Skema e mashtrimit me kreditë dhe me pastrimin e parave nga “Fondi Besa” e denoncuar nga “Priza.al”, vijon sot me të tjera fakte tronditëse dhe me detaje të cilat tregojnë edhe më qartë se ajo ka qenë e mirëorganizuar nga brenda këtij institucioni.
Pa kaq ditësh të publikimit të fakteve dhe provave nga “Priza.al”, nëpërmjet burimeve konfidenciale nga brenda “Fondit Besa” kemi arritur që të sigurojmë detaje të funksionimit të kësaj skeme të mirëfilltë piramidale.
Burimet nga brenda Fondit, i kanë deklaruar sot “Priza.al” se vetëm dy ditë më parë, pronari i këtij institucioni, Bajram Muça, mblodhi në një takim të rëndësishëm shefat kryesor të institucionit të tij.
Sipas burimeve, mbledhja u zhvillua me tone të ashpra dhe madje edhe me kërcënime, ku presidenti Muça, u kërkoi drejtuesve më të lartë të Fondit, që të shkëpusin të gjitha kontaktet dhe marrëdhëniet me sekserët e tyre, si dhe të nisin nga mbledhja e kredive, por “sipas rregullave dhe ligjit”.
Kjo kërkesë disi paradoksale nga ana e vet presidentit të “Fondacionit Besa”, ka tingëlluar si e çuditshme për shefat e Fondit, pasi atyre u është kërkuar më parë zgjerimi i rrjetit të sekserëve dhe shtimi i klientëve fiktiv.
Por sipas burimeve, mësuam se tashmë presidenti Muça, është në dijeni të faktit se ndaj institucionit të tij të mikrofinancave do të shpërthejnë kontrollet dhe auditimet nga te tjera institucione shtetërore.
Por burimet thanë për “Priza.al”, se “kërkesa e presidentit Muça për të ndjekur dhe zbatuar vetëm ligjin në lidhje me klientët dhe kreditë, si dhe bërja e tij të rolit të të paditurit në lidhje me skemën mashtruese të sekserëve dhe kreditimit, ngjalli shqetësim tek bashkëpunëtorët e tij që e morën këtë gjë si një lënie përgjegjësie”.
Si funksiononte skema e mashtrimit brenda “Fondit Besa”
Drejtues të mëdhenj të Fondit si Laert Prifti, Eros Alia, Flamur Vata dhe të tjerë shefa, u thirrën nga presidenti Bajram Muçaj, i cili u ka kërkuar llogari në lidhje me skemën e kreditimit e cila është zbuluar tashmë nga “Priza.al”.
Sipas burimeve konfidenciale nga “Fondi Besa”, Muça mësohet t’u ketë thënë atyre “o bëni kreditë dhe mbyllni skemën, ose përndryshe do marr masa ndaj jush”.
Nga sa mësohet, kjo mbledhje u thirr edhe për shkak të një incidenti që ndodhi me disa klientë të Fondit disa ditë më parë, të cilët pa ditur gjë për kreditë që u ishin bartur, kishin shkuar pranë zyrave të degës “Tirana 6” dhe ishin ankuar për sekserin Dritan Duka, në degën ku drejtore është Vlerina Xhaxho dhe shefe Lindita Ndroqi dhe drejtor dege Laert Prifti.
Burimet i thanë “Priza.al” se, “këta persona ishin të parët që kishin ndërlidhur skemën mes tyre dhe sekserëve për dhënien e kredive, por tani ishin përballur me presionin psikologjik të pronarit Bajram Muça”.
Në mbledhjen me pronarin Muçaj, ishte edhe oficerja e kredive Flutura Çuçka me drejtoreshën e saj në “Tirana 8” Afërdita Alushaj, si dhe Gentian Muça, Drejtor Kredie.
Të gjithë këta kanë marrë paralajmërime nga presidenti i Fondit, Muça, duke kërkuar me insistim mbylljen e kësaj loje me sekserë (të paktën hë për hë, sa të kalojnë kontrollet), dhe zgjidhjen e kredive të këqija.
Mbledhja dhe “fajtorët”
“Priza.al” mësoi nga burimet brenda “Fondit Besa”, se “ndaj shefave të disa degëve kryesore dhe disa drejtorëve të lartë, presidenti i Fondacionit, Bajram Muça, ka hedhur faje dhe përgjegjësi me qëllim që ai dhe institucioni të dalin të larë”.
Por “Priza.al” pohon se, nëse presidenti Bajram Muça, nuk ka qenë në dijeni të kësaj loje që është zhvilluar të paktën këto 5 vitet e fundit dhe ka përfshirë mbi 5 mijë klientë, me një portofol kredie që kalon minimalisht 30 milionë eurot, përse në asnjë moment nuk jemi kontaktuar zyrtarisht nga “Fondi Besa” për të dhënë sqarime mbi dëshmitë e klientëve dhe se çfarë do të bëhet me ta?
Ndërkohë ne pohojmë se, gjatë këtyre dy javëve që “Priza.al” ka botuar mbi 15 numra të investigimit të saj me dëshmi, dokumente, audio-përgjime, fotografi dhe fakte, në adresën tonë nuk kanë munguar kërcënimet, shantazhet dhe akuzat nga persona të lidhur ose në emër të “Fondit Besa”, që na kanë kërkuar të heqim dorë ose ta mbyllim këtë investigim.
“Priza.al” gati në çdo numër të saj u ka bërë thirrje organeve shtetërore dhe prokurorisë, që të nisë një hetim mbi këtë skandal të pastrimit të parave dhe mashtrimit në shuma të mëdha, edhe pse deri tani asgjë zyrtarisht nuk ka lëvizur.
Në ditët në vijim “Priza.al” do të nxjerrë me emra të tjerë dhe me fakte “bomba” vijimësinë e këtyre mashtrimeve dhe abuzimeve financiare që kapin përmasat e një skeme të vërtetë piramidale.
Vijon… /Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016