Gazetare: Dea Dervishi
Pandemia vendosi bluzat e bardha përballë një beteje të fortë, ku u detyruan të punojnë me orë të zgjatura për të asistuar fluksin e pacientëve të infektuar me virusin e rrezikshëm.
Mjekë që u përballën me sfidat prej Covid 19, na konfirmuan të zhgënjyer se nuk janë shpërblyer me bonusin e premtuar prej 1000 eurosh. Ata një zëri shprehen se janë paguar për çdo pacient që ka rezultuar pozitiv me tampon. Pra nëse pacienti dilte pozitiv me koronavirus, mjekët e urgjencave paguheshin dhe për çdo persona pozitiv ata përfitonin 2700 mijë lekë
Këtu kanë lindur 3 probleme:
Së pari; pagesa nuk shkonte kurrë 1000 euro.
Së dyti; kishte pacient që ishin të infektuar por tamponi dilte negativ, virusi kishte zbritur në mushkri.
Së treti; Në këto evidenca sipas mjekëve u vendosën emrat e personelit mjekësor që nuk kishin lidhje me pacintët por që përfituan të ardhura, (duke lënë vend për abuzim).
Në vitin 11 mars 2020 kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u zotua se mjekët dhe infermierët do të paguheshin me bonus 1 mijë euro mbi rrogën për punën e vështirë.
“Qeveria ka mbështetur drejtpërdrejt 1900 mjekë dhe infermierë dhe 268 epidemiologë me bonusin 1 mijë euro plus mbi rrogën. Kemi thirrur për mjekë, infermierë dhe epidemiologë që kanë lënë gjurmë në sistemin tonë shëndetësor të na bashkohen dhe për ta do të vëmë bonusin 1 mijë euro mbi pensioni njësoj si me stafin mjekësor në vijën e parë të luftës, bonus 1 mijë euro mbi rrogën që do të jetë aktiv në fund të muajt mars”- tha Rama.
Thuajse një muaj pas VKM, një urdhër i Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, me numër 224, datë 01.04.2020, përcakton dhënien e shpërblimit sipas ditëve të angazhimit, duke mos e përmendur bonusin e përcaktuar prej 1000 eurosh që premtoi kryeministri.
Priza.al u interesua për të marr më shumë informacion në lidhje me këtë udhëzim që tashmë ishte shtrembëruar nga radhët e bluzave të bardha.
G. K. mjek në urgjencën e Durrësit ka trajtuar rastet me Covid që janë referuar në atë spital, ai dëshmoj se nuk ka marrë kurrë bonusin 1000 euro.
“Pacientët vijnë me fraktura me apendesit, me infeksione ose temperaturë dhe fillimisht secili prej tyre mund të ishte potencialisht i infektuar me Covid. Në këto kushte ishim shumë të ekspozuar ndaj virusit dhe s’e dimë kush tjetër më shumë se mjekët e urgjencës duhet ta meritonin këtë bonus! Mos të harrojmë që në atë kohë kishim shpesh herë dhe mungesë të veshjeve mbrojtëse dhe përkatëse kundër këtij infeksioni”,
Më tej ai shton:
“Situata komplikohej në momentin që skaneri dilte pozitiv kundrejt virusit të rrezikshëm Covid-19 dhe tamponi rezultonte negativ. Më absurdja ishte se kryeinfermierja ishte personi që do të maste punën e mjekut duke marrë përgjigjet e tamponëve të personave dhe vendoste sasinë e të ardhurave që do të paguheshin. Integriteti i doktorëve është shkelur!”
Mjekja e urgjencës G. ZH. në një tjetër rreth të vendit sqaron se u paguan vetëm disa muaj pastaj ju komunikua se s’ka fonde do të rishikohej skema në forma të tjera, “Ne ishim të rrezikuar porta e parë që pacienti drejtohej ishte urgjenca e spitaleve Rajonale” u shpreh e indinjuar mjekja.
“Bonusi që u tha se do merrnim 1000 euro nuk u pa kurrë nga ana jonë. E vetmja pagesë është bërë për çdo rast që dilte pozitiv me covid-19 nëpërmjet një tamponi. Pa asnjë udhëzim u ndërpre edhe kjo formë pagese. Hera e fundit që u shpërblyem ishte fundi i muajit maj 2021. Patjetër, bëmë një kërkesë në drejtori dhe në formë jo zyrtare na deklaruan se nuk ka fonde”- u shpreh G.ZH.
Doktoresha G. Zh. ngriti dhe një shqetësim tjetër teksa thotë se ka pasur ndarje të padrejtë të këtij shpërblimi.
“Abuzim i madh, kanë lënë hapësira ligjore për të manovruar, por përsëri nga ana e administratës është abuzuar shumë, aq shumë sa tashmë na thonë se nuk ka më fonde. Duke nisur nga kryeinfermeria e spitalit apo shefja e burimeve njerëzore që s’kanë prekur kurrë një pacient me covid me duar, ndërkohë që janë paguar para qershorit me 22 ditë covid për 1 pacient, ndërsa ne, mjekët e urgjencave, për një 1 pacient jemi paguar vetëm 3 ditë. Është e padrejtë që të kemi këtë lloj trajtimi. Në muajin shtator kishim 160 kartela covid pozitiv dhe kemi punuar 24 orë.”- ankohet mjekja.
Sindikata e Mjekëve: Adresuam problematikën e bonusit
Anëtari i sindikatës së Mjekëve Kol Nikollaj pohon se bluzat e bardha nuk janë paguar ashtu siç u premtua dhe pagesa është kryer në bazë të ditëve të angazhimit të tyre dhe jo 1000 euro.
“Ka një keqinterpretim të vendimit të qeverisë dhe urdhrave në zbatim te tij pasi praktikisht pagesa e mjekëve kryhet bazuar në ditët e angazhimit të tyre direkt me pacientë të infektuar me Covid. Me kalimin e kohës situata epidemiologjike në vend ka qenë me një risk më të ulët nisur nga numri i rasteve të konfirmuara dhe fataliteteve , si dhe nga fitimi i imunitetit të turmës. Rrjedhimisht edhe fondet janë kufizuar. Kjo ka ardhur në përpjesëtim të drejtë me uljen e rasteve të të infektuarve apo uljen e fataliteteve”, thotë K.Nikolla
Ai shton më tej shton se ka pasur dhe raste që nuk kanë marrë asnjë qindarkë. “Mund të ketë pasur raste sporadike apo të veçuara ku mjekët apo infermieret janë anashkaluar nga shpërblimi, Për arsye burokratike të strukturave shtetërore . Por Sindikata është treguar e vëmendshme dhe ka adresuar çdo ankesë duke i futur ato në rrugën e zgjidhjes. Mjafton të përmend raste në Durrës, Kavajë , Tiranë, Vlorë etj. ku me ndërhyrjen e drejtueseve sindikalë dhe me mbështetje edhe direkt nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë është kapërcyer situata. Duhet të sjellim në vëmendje se nuk mund të flasim për një diskriminim të mjekëve në kushtet ku rroga pësoi një rritje 40% dhe në buxhetin e ri ka një rritje tjetër. Rritje kjo e ndjeshme krahasuar me punëmarrësit e tjerë të sistemit publik”, sqaron sindikalisti.
Faktikisht sipas burimeve jozyrtare të Priza.al vetëm spitalet Covid-1 pra struktura e Infektivit, Covid-2 Sanatorium, Covid-3 dhe Covid-4 në autostradën Tiranë Durrës që ndodheshin në Kryeqytet arritën të përfitonin nga premtimi i kryeministrit.
Ministria e Shëndetësisë asnjë përgjigje për bonusin e mjekëve
Pas dëshmisë së mjekëve iu drejtuam përmes një kërkese zyrtare në rrugë elektronike, Ministrisë s Shëndetësisë. Deri në publikimin e këtij artikulli, edhe pse janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore në bazë të Ligjit për të Drejtën e Informimit, nuk morëm përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.
Në motorin e kërkimit në faqen zyrtare të Ministrisë shendetesia.gov.al nuk ka asnjë të dhënë që ky urdhër është devijuar apo që janë paguar.
Mjeku G.K., që kemi sipër përmendur më lartë pas ofendimit siç e quan ai vetë dhe talljes nga ana e qeverisë me bonusin e mjekëve ka dhënë dorëheqjen.
Fatkeqësisht një pjesë e mjekëve largohen drejt Gjermanisë për shkak të pakënaqësisë, një pjesë tjetër jep dorëheqjen sepse ndihen të fyer nga trajtimi që i bëri shteti.
Sipas sindikatës së bluzave të bardha, mjekët nuk u paguan siç iu premtua. Mund ta kategorizojmë këtë premtim të qeverisë të pa mbajtur në vijueshmërinë e situatës epidemike në vend./Priza.al
* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*