INVESTIGIM XX/ Skandali financiar i ‘Fondit Besa’ shtrihej edhe brenda BKT-së me anë të notereve

Sistemi bankar në Shqipëri që prej krizës financiare botërore që kulmoi në vitin 2008, mori masa të menjëhershme për mirëfunksionimin e tij, duke rregulluar kuadrin ligjor por edhe duke fuqizuar agjencitë që do ta monitoronin atë.

Megjithatë të gjithë e dimë mirë dhe madje jemi të sigurt se në Shqipëri shumë ligje zbarohen me dy standarde, gjë e cila duket se ka ndodhur edhe brenda sistemit bankar.

Këtë e tregon fare mirë skema piramidale ose mashtruese që ka vijuar prej vitesh brenda “Fondit Besa” me klientët e tij, proces ky që nuk ka lënë pa “ndyrë” edhe disa banka private në vend, njëra prej të cilave më e madhja aktualisht e sistemit tonë.

Fjala është për “Bankën Kombëtare Tregtare” e cila duke e pasur një prej bashkëpunuesve dhe klientëve “VIP” vetë institucionin mikrofinanciar “Fondi Besa”, elementë të caktuar të kësaj banke janë bërë pjesë e lojës për fitime dhe pastrim parash.

Çdo ditë “Priza.al” që nisi publikimin e këtij investigimi, po përballet me fakte, prova dhe dëshmi të reja që po tregojnë se mes BKT-së dhe “Fondit Besa” ka pasur një bashkëpunim në disa struktura, duke nisur që me trafikimin e të dhënave personale të klientëve, hapjen e llogarive bankare, e deri tek bashkëpunimi me noteret e famshme që ishin mes dy institucioneve.

Sot do të sjellim detaje të reja, pikërisht nga bashkëpunimi i noterëve Majlinda Demollari dhe Edlira Malaj, pikërisht si me BKT-në ashtu dhe me “Fondin Besa”

Ngjall të vdekurit dhe i bën klientë të fondit “Besa” duke pastruar pasuri të zeza, nis hetimi për noteren

Noteret ndërmjetëse mes BKT dhe Fondit

Burime nga brenda “Fondit Besa” i thanë sot “Priza.al” se noteret Majlinda Demollari dhe Edlira Malaj, ishin çelësi (përveç sekserëve) kur mes “Fondit” dhe BKT-së kopsiteshin të gjitha letrat për klientët dhe dosjet e kredive.

Sipas burimeve, “Noterja Majlinda Demollari mbante shumë dosje dhe dokumente të klientëve që kishin marrë kredi të ndryshme pranë BKT-së në zyrën e saj për shkak të punës si noterë.

Por duke qenë se edhe te BKT-ja i hapeshin dyert dhe po ashtu edhe tek fondi, ajo bashkëpunonte kundrejt pagesave të majme, për të dhënë informacione për klientë specifik.

Pas kësaj disa klientë dilnin befas edhe si dorëzanës apo garant kolaterali, në një kohë që gati të gjithë klientëve të ‘Fondit Besa’ që u janë bartur prej sekserëve kredi pa e ditur, kanë edhe letra për vënie garancie të pronave të ndryshme të patundshme.

Shumë prej pronave, si dyqane, lokale, bilardo, karburante, ofiçina, supermarkete, më parë kishin marrë ndonjë kredi të vogël tek BKT-ja, por letrat noteriale i kishin përpiluar tek noteret Demollari ose Malaj”.

Në këtë mënyrë, sipas burimeve nga “Fondi Besa”, ecej edhe me përgatitjen e letrave të tjera nga noteret në fjalë, si dosjet e kredive për klientët, por edhe informacionet e ndryshme duke përfshirë në këtë valle përveç Fondit edhe disa banka të nivelit të dytë.

Fondi Besa 4 • Incofin CVSO

Sekserët e “Fondit Besa” hynin e dilnin në BKT

Sipas burimeve konfidenciale nga “Fondi Besa”, të gjithë sekserët e këtij institucioni kur bënin veprime në emër të Fondit, kishin lehtësira absolute brenda degëve të BKT-së.

“Sa herë që u duhej të hapnin llogari bankare në emër të klientëve që peshkonin, apo të tërhiqnin paratë në kash pavarësisht shumës, nëpër sportelet e BKT-së, sekserëve u hapeshin gjithmonë dyert te kjo e fundit.

Ata asnjëherë nuk liheshin të priteshin në radhë, madje futeshin në zyra në çdo kohë edhe kur kishin përfunduar oraret e punëve të stafit në BKT. Bënin veprime të ndryshme, depozitonin ose tërhiqnin shuma parash edhe më lehtë se financierët e kompanive të mëdha. Po në këtë formë trajtoheshin edhe noteret që kishin bashkëpunim si me Fondin, ashtu dhe me BKT-në”,- deklaroi burimi nga “Fondi Besa”.

Sipas tij, “Fondi i punësonte sekserët në zyrat e tij me detyra të caktuara që të mësonin procesin e punës dhe të njiheshin me hilet e financave, si dhe u jepnin edhe të drejtën për të dhënë kredi të mëdha.

Një rast i tillë ishte edhe me sekserin Elidon Aliaj që njihej edhe si oficer kredie brenda ‘Fondit Besa’, por po ashtu bashkëpunonte ngushtë edhe me stafet e degëve të BKT-së. Ai më pas u denoncua edhe për mashtrim e tjetërsim pronash.

Po ashtu bënin edhe punonjësit që hiqeshin nga puna nga Fondi, pasi duke i njohur nga brenda procedurat se si punohej, ata bëheshin sekserë kollaj. Ata dinin si të sillnin klientë dhe se si të përfitonin nga çdo kredi që procedohej dhe kopsitej me letra nga dega e BKT-së kur hapej llogaria për një klient, deri tek noterja që firmoste e vuloste çdo letër”.

Sipas të njëjtit burim, “Anelita Lila dhe Elidon Aliaj kanë qenë të punësuar që të dy si oficerë kredie te dega e ‘Fondit Besa’, ‘Tirana 6’ ku drejtoreshë ishte Vlerina Xhaxho”.

Vijon… /Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *