Investigim II/ Emir Shefiti i basteve online do ndërtojë palestrën e Niko Peleshit për 270 milionë lekë

Ministria e Mbrojtjes me në krye Niko Peleshin pasi nxori fituesin e tenderit 270 milion lekë vijon të mbaj pezull punimet në Zall – Herr të palestrës ushtarake.
Pikëpyetjet e ngritura nga Priza.al ende nuk kanë marr asnjë përgjigje për këtë tender. Ministria e Mbrojtjes nuk e ka parë të arsyeshme të qartësoj opinionin publik dhe të bëjë transparencë se ku do të shkojnë këto para.
Për këtë arsye do të thellohemi edhe më tej për të zbuluar se cila është kompania fituese dhe kush realisht po përfiton në këtë mes.
Sipas kërkimeve të kryera rezulton se kompania që ka marr përsipër palestrën në Repartin ushtarak Zall- Herr është “EUROVIA” SHPK.

 

TË DHËNAT QË JANË REGJISTRUAR NË QKB PËR KOMPANIN EUROVIA SHPK
TË DHËNAT NË QKB PËR KOMPANIN EUROVIA SHPK

Shoqëri me rrënjë jashtë kufinjve të vendit konkretisht në Maqedoninë e Veriut dhe si administrator ka Emir Shefitin, një emër jo pak i lakuar.

KOMPANIA EUROVIA SHPK AUTORIZON EMIR SHEFITIN
KOMPANIA EUROVIA SHPK AUTORIZON EMIR SHEFITIN

Që në kohën kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes ishte Olta Xhaçka, Shefiti vjel para nga arka e shtetit.
Risjellim në vëmendje se administratori i EUROVITA SHPK ka marr 1.5 milion euro për tenderin e ushqimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, për rezervat e shtetit, në kuadër të situatës së krijuar për shkak të COVID-19.Në vitin 2020 PD ka depozituar një kallëzim në SPAK, duke nisur një hetim, jo pak por për 6 vepra penale:

“Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.
Tenderi i ushqimeve ju dha një kompanie kompjuterësh maqedonase dhe pa eksperiencë, me një shumë prej 1.5 milionë euro. Teksa për tenderin nuk pati asnjë garë, ndonëse shumë kompani shqiptare ishin të interesuara.
Duket Emir Shefiti është mësuar me tendera të majmë dhe në vitin 2022 ka zgjeruar gamën e ofrimit të shërbimeve nga ushqimet e stalla e lopëve deri tek pijet energjike dhe palestrat.

Tashmë tentakulat i ka shtrirë në disa institucione por më i privilegjuar është në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në datë 26.11.2021 Shefiti ka marr pjesë në një tjetër garë për tender, pranë Autoriteti Portual Durrës Divizioni Juridik, por këtu është skualifikuar nga gara.
Arsyet e heqjes së të drejtës për të fituar për tenderin e Rehabilitimit të zonës së ish-peshkimit”, lidhen me faktin se Shefiti nuk ka paraqitur asnjë vërtetim nga gjykata për të faktuar që ky person nuk ka qenë i dënuar më parë. Konkretisht nuk janë paraqitur dëshmi penaliteti dhe vërtetim nga drejtoria e burgjeve apo institucion tjetër.

AUTORITETI PORTUAL DURRËS DIVIZIONI JURIDIK SKUALIFIKON “EUROVIA” SHPK
AUTORITETI PORTUAL DURRËS DIVIZIONI JURIDIK SKUALIFIKON “EUROVIA” SHPK

1. Referuar deklaratës në pikën II.A. të shtojcës 8: “Operatori ekonomik nuk është dënuar për ndonjë nga veprat penale të parashikuara në nenin 76/1 të LPP-së ose ka qenë i dënuar dhe ka kaluar një periudhë 5-vjeçare nga data e ekzekutimit të dënimit, nëse nuk është përcaktuar një periudhë tjetër nga gjykata, sipas parashikimeve të nenit 76 të LPPsë”, – Nuk është paraqitur asnjë vërtetim nga gjykata apo institucion tjetër që provon vërtetësinë e këtij deklarimi. Vërtetimet duhet te ishin lëshuar për të dyja subjektet si për subjektin mëmë dhe degën e saj në Shqipëri.

Kjo mungesë e dokumentacionit ngre dyshimet se si ka mundësi që një individ fiton tendera të njëpasnjëshme në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa në institucionet e tjera skualifikohet!?
Gjithashtu administratori i firmës “EUROVIA SHPK” është përjashtuar edhe për numrin e punonjësve. Sipas raportit edhe pse ka një gamë të gjerë shërbimesh, kjo kompani nuk ka minimumin e punonjësve të përcaktuar me ligj, që është 15 persona staf.

2. Operatori ekonomik duhet të paraqes një dëshmi nga administrata tatimore për punësimin mesatar jo më pak se 15 punonjës për periudhën Maj 2021 – Korrik 2021, ku përfshihen edhe stafi menaxherial i drejtuesve teknik. Kjo të dëshmohet me Vërtetim nga Drejtoria e Tatimeve për numrin e punonjësve të siguruar për periudhën e sipërpërmendur e të shoqërohet me list-pagesat e plotësuara rregullisht sipas formularit të përcaktuar E-SIG 025/a dhe formularet e deklarimit te pagesave për sigurimet shoqërore, shëndetësore. 

Kush është Emir Shefiti?

I lindur dhe rritur në Tetovë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Emir Shefiti – pronar i një zinxhiri bastesh dhe kazinosh në Maqedoninë e Veriut.

EMIR SHEFITI ADMINISTRATOR I EUROVITA SHPK
EMIR SHEFITI ADMINISTRATOR I EUROVITA SHPK

Gjate vitit 2017 ka qënë i dyshuar për likudim të një personi të tij të afërt, i cili ka pasur vdekje misterioze.
Përveç këtij biznesi, ai kontrollon zinxhir “bastesh online” në Shqipëri, prej muajit shkurt 2019 (në periudhën kur ka hapur edhe kompaninë Eurovia).
Emir Shefiti është në moshë relativisht të re 36-37 vjeç, por ka një pasuri marramendëse.

Përsëri i bëjmë thirrje Ministrisë së Mbrojtjes për të bërë transparencë në lidhje me tenderin e palestrës 270 milion.
A ka kryer Ministria e Mbrojtjes kërkimet dhe vëzhgimet përkatëse mbi administratorin e kompanisë Emir Shefiti?/Priza.al

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *