Në kohë fushate elektorale gjithmonë në Shqipëri ka prevaluar informaliteti, abuzimi, vjedhja dhe moszbatimi i ligjit. Por në jo pak raste nuk ka munguar as masakra mjedisore nga ana e njeriut mbi natyrën dhe pronën e përbashkët.
Në “Fiks Fare” mbërritën disa ankesa ku thyhej se firma “AGED sh.p.k” në Elbasan shfrytëzon lumin Shkumbin, duke e gërryer dhe marr inerte pa leje.
Fiksi pa nga afër situatën dhe filmoi se si kjo firmë me mjetet e saj gërryente shtratin e lumit Shkumbin dhe mbushte kamionë me materiale më pas për t’i çuar në ambientet e firmës ku dhe përpunoheshin.
Në këto kushte gazetarët e Fiks Fare vunë në dijeni IKMT Elbasan ku së bashku me dy inspektorë shkuan për të bërë verifikime nëse firma kishte apo jo leje për shfrytëzimin e shtratit të lumit Shkumbin. Gjatë rrugës Fiksi dhe inspektorët e IKMT-së gjejnë kamionin e mbushur plot me materiale të shtratit të lumit. Kamioni i firmës AGET ishte pa targa dhe pa letrat e mjetit.
I pyetur shoferi kamionit se ku do e shkarkonte ngarkesën ai përgjigjet në argjinaturën aty ngjitur të cilën firma e ka nën rehabilitim dhe mirëmbajtje, ndaj ka dhe leje për të gërryer lumin Shkumbin. Pasi e kishin filmuar plot 3 herë atë dite kamionin që ishte ngarkuar me material të lumit, gazetarët e Fiksit e pyesin shoferin se sa herë ngarkohet në ditë.
Ai gënjen duke thënë se atë ditë vetëm një herë ishte ngarkuar me inerte, dhe një herë para tre ditësh. Por filmimet e Fiksit hodhën poshtë fjalët e shoferit të kamionit. Ndërkohë gazetarët e Fiksit vunë re se kamioni qarkullonte pa targa.
Inspektorët e IKMT-së i kërkojnë shoferit letrat e makinës, të cilat nuk i kishte me vete por tregon që janë në zyrat e firmës. Pa targa është edhe ekskavatori i cili kryente gërryerjen e lumit e më pas ngarkimin me inerte të kamionit.
“Unë s’kam pasur ndonjëherë targa”,- shprehet shoferi i ekskavatorit, duke u justifikuar se janë të zonës së Shkumbinit dhe se mjetet nuk dalin jashtë zonës ku punojnë.
Inspektorët e IKMT-së kërkojnë që shoferët të komunikojnë me pronarin për të sjellë dokumentacionin përkatës të makinave dhe nëse firma për të cilën ata punojnë AGET ka leje apo jo.
Punonjësit e IKMT njoftojnë edhe policinë e shtetit për ndihmë të cilët mbërrijnë njëkohësisht bashkë me djalin e pronarit. Ky i fundit në dorë mbante disa dokumente në të cilat pretendon se lejen e shfrytëzimit e ka marrë në vitin 2017 me afat 5 vjeçar. “Edhe vjet më ka ndodhur kjo gjë, nuk e di se kush ankohet ndonjë konkurrent”,- shprehet ai. “Por unë jam në rregull dhe ja ku keni edhe dokumentin e prokurorisë ku thuhet se leja është në rregull”,- përfundon ai.
Policia bëri shoqërimin në komisariat të dy shoferëve dhe djalit të pronarit për verifikim, ndërkohë që mjetet do t’i dërgonin në pikën e bllokimit.
Pas verifikimeve të bëra nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zyrtarisht ata në një përgjigje me shkrim për Fiks Fare shprehen se leja që zotëron firma AGET është e pavlefshme që prej shtatorit të vitit 2020.
Kjo leje firmës i ishte dhënë nga Këshilli i Basenit Ujor Shkumbin , Elbasan më 24 prill 2017. Ndërkohë që për Inspektoratin Kombëtar të mbrojtjes së Territorit Qendror Tiranë, nuk figuron asnjë subjekt i licencuar për shfrytëzimin e inerteve në territorin e Qarkut Elbasan.
/Burimi: TCH/