INVESTIGIM XIX/ Skandali ‘BESA’. Si dha kredi 250.000 euro institucioni që duhet të japë mikrokredi

“Fondi Besa” duke qenë një prej institucioneve financiare më të vjetra në vend, që punonin me mikrokreditë, sidomos në sektorin bujqësor, duhet të konkurronte në tregun vendas me bankat private që në vitet 2000 nisën të shtoheshin shumë.

Por në ndryshim nga bankat private që ofronin portofole të ndryshme kreditimi dhe shërbimesh, madje edhe me përqindje interesi konkurruese, “Fondi Besa” që kishte edhe përqindje tepër të larta interesi për kreditë e tij, duket se e pa të udhës që të sajonte një formë të re mbijetese.

Kështu, në fillim të viteve 2000 Fondi ngriti një skemë të tërë oficerësh kredie dhe sekserësh që fillimisht për çdo klient të sjellë në zyrat e “Fondit Besa”, merrnin përqindje të majme për kohën.

Por pas viteve 2010, duket se “Fondi Besa” e sofistikoi mjaftë skemën e sekserëve, sa që nisi të shfaqej jo më si një institucion mikrofinancimi, por si një skemë e vërtetë piramidale.

Këtë skemë e kanë konfirmuar burimet nga brenda “Fondit Besa”, të cilat i kanë treguar sot “Priza.al” mënyrën se si lulëzoi kjo skemë dhe emrat e shefave që nisën ta mbanin në këmbë atë.

Kështu sipas burimeve: “Skema nisi fillimisht në degët qendrore të Fondit në kryeqytet, ku ishin edhe njerëzit më të besuar të pronarit dhe aksionerëve kryesorë.

Te ‘Tirana 1’ ku ishte dega më e mirë, me përgjegjëse Lindita Ndroqin, e cila mbulonte edhe zyrën te ‘Komuna e Parisit’, kishte portofolin e saj të kredisë sa gjysma e portofolit të degës. Ajo mbante me klientë gjithë zyrën e saj, si dhe furnizonte me klientë edhe degët ‘Tirana 6’ dhe ‘Tirana 4’.

Për të gjithë klientët që ajo delegonte nëpër oficerët e kredive, përgjigjej edhe për pagesat. Në këto kushte oficerëve i pëlqente se arrinin planin si në numër dhe në vlerë, duke mos u lodhur fare.

‘Fondi Besa’ qendër, duke parë që klientela po vinte të rritje, për të mos na marre klientelën bankat e nivelit të dytë, hapi edhe arka brenda degëve, si ajo te rruga e ‘ambasadave’.

Fundi i çdo muaji për këtë arkë, ishte një ‘tmerr’ i vërtetë sepse aty bëheshin të gjitha pagesat e kredive që kishin ardhur nga sekserët ose nga xhepi i oficerëve, kur klienti nuk kishte mundësi pagese.

Shefat e ‘Fondit Besa’ i shikonin online se sa shumë arkëtime bëheshin në numër dhe në vlerë, por asnjëherë nuk interesoheshin si bëhej norma.

Njëkohësisht pagesat bëheshin edhe te zyrat e Postës Shqiptare, pasi aty nuk pyetej apo nuk kërkohej informacion se kush e bënte pagesën. Kjo punë kështu vazhdoi të zgjerohej në të gjitha degët e Tiranës”,- thanë burimet për “Priza.al”.

Si punonin shefat e degëve me sekserët

Bashkëpunimi mes shefave të zyrave të “Fondit Besa” dhe sekserëve u bë një hallkë e rëndësishme e punës brenda institucionit të mikrokredisë.

Kështu sipas burimeve nga brenda Fondit, “Lindita Ndroqi punonte me sekserët Elidon Aliaj, i cili u punësua më vonë edhe si oficer kredie te dega ‘Tirana 6’ dhe me sekserin tjetër Agron Lilaj, i cili punësoi brenda Fondit bashkëshoren e tij Anelita Lila, njëkohësisht seksere por edhe me funksion si oficere kredie për të marrë një rrogë.

Në këtë mënyrë portofoli i degëve ‘Tirana 1’, ‘Tirana 3’, ‘Tirana 4’, ‘Tirana 6’ dhe ‘Tirana 7’, u rritën shumë në një periudhë të shkurtër, sa totali i këtyre degëve arriti mbi 30% të portofolit total të ‘Fondit Besa’.

Ndërkohë në degët e mësipërme, oficerët e kredive që kishin njohje me sekserët filluan të lulëzonin. Këta sekserë gjenin klientët, i merrnin dokumentet e identifikimit, i çonin tek oficerët që ishin lidhur, ndërsa këta të fundit i shpërndanin ca për vete dhe të tjerëve dhe pa u lodhur fare i hidhnin në sistemin online dhe kështu portofoli i oficerëve dhe i degëve rritej shumë nga muaji në muaj.

Oficerët e kredive i mbanin shënim ndërkohë se kush ja kishte sjellë klientët se pagesat ishin mujore.

Në këtë mënyrë ‘Tirana 1’ u bë frymëzim që të rritej numri sekserëve të     cilët janë pa numër, duke mos përmendur këtu që interesi i kredive shkonte 24 deri në 28% duke futur edhe përqindjet e penaliteteve”,- deklaroi burimi.

Si e thelloi “Fondi Besa” lojën me sekserët

Burimet nga brenda “Fondit Besa”, i kanë thënë “Priza.al” se pas vitit 2017, skema e mashtrimit me kreditë fiktive nisi të kulmonte deri në vitin 2019, kur ajo i kishte përfshirë çdo degë.

“Në momentin që këto pagesa mujore nuk mbuloheshin me kreditë mujore që jepeshin nga degët, ‘Tirana 4’ doli zbuluar dhe në gusht të vitit 2019, Fondi bëri vet një kallëzim në prokurori ku çështja vazhdon akoma.

Në shtator të vitit 2019 zbuluar dolën edhe degët ‘Tirana 1’, ‘Tirana 3’, ‘Tirana 6’ dhe ‘Tirana 7’. Çudia më e madhe ndodhi te ‘Tirana 1’ me përgjegjëse Lindita Ndroqin dhe drejtor Laert Priftin, ku në mënyrë të fshehtë me ‘Fondi Besa qendër’ në emër të dy sekserëve Anelita Lila dhe Agron Lila, ku bashkëshortja e tij ishte e punësuar edhe si ‘oficere kredie’ te ‘Tirana 6’ u bënë dy kredi me vlera të mëdha mbi 250.000 euro. Dy të punësuar te Fondi, bënin dhe rolin e sekserit dhe më pas ‘Fondi Besa’ i jep dhuratë dy kredi shumëmilionëshe.

Por jo vetëm kaq, sipas burimeve tona, vëllai i një përfaqësueseje politike të një partie, ka marrë tek Fondi Besa një kredi me vlerë 500.000 euro. Pra fondi Besa nga një institucion mikrokredie kthehet në një kredidhënëse deri në gjysëm milioni euro vetëm për një person.

Në këtë kohë bëhet një lëvizje e çuditshme në të gjitha degët e Tiranës.

Një pjesë e stafit të ‘Tirana 1’ dhe ‘Tirana 4’ paditet në Prokurori, por përgjegjësja Lindita Ndroqi shkon te ‘Dept Collection’.

Ndërkohë Bledar Ylli, shkarkohet nga detyra e drejtorit të ‘Tirana 7’ dhe shkon te ‘Dept collection’ dhe aktualisht është zv.drejtor kredie tek ‘Fondi Besa’.

Laert Prifti shkarkohet nga shefi i ‘Tirana 1’ dh bëhet zv.drejtor tek Fondi në qendër dhe më pas ia liron vendin Bledar Yllit, duke shkuar drejtor dege te ‘Tirana 4’.

Në këtë kohë me urdhër të brendshëm mbyllet çuditërisht edhe arka te ‘rruga e Ambasadave’, pasi u hapën arkat në disa zyra të Tiranës dhe rretheve, si dhe njëkohësisht doli dhe një rregullore që nuk lejohet të bëhet asnjë pagesë nga oficerët e kredive.

Pra me pak fjalë ‘Fondi Besa’ është ishte bërë një lavatriçe që pastronte para     dhe shtonte aksionet e veta në bazë të përqindjeve sipas çdo aksioneri”,- përfundoi dëshminë e tij për “Priza.al”, burimi nga “Fondi Besa”.

Vijon…. /Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *