INVESTIGIM 29/ Si mohon prokurori Ylli Bashaj hetimin e policisë për mashtrim, për të mbrojtur Bajram Muçën e ‘Fondit Besa’  

Në Shqipëri nuk është thënë më kot ajo shprehja se “paraja e hedh ujin në hava”. Kështu ndodh edhe me institucionet e drejtësisë si Prokuroria dhe Gjykatat, që të ndodhura përballë presionit të parasë, mbyllin jo më një por të dy sytë dhe veshët përpara krimeve apo veprave që mund të cenojnë edhe deri sigurinë kombëtare.

Këtu nuk e kemi fjalën për akte terroriste, por për institucione si puna e atij të mikrofinancave “Fondacioni Besa” që falë parave ka blerë jo vetëm gjykatat e prokurorët, por arrin që të bëjë të hesht i gjithë shteti.

“Fondi Besa” me lehtësinë më të madhe bën veprimtari të pastrimit të parave, kryen mashtrime në përmasa të mëdha, si dhe manipulon të dhënat personale të klientëve, edhe kur ato janë pjesë e agjencive shtetërore, apo mbrohen me ligje të caktuara.

Në investigimet e fundit “Priza.al” ka sjellë dëshminë e një çifti juristësh nga Tirana, që të mashtruar nga “Fondi Besa” pas aplikimit për një kredi, prej punonjësve të tij dhe noterëve të lidhur me Fondin arritën që të humbasin edhe një pronë që kishin lënë si kolateral, por pa mundur dot që të shlyejnë kredinë dhe të mbyllin hallin me institucionin që i ka ngatërruar pa fund.

Por sot “Priza.al” do të sjellë fakte të reja, se si paratë dhe influenca e “Fondit Besa” dhe e “mbretit të financave” arrijnë deri aty sa të tjetërsojnë edhe provat në gjykatë dhe të mbyllin edhe gojët e prokurorëve, edhe kur ata kanë përpara fakte të pakundërshtueshme.

No description available.

 

Prokuroria hedh poshtë provat e hetimit policor

Sot po ju sjellim me shembuj konkret dhe dokumente rastin flagrant se si prokurori Ylli Bashaj ka bërë që të pushohet një çështje e kallëzuar nga një juriste, Fatjona Male, mbi bazën e një hetimi të dokumentuar policor mbi një vjedhje të dhënash personale.

Vjedhja e të dhënave personale është bërë nga oficerja e kredisë së “Fondit Besa”, Flutura Çuka, e cila ka përvetësuar informacionet konfidenciale të klientes së saj dhe ka aplikuar pranë portalit e-Albania për të nxjerrë prej aty të tjera dokumente personale të klientes, pa e vënë atë në dijeni, me qëllimin e vetëm për të kopsitur dosjen e kredisë dhe kolateralit, në favor të Fondit.

(Oficerja e kredisë së ‘Fondit Besa’, Flutura Çuka)

Por kur klientja Fatjona Male e ka paditur dhe kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës, pas një verifikimi të thelluar hetimor 6-mujor nga ana e Policisë së Shtetit dhe sektorit të Krimit Kibernetik, prokurori i ngarkuar për këtë çështje delikate, Ylli Bashaj, jo vetëm ka pushuar çështjen në favor të Flutura Çukës dhe “Fondit Besa”, pa marrë parasysh provat e policisë dhe AKSHI-t, por edhe ka akuzuar viktimat si fajtorë.

Prokurori Bashaj e hodhi poshtë hetimin me metoda speciale të Drejtorisë së Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës, pikërisht atëherë kur në diskutim ishte gjithë aktiviteti i “Fondit Besa” dhe metodat që rëndom përdoren nga këta të fundit për të gjithë klientët.

No description available.

(Dokument i hetimit të sektorit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, për Flutura Çukën)

Nga ana e saj, oficerja e kredisë Çuka, e cila e mbante veten edhe për “007”-ën e “Fondit Besa”, pasi është konstatuar nga Policia e Shtetit se kishte kryer vjedhje të të dhënave personale dhe hapje profilesh të rreme, i ka pranuar me gojën e saj përpara inspektorëve të policisë të gjitha veprimet e saj, por me justifikimin “se donte të ndihmonte klienten e saj Fatjona Male”.

Ndërkohë kjo e fundit nuk ishte në asnjë moment në dijeni të faktit se në emër të saj po operohej me marrje të dhënash personale, dhe këtë gjë e ka mësuar vetëm vitin e kaluar, kur i është dashur që të hapë një profil në portalin “e-Albania”.

 

Profili personal, “pronë” e “Fondit Besa”

Vetëm pak kohë më parë, në një prej dëshmive të njërit prej shumë viktimave të “Fondit Besa” i cili po tregonte për “Priza.al” ekskluzivisht historinë e tij, ndër faktet e shumta, ne shkruam se, si klienti kishte mësuar se sekserët e Fondit dhe punonjësit e tij, futeshin në “e-Albania” dhe merrnin prej andej dokumente në profile të hapur në emër të klientëve.

Por këtë gjë na e ka përforcuar madje me dokumente edhe prova hetimi policor edhe juristja Fatjona Male, e cila u gjend në një peripeci të tillë pas marrjes së një kredie në “Fondin Besa”.

No description available.

(Juristja Fatjona Male)

Por vet “Fondi Besa” e kishte kthye në praktikë pune këtë metodë (marrjen e të dhënave personale), për të gjithë klientët potencialë, me anë të “agjentëve 007” si puna e Flutura Çukës në këtë rast.

Por kur juristja Male gjatë periudhës së karantinës, në 25 maj 2020, aplikoi për hapjen e një profili në “e-Albania”, u gjend përball surprizës se profili ishte i gatshëm dhe i hapur më parë, por me dallimin që vet e zonja e punës nuk kishte akses të hynte në të.

Menjëherë Fatjona Male nisi të informohej për këtë gjë dhe falë këmbëngulje së saj, mësoi fillimisht prej AKSHI-t që administron “e-Albania-n” se profili i saj ishte hapur nga dikush tjetër.

Në verifikimet që AKSHI bëri në praninë fizike të vet Fatjona Males, me dokumentet personale të saj, konfirmoi bashkë me shkeljen se adresa në emër të Fatjonës ishte hapur jo në vitin 2020 kur asaj i duhej, por q në vitin 2018 nga një person tjetër.

AKSHI, gjithashtu konfirmoi përpara Policisë së Shtetit se, adresa në emër të Fatjona Males, që ishte hapur që në vitin 2018, i përkiste numrit të celularit “0676470494” me numër “IMEI 351558093083915/01”, që si pronare kishte në fakt oficeren e “Fondit Besa”, Flutura Çuka.

Po ashtu, AKSHI konfirmoi edhe adresën e emeil-it që Çuka kishte hapur këtë profil, në emër të Fatjona Males, që ishte pikërisht adresa [email protected].

No description available.

Këto bashkë me të gjitha të dhënat e AKSHI-i i konfirmoi edhe Policia e Shtetit në hetimin që bëri nëpërmjet sektorit të Krimit Kibernetik dhe kur thirri si dëshmitare edhe vetë Flutura Çukën, e cila e pranoi faktin e vjedhjes së të dhënave personale klientes së saj.

Por të gjitha këto nuk kanë “bindur” prokurorin e çështjes Ylli Bashaj, i cili ka gjetur mosmjaftueshmëri të provave, madje edhe fajtorin, që në fakt ishte vet viktima, Fatjona Male.

Edhe pse vet prokurori Bashaj, pranon se numri i celularit dhe emaili prej nga ku dërgoheshin kodet për aplikim në “e-Albania” ishin të Flutura Çukës, ai nuk e gjen fajtore këtë të fundit, por duke ditur se në mes ishte edhe “Fondi Besa”, bën në fakt fajtor klienten që ishte viktimë e kësaj skeme mashtrimi dhe përvetësimi të dhënash personale.

Prokurori Bashaj për të treguar zellin e tij ndaj “Fondit Besa” ka bërë përpjekjen maksimale jo për të ndihmuar hetimin dhe viktimën që kishte bërë kallëzimin, por vet shkelësin e ligjit Flutura Çukën.

No description available.

Prokurori Bashaj në vend të “mos fillimit të procedimit”, bëri menjëherë “pushim të çështjes” për këtë rast flagrant, duke u bërë palë hapur me fajtorin dhe duke thelluar fajin e duke akuzuar “për kallëzim të rrem” pikërisht viktimën.

Por sipas një eksperti ligjor, “këtë verim prokurori Bashaj e ka bërë jo vetëm për të mbrojtur ‘Fondin Besa’ dhe punonjësen e tij, por edhe për t’i bllokuar rrugën paditëse Fatjona Male që të mos kishte mundësinë pas kundërakuzës që të vijonte me kallëzime të krimeve të tjera të ‘Fondit Besa’ që sapo kishin dalë në dritë”.

Megjithatë, plot 3 ditë pasi prokurori Bashaj u kishte njoftuar kundërakuzën viktimës Fatjona Male dhe bashkëjetuesit të saj Edmond Kasmi, edhe pasi ishte në dijeni të një raporti të ILDKPKI-së, çifti i juristëve bëri një tjetër kallëzim për kredinë dhe pronën e grabitur nga “Fondi Besa”.

Vijon…./Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *