë me sekserë dhe punonjës të Fondit, ka përshtatur dhe falsifikuar me qindra dosje kontratash dhe garancie kolaterali.

Biseda II/ Zbardhja e bisedës në “Fondin Besa” dega “Komuna e Parisit”

3 të rinj shkojnë për t’u informuar rreth kredisë që u ka dalë befas…

Punonjësi 1: Nuk e di! Këtu nuk e ke hapur. Me këtë emër nuk na rezulton…

Djali: Mos të lodhem kot…?! Ok në rregull. Ju kishit gjë për të thënë o bisha…? (u drejtohet dy shokëve)

Shokët: Po edhe ne të njëjtën gjë…

Punonjësi 1: Po ju?

Shokët: Të njëjtën gjë edhe neve…

Punonjësi 1: Edhe ti?

Shoku: …edhe unë…

Djali: Po këta të dy kush i ka? Mir mua s’më keni këtu….

Punonjësi 1: Po ti si e ke emrin? (i thotë shokut)

Shoku: Po mua kush më ka…?(thotë emrin)

Punonjësi 1: Se di…??

Punonjësi 2: O po si ka mundësi?! Të tre një herësh… jeni shokë? …apo jeni kshu juuu…

Linda Peçi: Më falni t’ju pyes… t’ju bëj një pyetje, L. Vrapi e njihni…?

Djali: L. Vrapin?

Lindita: Po.

Djali: Jo!

Lindita: Asnjëri nga ju?

Djali: Asnjë… Unë jo për vete… nuk e di k’ta çunat.

Lindita: Gjeni L. Vrapin edhe hajdeni këtu në zyrën tonë… se ai ju a ka hapur. Ciao.

Djali: L. Vrapi? Po ti der tani po thoje që s’di gjë fare…?!

Linda: Të them unë… po pra se K. M., po këtu në këtë zyrë është. Emrin tënd nuk e kemi zbuluar akoma.

Djali: Po kërkoja numrin e kontratës?

Linda: Po kur të gjeni L. Vrapin, hajdeni këtu…

Djali: Po ta gjejmë ne L. Vrapin që ka hapur kontratën…?! Po ju si hapni kontratën pa qenë ne prezent?!

Linda: Urdhëro!

Djali: Si hapni kontratë pa qenë ne prezent?!

Linda: Kontratën s’e hapim ne. Kontratën e ka marrë personi kur ka noterizuar kontratën eee noterit. Kur të merrni L. Vrapin hajdeni këtu.

Djali: Po informacionet e kontratës mund t’i shikojmë?

Linda: Duhet ti gjejini vetë ju! Se kartën e identitetit nuk na e sjell njeri ne. Gjeni vetë… L. Vrapin, që është zhdukur dhe na e sillni në zyrë.

Shoku i djalit: Po tani ta hamë ne? Të futemi në burg ne??

Djali: Po mirë oo në rregull…

Linda: Jo jo… gjeni L. Vrapin pastaj…

Punonjësi 1: Informacionet e kontratës i ka marrë klienti kur hapet… më dëgjo një sekondë… nuk e ha asnjë njeri që thua që është këtu. Që të hapesh një numër llogarie duhet të jetë personi vetë. E para.

Djali: Po. Këtë po përpiqem edhe unë… Unë se dija fare që ishte “Fondi Besa” që merrej.

Linda: Ti (emrin e djalit) mos ke marrë lekët nëëë… në bankë vetë?

Djali: Jo.

Linda: Si jo?!

Punonjësi 2: Po e kanë kamerat…

Djali: Po. Po kontratën kush e ka hapur…?

Linda: Si jo me…? Të nxjerr unë ty numrin e llogarisë që e ke marrë.

Djali: Po kontratën kush e ka hapur??

Shoku: Numër llogarie kanë të tëra bankat…

Linda: Nuk më intereson fare… Gjeni L. Vrapin dhe numrin e llogarisë ku e ke hapur, sepse të hedh unë në gjyq ty! Dhe këtu vet e kap… Shikoni fotot… Këtu bythë s’ka…

Djali: Po me gjyqe ne… dinim ta bënim edhe me gjyqe.

Punonjësi 2: Prit se po flasim kështu…

Djali: Punonjësit 2: Po ajo po përmend gjyqet tani o burr…

Linda: Po pooo… e shof…

Punonjësi 2: Ideja është se BKT-ja kur tërheq lekët e ka me kamera tani.

Djali: Unë po them tani prit… nga ana ligjore…

Punonjësi 2: E sqaruam tani… pra si është situata?

Djali: Situata është kështu o vlla… unë sot, mbrëmë në darkë e mora vesh që më kishin hapur… se do merrja një telefon me kredi, ta paguaja me këste.

Punonjësi 2: Po se është e njëjta skemë… kanë rënë dy-tre veta.

Djali: Më kupton… Ajo më tha tani, merr deri në 200 mijë lekë kredi sepse nuk ke pikë, se ke kredi tjetër. U interesua ai zotëria, ishte i sjellshëm… Jo faleminderit.

Punonjësi 2: Ti e di ça duhet të dish…? Ku ke tërheq lekë o burr. Se ti ke tërheq lekët besoj… se po flasim si shokë o (emri)…. mos të ikim.

Djali: Tani po ta them o burr… Po ta them… Si hapet kontrata pa dijeninë time, pa qenë unë prezent?! Këtë po të them. Unë këtë dua të zbuloj.

Punonjësi 2: Kontrata është noterizuar te noterja. Këtu nuk vihet…

Djali: Te noterja isha unë sot… Te noterja isha unë sot. Më tha mua gjej ku e ke… gjej këto informacionet e kontratës. Ta gjej unë kontratën.

Punonjësi 2: Të kush notere ishe?

Djali: Tek ajo që e kishte bërë. Se vajta te 21-i te drejtori.

Punonjësi 1: Kush ishte ajo…? Te kush notere ke qenë ti?

Djali: Ja harrova emrin… te Majlinda.

Punonjësja 2: Po tërheqjen e lekëve kush e ka bërë në sportel?

Djali: Nuk e di unë kush e ka bërë tërheqjen e lekëve… unë dua të gjej kush e ka bërë kontratën?

Punonjësja 2: Ore kush e ka bërë tërheqjen e lekëve?! O zotëri!

Djali: Dua të gjej kush e ka bërë kontratën!

Punonjësja 2: Ore zotëri, lekët kush i ka tërhequr?!

Djali: Nuk e di po të them… nuk e di!

Punonjësja 2: Nuk e di?!

Djali: Po.

Punonjësja 2: Shko te BKT-ja edhe interesohu kush ka tërhequr këto lekë…?

Djali: Tani unë po interesohem kush e ka hapur kontratën. A është hapur këtu kontrata?

Punonjësja 2: Jo jo, kush ka tërhequr lekët një herë, pastaj shkojmë te kontrata.

Djali: Po mirë ato i gjej unë. Tani më gjej këtë ti mua…

Punonjësja 2: Ta gjej unë. Gjeje kush i ka tërhequr lekët, pastaj…

Djali: Aaaa…. do me thënë ti e di dhe s’ma thua…?

Punonjësja 2: Ore unë po të them kush ka tërhequr lekët…!!! …në llogari.

Djali: Mirë në rregull… ashtu do e bëjmë.

Punonjësi 2: Ore ideja është o ti… se duhet fol tamam o burr… si është muhabeti. Nuk është ideja që unë e kam hap, dhe s’i kam tërhequr lekët.

Shoku: …si është muhabeti vlla, na e kanë futur dhe e hëngrëm ne tani…

Punonjësi 2: …po si ua kanë futur njeri o burr…?

Linda: …aaaaa ta e paskan futur eee…

Punonjësi 1: Si ua paskan fut…? Të treve për një herë ua paskan futur ju?!

Djali: Po na e kanë futur…!

Punonjësi 1: Ku, shoqatë jeni ju, a si o puna…?

Djali: Shoqatë jemi!

Punonjësi 1: Ça shoqate jeni mo vlla? Ma jep licencën ta morrim vesh.

Djali: Shoqata eeee… Po më jep kontratën se ta bie unë licencën.

Punonjësi 1: Ç’kontratë të të jap un ty me jahu…?! Unë të jap kontratë ty?! Ku e keni morr kontratën.? Ku e keni bo kontratën i her?! Ore… shkoni në bankë …

Djali: …kontrata? Ja ta them unë…

Punonjësi 1: …dëgjo të lutem. Para se të bohet kontrata ka ca hapa të tjerë përpara.

Djali: Hë…

Punonjësi 1: Hapet një numër llogarie.

Djali: Po!

Punonjësi 1: Numri i llogarisë po s’qe personi vet s’hapet kurrë. Nuk ka birr none n’botë…

Djali: Po të them unë, kam numër llogarie se kam punuar… po të them. Kam tre numra llogarie.

Punonjësi 1: Numri i llogaris do të hapet posaçërisht për këtu…

Djali: Je i sigurt që duhet të hapet posaçërisht për këtu..?

Punonjësi 1: Mor me milionë për qind!

Djali: Mirë në rregull!

Punonjësi 1: Hik atje. Hik e gjeje dhe hajde këtu prap…

Djali: Tani unë po të them…

Punonjësi 1: O çun tani… mos bëj filma…

Djali: Jo jo po të them gjë tjetër unë… se ti po thua gjë tjetër. Unë po them gjë tjetër. Unë po them vajta tek zyra qendrore në Laprakë. A është zyra qendrore në Laprakë?

Punonjësi 1: Po po!

Djali: Më tha emri juaj figuron që ke hapur kontratë nëëë “Komunë të Parisit”. Tani unë erdha për të marrë informacione për kontratë. Kaq po kërkoj…

Punonjësi 1: Emri jot s’del këtu. Këtu ke ne s’del emri jot… e mure vesht!!

Djali: Po emri i atij që del?! Jepi numrin e kontratës atij…

Punonjësi 1: Unë të jap numër kontrate…?!

Djali: Jo ti. T’ja japin po them. S’po të them ty. S’po të flas ty personalisht.

Punonjësi 1: Mu, numri i kontratës…

Djali: Po kopje të kontratës, nuk më jep dot tani?

Punonjësi 1: Ke noterja mor… Ke noteren pse lodhesh kot. Pse lodheni kot.

Djali: Me noteren e zgjidha. Do më gjej numrin e kontratës, noterja.

Punonjësi 1: Shkoni ke noterja jam filoni… Jam filoni, kam firmos këtu ke ty. S’kam firmos këtu te ty… më nxirr kontratën! Se ka kopje noteri.

Djali: Edhe këtë… Ma thuaj edhe një herë emrin e atij të lutem…

Linda: L. Vrapi. …ej, po e gjetët atë ne na bëni nder, edhe neve… se këtë punë ka bërë. Jeni të shtatëdhjetët që keni ardhur…

Vijon…/ Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *