Investigimi i Stop/ Skandali me fondet e tërmetit, paratë janë shpërndarë edhe tek personat jashtë vendit

Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në Bathore tek zona e ish-stallave, që u populluan pas vitit 1991, por që sot janë të dëmtuara nga tërmeti i fuqishëm i gati 2 viteve më parë. Në redaksinë e emisionit Stop kanë mbërritur disa ankesa lidhur me paratë që ka ndarë njësia administrative Bathore për rikonstruksionin e shtëpive të prekura.

 

Për çdo kryefamiljar me shtëpi të vlerësuar në kategorinë e dëmtimeve DS3, duhet të jepeshin 4.5 milionë Lekë të vjetra. Disa banorë thonë se kjo shumë nuk u mjafton për të kryer punimet dhe për ta bërë shtëpinë të banueshme.

Të tjerë thonë se nuk kanë marrë asnjë para, ndryshe nga komshinjtë, që janë në të njëjtat kushte.

“Unë kam marrë 450 mijë Lekë (të reja). Nuk më del ai fond mua. Unë jam jashtë, pikat bien brenda. Kam harxhuar të paktën 2 milionë e gjysmë. Unë këtu rri me gruan dhe fëmijët. S’kam marrë asnjë gjë (i referohet bonusit të qirasë)”.

“Lekët i kam për DS4, por më kanë kaluar për DS3. Kam marrë 4 milionë e gjysmë. Ç’a të bëj unë me to? Kanë marrë të tjerët, janë nëpër shtëpitë e veta, kanë marrë edhe bonus qiraje duke jetuar në shtëpi të vetë. As një h*le nuk bëhet. Kanë tall b*thën me mua”.

“Të gjithë që jetojnë këtu kanë përfituar kurse mua nuk më kanë dhënë asnjë qindarkë. Asnjë gjë! Kur shkova u interesova unë, thanë ti je me certifikatë pronësie, nuk kemi punë me ty”.

“Unë kam problem me tërmetin se është bërë padrejtësi shumë e madhe ndaj fondit që ka shpërndarë bashkia apo kush ti ketë, shteti. Dikush i ka marrë 30 familje, 40 i kanë larë. Ngjitur është komshiu, na ndan një mur 15 centimetra. Komshiu ka marrë unë jo. Dy komshitë kanë marrë, unë jo”.

Por përse disa familje kanë 4.5 milionë Lekë të vjetra që nuk u mjaftojnë, disa të tjerë nuk kanë marrë asgjë, e ndërsa ka dhe nga ata që kanë më shumë se sa një fond. Në listën e emrave të siguruar nga emisioni “Stop”, rezulton se janë shpërndarë fonde edhe për persona të cilëve nuk u takon. Në disa familje, përvec kryefamiljarit, kanë marrë para edhe anëtarët e tjerë të familjes.

Konkretisht, Agim Ibish Lleshi është kryefamiljari të cilit i takojnë me ligj 4.5 milionë Lekë të vjetra për rikonstruksionin e shtëpisë sipas përcaktimit që i është më formularin DS3. Por në listë kanë përfituar edhe anëtarët e tjerë të kësaj familje, 3 anëtarët: Ermal Agim Lleshi, Egzon Agim Lleshi, Ramazan Agim Lleshi. Shpërdorimi i fondeve për këtë familje arrin në 13.5 milionë Lekë të vjetra.

Familja tjetër është Vehap Ibish Lleshi, kryefamiljar, por ka përfituar edhe një anëtar tjetër Eduard Vehap Lleshi. Shpërdorimi i fondeve të tërmetit për këtë familje është 4.5 milionë Lekë.

Familja e tretë, Fatime Bajram Bulica, është kryefamiljare dhe duhet të marrë 4.5 milionë Lekë të vjetra, por në listë figurojnë që kanë marrë edhe anëtarët Agim Jonuz Bulica dhe Urim Jonuz Bulica. Shpërdorimi i fondeve të tërmetit arrin në 9 milionë Lekë të vjetra.

Familja e radhës është Shkëlzën Bajram Hasa, që kanë marrë fond edhe anëtarët Ardit Shkëlzën Hasa dhe Bajram Shkëlzën Hasa. Shpërdomi i fondeve të tërmetit arrin në 9 milionë Lekë të vjetra.

Familja tjetër Xhemal Bajram Toluli. Në listë figuron edhe anëtari tjetër Yli Xhemal Toluli. Shpërdorimi i fondeve për këtë familje është 4.5 milionë Lekë të vjetra.

Por emisioni Stop ka zbuluar edhe një skandal tjetër. Në listën me emra që disponon emisioni, ka edhe familje që nuk jetojnë te ish-stallat, madje disa prej tyre ndodhen jashtë Shqipërisë.

Rexhep Haxhi Mulaku dhe Ardian Fatmir Hamzaj nuk rezultojnë të jenë banorë të ish-stallave, ndërsa Fatmir Vesel Lashi jeton në Itali dhe Elisabeta Agim Kurhaska jeton në Kosovë.

Gazetari shkoi edhe në Bashkinë e Kamzës, ku nëpunësit saktësuan se dëmshpërblimi për kategorinë DS3 është 4.5 milionë Lekë të vjetra dhe i merr vetëm kryefamiljari, jo çdo anëtar.

Njësia Administrative Bathore-DS3 kap këtë vlerën 4 milionë e gjysëm.

Gazetari-Është fikse kjo shuma?

Njësia Administrative Bathore-Po, po shuma është fikse për të gjithë.

Gazetari-E si merret? Për kryefamilar, për familje, për shtëpi?

Njësia Administrative Bathore-Për kryefamiljar patjetër, ndërsa për status, se këto quhen stalla, meqë ishe në dijeni, ish- stalla.

Elidon Marku, Bashkia Kamëz-Ato janë banesa kolektive.

Gazetari-Po, janë ato ish-stallat.

Elidon Marku, Bashkia Kamëz-Ish-stallat po, ka ardhë DS3 këtu

Gazetari-DS3?

Elidon Marku, Bashkia Kamëz-Po dhe janë diskutuar, janë fol, janë thirr dhe kanë qenë dakord.

Gazetari-Po si caktohet kjo? DS3 është për aplikantët, që bëhet si kryefamiljar shuma fikse, s’ka rëndësi, sesa dëmtime ka po themi?

Elidon Marku, Bashkia Kamëz-Duke qenë se janë banesa kolektive, ato llogariten…

Gazetari-Po, që të jenë fikse.

Elidon Marku, Bashkia Kamëz-Po!

Gazetari-Vetëm për këtë rast, apo është ligji në tërësi, që kush e ka DS3 merr këtë?

Elidon Marku, Bashkia Kamëz-Kush e ka DS3, merr atë vlerë, DS1, ,DS2, DS3 janë me vlerë të përcaktuar.  /tvklan.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *