INVESTIGIM VIII/ Skandali i ‘Fondit Besa’. Dëshmia ekskluzive e viktimës zbulon të tjerë sekser… edhe të ‘rrezikshëm’

Në Shqipëri në 30 vite tranzicion nuk kanë qenë vetëm skemat piramidale të viteve 1996-’97 që mashtruan me qindra mijëra shqiptarë dhe u morën kursimet e tyre.

Që nga viti 1991 e deri më sot 2021, me plot gojë mund të flasim për mbi 10 skema të mëdha piramidale ose mashtrimi jo vetëm financiar, por që si synim që të gjitha kanë pasur vetëm një objektiv… varfërimin dhe mashtrimin e shqiptarëve.

Por për analizimin e këtyre skemave do të flasim në një material tjetër.

Sot “Priza.al” është fokusuar në faktet më të fundit që ka siguruar redaksia jonë në lidhje me skemën e mashtrimit të “Fondit Besa”, duke ngatërruar me kredi dhe bërë me detyrim si klientë disa mijëra individë në të gjithë Shqipërinë.

Duke ju referuar materialeve të tre ditëve të fundit kur ne prezantuam denoncimin e radhës dhe disa audio-regjistrime të bëra nga një i ri që jeton në Tiranë, i quajtur Nikolin Tregaj, sot “Priza.al” ka zbardhur të tjera fakte.

Këto zhytin për herë më shumë “Fondin Besa” në një skemë të gjerë dhe të kamufluar mashtrimi financiar dhe pastrimi paraje që është bërë në bashkëpunim me të paktën një mori filialesh të disa prej bankave kryesore tregtare në vend.

Shumë të rinj por dhe persona në vështirësi ekonomike, rezulton të jenë joshur dhe më pas mashtruar nga loja me “qerasjen” 50 mijë lekëshe, nga rrjeti i sekserëve të “Fondit”, që ishte shtrirë si kapilar në të gjitha qytetet e vogla, zona rurale, por dhe provincat e vendit.

Mashtrimi me kreditë, ja si Fondi Besa u licencua në mënyrë të dyshimtë dhe skandali me kalimin e kapitaleve - Politike

Si ishte ngritur skema e mashtrimit në vend

“Priza.al” mësoi sot fakte të reja tronditëse, se si një rrjet i mirëorganizuar sekserësh të “Fondit Besa”, të lidhur me individë apo edhe struktura të disa bankave private në vend, mashtronin dhe u vidhnin të dhënat personale shtetasve shqiptar.

Pas kësaj, me anë të të dhënave personale si foto të kartave të identitetit apo pasaportave, ose me anë të certifikatave familjare që nxirreshin lehtësisht nga “e-albania”, por edhe me të tjera dokumente të siguruara nga sportelet e bankave, individë të ndryshëm rezultonin si klientë kredimarrës në “Fondin Besa”.

Ky i fundit dhe drejtuesit e tij të lidhur në sistem me rrjetin e sekserëve të jashtëm, plotësonin dosje të tëra kredidhënieje dhe nxirrnin prej buxhetit të “Fondit” sasi parash që kapnin vlerën e miliona eurove.

Nga ky aktivitet që e ka arritur kulmin në vitet 2017-2019, janë nxjerrë formalisht prej “Fondit Besa” qindra miliona lekë, ose vlera të përafërta me 20-30 milionë euro në formën e mikrokredive.

Por këto para duke qenë se klientët ishin fiktivë, rifuteshin por kësaj here jo më në arkën e “Fondit Besa”, por në llogaritë e personave të rrjetit mashtrues që fillonte me një pjesë të drejtuesve më të lartë të “Fondit” e vijonte deri tek sekserët, noterët, apo bashkëpunëtorët e bankave private.

Skema mashtruese niste në qytete të vogla, apo komuna, në Jug dhe Veri të vendit, ku sekserët e mirëpaguar kishin “peshkuar” një target-grup kryesisht të rinjsh të papunë dhe të pashkolluar, njerëzish të varfër, apo njerëzish me halle dhe probleme serioze financiare.

Këta josheshin njëri pas tjetrit si në një skemë të mirëfilltë piramidale, me vlerën e “shpërblimit” që sipas tipit të personit varionte nga 15-50 mijë lekë (të reja).

Kjo gjithmonë nëse personi posedonte ose pranonte të jepte dokumentet dhe të dhënat personale dhe hapte me ose pa dijeninë e tij një llogari page ose bankare të thjeshtë.

Më pas çdo gjë sistemohej nga sekserët dhe rrjeti i tyre i mirëorganizuar.

Dëshmitë e viktimave si ranë pre e skemës

Në shumë qytete të vegjël të Shqipërisë, por edhe në fshatra rrjeti i sekserëve të “Fondit Besa” kishte arritur që të peshkonte dhjetëra dhe deri qindra të rinj të pa punë por edhe pa arsim të lartë.

Të rinjtë, siç ishte edhe rasti i fundit i Nikelon Tregajt, duke u joshur nga paratë që mund t’u vinin “qyl”, në hutimin e momentit jepnin fotot e kartave të identitetit dhe të dhëna të tjera personale sipas rastit.

Mjaftonte kjo dhe “loja” sapo kishte nisur…

Vet Nikolin Tregaj, nga një fshat i Mallakastrës, por me banim në Tiranë, ishte një prej shumë shokëve të tij që ishin bërë pre e kësaj skeme.

“Priza.al” mësoi prej tij se në zona të ndryshme të vendit vepronin sekserë të ndryshëm. Ai dhe një grup i madh shokësh të tij kryesisht nga Mallakastra dhe Fieri, kishin rënë në kontakt me sekseren Iridina Rica (foto).

No description available.

 

Nga sa kemi mësuar vajza në fjalë me origjinë nga Laçi por me banim në Tiranë, që sot është e punësuar nga “Fondi Besa”, gjatë viteve 2017-2019 kishte arritur që të gjente dhe siguronte një mori klientësh për “Fondin”.

Ajo bashkë me disa të afërm të saj kishte mundur që të bindte dhe të miqësohej me shumë djem të rinj nga Mallakastra dhe Fieri, duke i joshur ata përmes fitimeve dhe duke i shtyrë që ti besonin të dhënat personale për hapje të llogarive bankare.

U desh kaq që miliona lekë kredi dhe mikrokredi të dilnin në formën e aplikimeve nga “Fondi Besa”, sikur ishin marrë nga të rinj të ndryshëm pasi ata “kishin aplikuar” por pa dijeninë e tyre.

Nga sa kemi mësuar shumë prej të rinjve vetëm pas një viti e kanë marrë vesh që janë përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe të koklavitur që mund ti vërë ata edhe përball përgjegjësive penale.

Kjo gjë ndodhi edhe me Nikolin Tregajn, i cili e mësoi që ishte “klient” i pavullnetshëm dhe debitor në “Fondin Besa” me një kredi që shkonte në afërsisht 800 mijë lekë (të reja).

Si e mësoi i riu që ishte “klient” i “Fondit Besa”  

Kur i riu Nikolin Tregaj vendosi të vinte në Tiranë në fillim të vitit 2020 për të vazhduar studimet e larta, ai vendosi që të blinte një telefon të ri androind pranë një dyqani që shiste edhe me kredi.

Për të bërë këtë lloj aplikimi nevojitej një kartë identiteti dhe një aplikim përmes dyqanit te kompania e mikrokredisë “IuteCredit”. Por kur në sistem u hodhën të dhënat personale të Nikolinit, befas doli se ai nuk mund ta merrte mikrofinancimin për të blerë telefonin, pasi rezultonte debitor me një kredi që shkonte në rreth 800 mijë lekë pranë “Fondit Besa”.

I riu i shtangur nga ajo që mësoi, nisi të merrte kontakte me degën më të afërt të “Fondit”, ku pas kontaktimit me drejtuesin e degës, për pak i riu sa nuk ra sërish viktimë e një deklarate që duhej plotësuar aty, sikur ai vërtetë kishte marrë kredi dhe ishte në dijeni.

I riu që nuk pranoi ta plotësonte këtë dokument shkon më tej për t’u interesuar në një tjetër degë dhe gjatë kësaj përpjekje mësoi edhe se dokumentet me firmat e tij gjendeshin në zyrat e noteres Majlinda Demollari në ish-Bllok.

Nga ai moment i riu kujtoi lojën e një viti më parë me llogarinë bankare të hapur nga Iridina Rica, dhe për këtë kontaktoi edhe shokët e tjerë dhe së bashku nisën të interesohen gjithsecili për t’u informuar mbi atë që u kishte ndodhur.

Disa prej tyre morën edhe kontakt me Iridinën, por u kërcënuan nga ajo dhe të afërm të saj, që të mos flisnin. Pas kësaj, të rinjtë vendosën që ta ndiqnin këtë çështje që i kishte ngarkuar jo vetëm me kredi por edhe me dorëzani të ndryshme dhe të rrezikshme, duke bërë madje edhe denoncime.

Në hetim e sipër të rinjtë zbuluan se jo vetëm kishin rënë pre e një skeme të ndërlikuar mashtrimi dhe ishin bërë debitorë në miliona lekë, por edhe se zanafilla e kësaj loje niste që me hapjen e llogarive bankare në BKT prej nga ku kishin dalë edhe të dhënat e tyre personale, apo edhe shpesh ishin hapur prej sekserëve llogari në emër të tyre por pa qenë ata vet prezent dhe pa dijeni.

Vijon… /Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *