Skandali financiar dhe mashtrimi që u është bërë qindra personave në të gjithë Shqipërinë nga sekserët e “Fondit Besa”, është vetëm një pjesë e gjithë lojës.
Në investigimiet e ditëve të fundit “Priza.al” ka grumbulluar një mori faktesh dhe dëshmish nga viktima të shumta, në një kohë që organet shtetërore nuk kanë bërë përpjekjen më të vogël për të verifikuar faktet.
Dëshmia më e fundit është ajo e një grupi djemsh nga disa fshatra të Mallakastrës, të cilët në një proces “zinxhir” kanë rënë pre e rrjetit mashtrues të sekserëve të “Fondit Besa”.
Të rinjtë jo vetëm që janë mashtruar me lojën e përfitimit të 50 mijë lekëve në shkëmbim të hapjes së një llogarie bankare, duke u bartur më tej me kredi në “Fondin Besa”, por rrezikojnë edhe konflikte dhe përplasje me individë pronat e cilave kanë kaluar në mënyrë të çuditshme si dorëzani apo kolateral për kreditë.
Në lidhje me këtë fakt, “Priza.al” mësoi sot se, shumë prej tyre tashmë gjenden të pambrojtur dhe në konflikt të hapur si me punonjësit e “Fondit Besa” dhe përmbaruesit privatë nga njëra anë, ashtu dhe me persona privatë, pronat e të cilave janë përdorur nga sekserët.
E gjithë kjo ka lidhje edhe me “BKT”-në ku pjesa më e madhe e llogarive bankare janë hapur aty dhe që andej kanë kaluar të dhëna personale në zyrat e “Fondit Besa”.
Si procedohej me hapjen e llogarive bankare
Ashtu si në shumë raste, llogaritë bankare të të rinjve ose personave që pranonin paktin me sekserët, hapeshin në sportelet e degëve të BKT-së.
Por siç kemi mësuar, në shumë raste në degët e kësaj banke nuk ishte aspak e nevojshme që personi në emër të të cilit çelej llogaria, të ishte i pranishëm.
Nga sa kemi mësuar prej të rinjve nga Fieri dhe Mallakastra, ata pasi kishin venë kontakt me zonjën Iridina Rica, kjo e fundit u kërkonte thjesht foto të dokumenteve të identitetit ose të firmave të tyre.
Djemtë kanë pohuar se: “Iridina pasi u mblidhte atyre të dhënat personale për hapjen e llogarive, prej nga ku do tu hidhte edhe shpërblimet prej 50 mijë lekësh, i hapte ato në degët e BKT-së, kryesisht në Tiranë”.
Disa prej djemve pohuan edhe faktin se, “shumë llogari bankare ishin hapur në degët e BKT-së edhe pas orës 17:00 pasdite ose edhe pas orës 19:00 kur normalisht sportelet e bankave janë të mbyllura. Madje në disa raste kur kartat e identitetit ishin jashtë afatit, atyre u ndryshohej edhe data ose të dhënat duke u paraqitur si të vlefshme”.
Po ashtu sekserët si Iridina Rica apo L. Vrapi, arrinin që të nxirrnin edhe certifikata familjare të viktimave të mashtrimit nga portali “e-albania” dhe më pas ndryshonin kodet e llogarive në portal.
Si u nisën djemtë të denonconin ngjarjen
Pasi kulmoi gjatë viteve 2018-2019 aktiviteti i mashtruesve të “Fondit Besa” në zonat rurale të Fierit dhe Mallakastrës, në fillim të vitit 2020 shumë prej të rinjve nisën të mësonin “gropën” se ku kishin rënë.
Disa prej tyre e verifikuan këtë kur nisën të kishin punët e para me pagesa në banka, apo kur shkonin për të blerë pajisje elektronike në dyqanet që shisnin me lizing apo me kredi.
Pasi janë njohur me këto fakte, një pjesë e tyre kur kanë ardhur me shkolla ose me punë në Tiranë, të gjendur edhe përballë presionit të punonjësve të “Fondit Besa”, ata i janë drejtuar komisariateve më të afërta të policisë.
Një grup prej 7 të rinjsh nga Mallakastra në janar të vitit 2020 u paraqitën pranë komisariatit nr. 2 në Tiranë, ku pasi i sqaruan oficerit të rojës arsyen u pritën nga një tjetër oficer dhe pas një ore në pritje, iu tha se denoncimin e tyre duhet ta paraqisnin pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë.
Të rinjtë morën rrugën edhe për aty, nga ku vetëm një arriti të takoj një oficer OPGJ për ti dhënë gjoja në emër të të gjithëve dëshminë për mashtrim dhe presion nga ana e “Fondit Besa”.
Por të rinjtë edhe aty u përcollën vetëm me këshillimin që ta zgjidhnin çështjen në rrugë private dhe me “qetësi”.
Por disa prej tyre jo vetëm që nuk e lanë këtë çështje, por shkuan në Fier ku pranë Drejtorisë së Krimit Ekonomik dhe Financiar të komisariatit Fier, paraqitën një denoncim zyrtar për ngjarjen pranë oficeres Adelajda Metaj.
Por në një kohë që gjatë këtyre kohëve ata nuk janë kontaktuar më nga policia dhe organe të tjera shtetërore, ata shpesh ndeshen, kontaktohen apo edhe vihen në presion nga punonjësit e “Fondit Besa” apo përmbaruesit të cilët u japin oferta nga më të ndryshmet për të bërë shlyerjen e detyrimeve të kredive që kanë marrë pa dëshirë dhe padijeni.
Siç mësuam prej të rinjve ka edhe shumë viktima të kësaj skeme që të gjendur përball presionit kanë pranuar të paguajnë këstet e kredive, por përsëri nuk janë të sigurt nëse kjo çështje u është mbyllur ose jo.
Vijon…. /Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016