Investigim VIDEO+AUDIO/ Skandali në Spitalin e Traumës. ‘Spitali Amerikan’ zhvat edhe 100-lekëshat e parkimit

Nëse ju bie udha apo halli ju çon (largqoftë) në Spitalin e Traumës në Tiranë, përveç problemeve bazike aty, një hall vërtet i madh është edhe se nuk ke ku të lësh automjetin.

Një drejtuesi automjeti që për çdo rast urgjence duhet të çojë një të aksidentuar apo të marrë një pacient nga Spitali i Traumës (ish-Spitali Ushtarak), duhet që ndër të tjera të bëjë llogari se nuk ka ku të vendos automjetin as për tre sekonda.

Në derën e urgjencës së Traumës ose duhet ta “hidhni” pacientin apo të aksidentuarin që shoqëroni para portës, ose dikush duhet t’ju ndihmojë pa tjetër, deri sa t’i gjeni një vend parkimi automjetit tuaj.

Kjo për dy arsye themelore. E para, të gjitha vendet e parashikuara për parkim automjeti rreth e qark sheshit të spitalit, janë të lidhura me zinxhirë dhe të bllokuara me blloqe betoni, ose për personelin, ose për klientë “VIP”.

E dyta, asnjë hapësirë nuk është e lirë sepse parkimet e Spitalit të Traumës i janë dhënë “me koncesion” askujt tjetër veç se “Spitalit Amerikan 1”.

Ky i fundit prej vitesh tashmë ka “përlarë” një pjesë të ambienteve të ish-Spitalit Ushtarak në Tiranë, por bashkë me ambientet e këtij spitali ku ka ngritur pavionet e tij, ka marrë si “dhuratë” edhe të gjitha parkimet rreth e rrotull Spitalit të Traumës.

Jo vetëm kaq, por të gjitha hapësirat e lira në këtë spital, përveç disa vendeve ku qëndrojnë autoambulancat, janë përshtatur që çdo gjë të shkojë vetëm në parkimet e “Spitalit Amerikan 1”.

“Pushtimi” i parkimeve

Pas ankesave të shumë qytetarëve, që në jo pak raste kanë pasur halle me të afërm të tyre, “Priza.al” sot kreu një vëzhgim në këtë spital për ta vërtetuar në vend këtë problem.

Grupi i gazetarëve të “Priza.al” shkoi dhe verifikoi vet nga afër këtë problem, ku konstatuam dhe zbuluam me video dhe audio, atë që prej kohësh na kishin paraqitur si ankesë qytetarët.

Video….

Sapo futesh në Spitalin e Traumës dhe drejtohesh për nga hyrja e urgjencës së traumës, aty ka mbetur vetëm një rrugicë e ngushtë, ku bashkë me autoambulancat në raste urgjence, atu bëhen “kapul” edhe automjetet e qytetarëve që sjellin të aksidentuar, apo marrin pacientë.

Përveç kësaj, rrugët janë bllokuar qëllimisht me hekura, zinxhirë dhe bankina betoni, që nëse ke një automjet, atë duhet ta futësh vetëm në brendësi të parkimit që tashmë është marrë nga “Spitali Amerikan 1”.

Ky i fundit, përveç parkimeve në krahun jugor të spitalit, tashmë ka bllokuar dhe parkimin e madh në krahun lindor, prapa Spitalit të Traumës, një parkim mjaft i madh i hapur që mban mbi 200 automjete.

Çdo automjet, në bazë të kohë qëndrimit, paguan atu nga 100 lekë deri në shuma që variojnë sipas kohë qëndrimit me kalimin e orëve.

Pangopësia e “Spitalit Amerikan”

“Spitali Amerikan” në Tiranë është bërë tashmë prej vitesh një markë dhe një biznes që ka vendosur hegjemoninë e tij në sektorin e spitaleve private.

Bashkëpunimi i suksesshëm i tij edhe me qeveritë e ndryshme, ka bërë që ky spital të marrë nga shteti, jo vetëm ambiente dhe ndërtesa me qira apo koncesion nga spitalet publike, por edhe shërbime të shumta shëndetësore të cilat qëllimisht shteti i ka shmangur për të favorizuar privatët.

Por në një kohë që është spitali që ka krijuar monopol në sektorin e shëndetësisë private, “Spitali Amerikan” përveç çmimeve të kripura në të gjitha shërbimet për pacientët, nuk ngopet.

Drejtuesit e këtij spitali, kërkojnë akoma më shumë, madje edhe 100-lekëshat e parkimit të automjeteve të qytetarëve që në dyert e spitaleve nuk shkojnë për qejf.

Këtë e tregon edhe investimi që “Spitali Amerikan 1” ka bërë në parkimin tashmë të pushtuar pas Spitalit të Traumës, ku përveç rrethimit me hekura, ka vendosur edhe ndriçim, kamera vëzhgimi dhe postbllok dhe kabinë rojesh ku priten biletat.

Grupi i dërguar nga “Priza.al” e konfirmoi këtë gjë edhe me anë të një regjistrimi audio, me punonjësin e “Spitalit Amerikan 1” që priste biletat për çdo automjet që futej (i detyruar) në parkim.

Biseda me rojën e parkimit të “Spitalit Amerikan” brenda Spitalit të Traumës (ish-spitalit Ushtarak).

Gazetari: Institucioni. Spitali ushtarak.

Roja e parkimit: Kush?

Gazetari: Spitali Ushtarak!

Roja: Ne s’kemi lidhje me Ushtarakun zotëri. Ky është i Amerikanit… ku ishit Ju?

Gazetari: Po ne, na thanë aty që futuni këndej nga mbrapa o vëlla…

Roja: Ça bëtë aty nga mbrapa ju?

Gazetari: Thanë lini makinën aty…

Roja: Ikni mos më bini më qafë, se nuk kemi lidhje me Ushtarakun unë. Ikni mos t’ju pres biletë se punëtorë jeni ju… E shof unë.

Gazetari: O shoku, po a është… A është i spitalit ushtarak si parkim?

Roja: Nuk është i Ushtarakut o zotëri. Është privat. E ke aty… Amerikani. Është Spitali Amerikan. Ushtaraku e ka andej nga para.

Gazetari i flet shoferit: …ok jepi lekët o vëlla, s’ka gjë. Sa bën o vëlla…?

Shoferi: Sa bën vëllai… sa bënë?

Roja: Po 1000 mijë lekë është…

Gazetari: Jepi, jepi lekët… S’ka gjë mos e vrit mendjen.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *