Investigimi i Fiks Fare/ Ujërat e zeza shkarkohen në lumin Buna, Bashkia e Shkodrës hesht

Dhjetëra banorë të Shkodrës janë ankuar në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” për erën e rëndë në shëtitoren mes dy urave mbi lumin Buna.

Sipas tyre, era vjen nga shkarkimi i ujërave të zeza të të gjithë qytetit në këtë lumë, në zonën më të frekuentuar.
Një banor i tregoi gazetarëve të “Fiks Fare” vendin ku derdhen ujërat e zeza të qytetit. Ai thotë se fillimisht ka pasur kolektorë të mëdhenj dhe ujërat e zeza derdheshin në lumin Drin. Por, më pas, këto ujëra u devijuan në lumin Buna, në zonën më të populluar në orët e pasditeve të familjeve shkodrane në ditët e nxehta.

Zona është në hyrje të qytetit, në parkun dhe në afërsi të urave që të çojnë në Shirokë. Banori thotë se ka erë dhe aromë të rëndë, aq sa në këto ditë të nxehta nuk mund të ecësh në këtë vend. Ai thotë se është e pamundur që të qëndrosh gjatë, pasi këto ujëra nuk filtrohen. “Janë të të gjithë qytetit. Derdhen në këtë vend” thotë ai.

Fiks Fare u interesua pranë Bashkisë së Shkodrës për këtë problematikë, duke i drejtuar disa pyetje nëse ka një plan bashkia për rregullimin e kësaj situate? Përse u devijua në lumin Buna kolektori i ujërave të zeza? Çfarë masash do të marrë paraprakisht? Por, deri më tani, Bashkia e Shkodrës nuk na ka kthyer një përgjigje!/TCH

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *