INVESTIGIM XVII/ ‘Fondi Besa’, si u shndërrua pa ligj nga institucion mikro-kredie në kredidhënës të miliona eurove

“Fondi Besa” i ka shkelur ligjet dhe rregulloret që programojnë punën e tij me të dyja këmbët, pa pasur në asnjë moment shqetësimin se aktiviteti i tij mund të penalizohet apo bllokohet.

“Priza.al” publikon në numrin e sotëm faktin se si nga arkat e degëve të “Fondit Besa”, në kundërshtim me ligjin për bankat, kanë dalë kredi me vlera qindra miliona lekë për klientë preferencialë.

Burime konfidenciale i kanë deklaruar “Priza.al” se, “dy vite më parë vëllai i një prej përfaqësueseve më të larta të një partie politike në vend, mori në kredi prej 500 mijë eurosh nga një arkë e njërës prej degëve të Fondit në Tiranë”.

“Fondi Besa” është një institucion financiar i mikro-kreditimit të bizneseve dhe individëve, dhe i vetmi veprim i aktivitetit të tij është kredidhënia. Por në bazë të ligjit të rregulluar për institucionet e mikrofinancave dhe të mbikëqyrur nga Banka e Shqipërisë, edhe “Fondit Besa” i ndalohet dhënie e kredive të mëdha siç japin bankat.

Por nevoja e madhe e “Fondit Besa” për të rritur dhe zgjeruar portofolin e kredisë, si dhe për ta shtrirë këtë në sa më shumë klientë, duket se krijojë edhe skemën e gjerë të sekserëve mashtrues të cilët sillnin në dyert e Fondit klientë të painformuar.

Si vepronin degët dhe oficerët e kredive

“Fondi Besa” prej disa vitesh u ka vënë oficerëve të kredisë objektiva të larta për portofolin e kreditimit si dhe synimin për të rritur klientët nga muaji në muaj.

“Fondi Besa” në Tiranë ka 9 degë ku secila prej tyre ka një zyrë rajonale dhe minimumi 10 oficerë kredie.

“Çdo muaj një oficer kredie ka një plan mujor si në numër edhe në vlerë, i cili duhet ta plotësojë. Nëse ky plan nuk realizohet, drejtori i degës dhe zv.drejtori fillojnë dhe i tërheqin vëmendjen oficerit, deri aty ku ai edhe mund të largohet nga puna”,- thanë burime konfidenciale nga “Fondi Besa”.

Sipas këtyre burimeve, “në fillim të këtij viti, pra 2021-i, vetëm në Tiranë Fondi kishte 90 oficerë kredie dhe secili duhet të japi 7 kredi qoftë biznesi, konsumatore dhe kredi bujqësore, ku totali shkon 630 kredi në muaj. Çdo muaj po të marrim një kredi mesatare 300.000 lekë, në vlerë totale mujore na del një portofol prej 189.000.000 lekësh”.

Por përveç Tiranës ku Fondi kishte 9 degë (më tepër se çdo qytet), Durrësi kishte 3 degë, Elbasani 2, Korça 2, Vlora 2 dhe Berati 2. Ndërkohë rrethe të tjera më të vogla ishin me nga një degë.

“Me shtimin e bizneseve të ndryshme dhe klientëve që kishin uri për kredi, Fondi zgjeroi aktivitetin e tij dhe në një periudhë 10-vjeçare vetëm në Tiranë u krijuan 5 degë të reja, ku secila kishte nga 3 zyra rajonale dhe nga 15-17 oficerë kredie.

Secili prej tyre në bazë të vjetërsisë, duhet të jepte 5 – 10 kredi në muaj dhe në vlerë nga 500.000- 3.000.000 lekë. Oficeri me vjetërsi mbi 5 vjet pune, duhet të kishte edhe rekordin e portofolit”,-deklaruan burimet për “Priza.al”.

Fondi i mbante oficerët e kredive nën presion

Në “Fondin Besa” puna zhvillohej gjithmonë me një trysni të lartë, dhe barra më e madhe binte te oficerët e kredive, deklaruan burime nga brenda Fondit.

Sipas tyre, “Oficeri ka shumë detyra si bërje marketingu në terren, pritje në zyrë të klientëve, mbledhja mujore e kredive të dhëna, sepse rezultati ose risku duhet të jetë sa më i ulët, si dhe në fund hedhja e kredive në sistemin online.

Pra çdo oficer kredie ka një punë që i duhet një menaxhim shumë i mirë ditor, javor dhe mujor kohe. Por problemi i Fondit fillon te presioni që bën kundrejt oficerëve të kredisë, pasi çdo kredi që jepet duhet të mblidhet. Por në kushtet kur klienti nuk paguan dot, duhet të gjendet një formë pagese (kësti i kredisë) ose nga vetë oficeri që e ka dhënë, ose nëse nuk e ka dhënë ai, duhet ta bëj ai që e ka sjellë”,- deklaron burimi.

Sipas burimeve, “oficerët e kredive në ‘Fondin Besa’ me portofol të madh në Tiranë janë Flutura Çuçka, Elda Bakalli, Albiona Cafuli dhe Dritan Duka, përkatësisht në degët Tirana 1, Tirana 2, Tirana 4 dhe Tirana 6, Tirana 8, Tirana 7.

‘Portofol i madh’ konsiderohen kreditë MLE që jepen në qendër dhe menaxhohen nga Drejtoresha Pranvera Gjika. Për këto kredi as nuk dihet nëse  paguajnë apo jo, pasi me ato merret vetë bosi Muça, dhe përdor çdo lloj manipulimi që të mos e prish riskun për donatorët e huaj”.

Vijon…./Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *