INVESTIGIMI në ‘Priza.al’/ Skandali financiar me ‘Fondin Besa’, BSH thërret krerët e bankave. Sa i thellë është rrjeti i mashtrimit?

Skandali i mashtrimit me mikrokreditë i realizuar nga drejtues të “Fondit Besa” në bashkëpunim me punonjës të disa bankave private të nivelit të dytë në vend, ka nisur të vërë në lëvizje institucionet shtetërore.

Edhe pse me vonesë, e para ka qenë Banka e Shqipërisë e cila dje ka thirrur në një mbledhje urgjente përfaqësuesit e bankave tregtare në vend dhe drejtuesit e institucioneve të mikrokredive.

Tek këta të fundit është vënë edhe theksi, ku nisur nga skandali i përsëritur me kreditë e “Fondit Besa”, duket se Banka e Shqipërisë do të nisë në muajt në vijim kontrolle më të shtuara për institucionet që japin mikrofinancime.

Në lidhje me mbledhjen e djeshme, “Priza.al” ka mësuar se BSH-ja përveç rritjes së masave mbikëqyrëse, ka kërkuar prej institucioneve të mikrokredisë më tepër transparencë, por edhe zbardhje të skandalit të ndodhur në “Fondin Besa”.

Burime konfidenciale i kanë thënë “Priza.al” se shqetësim për BSH-në ka përbërë fakti që në këtë skandal të përsëritur janë përfshirë edhe më shumë disa prej filialeve të disa bankave tregtare në vend.

Për këtë ka nisur edhe një hetim dhe në ditët në vijim autoritetet do të japim sqarime të mëtejshme.

A po ndodh pastrim parash mes ‘Fondit Besa’ dhe bankave?

Disa herë disa raporte ndërkombëtare të disa prej organizmave më të fuqishëm botëror e kanë renditur Shqipërinë si një ndër vendet europiane ku në vitet e fundit po kryhet një skemë e gjerë pastrimi parash.

Edhe pse raportet ndërkombëtare vinin theksin tek sektorë të ndryshëm të ekonomisë, ndër të cilët ndërtimi, paratë në fund kanalizohen edhe në sistemin bankar.

Megjithëse raportet e ambasadave, apo institucioneve ndërkombëtare, nuk përmendin në asnjë rast me emër banka të caktuara.

Megjithatë, pa dashur të ngremë dyshime mbi banka të caktuara, mjafton loja mes sekserëve, klientëve dhe drejtuesve të një institucioni mikrokredie si “Fondi Besa”, për të dhënë përshtypjen se forma në miniaturë të skemave piramidale krijohen shpesh.

Ndërkohë institucione si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, apo Banka e Shqipërisë, por edhe Autoriteti i Konkurrencës apo Prokuroria duhet që të thonë më shpejt fjalën e tyre.

Kjo për të mos thelluar skandalin dhe për të mos krijuar konflikte mes viktimave të shumta që janë klientë të mashtruar në “mirëbesim”, ose edhe individë bizneset apo pronat e të cilëve janë vënë si kolaterale, pa pasur dijeni vetë pronarët.

BSH po i merr me vonesë veprimet

Vetëm në muajt që do të pasojnë Banka e Shqipërisë, do të vendosë një kufi për interesat e kredive konsumatore për individët. Ekspertët e saj kanë hartuar një projekt-rregullore me ndryshime që tashmë iu është dërguar bankave dhe institucioneve të mikrokredisë.

Sipas BSH-së, “vendosja e një tavani për interesat e kredive dhe mikrokredive, pritet të mundësojë interesa më të favorshme për individët”.

Por lehtësia që do të prekë këto mikrofinancime është vetëm në rastet kur këto hua, nuk duhet të jenë të siguruara me anë të hipotekës apo sigurime të tjera dhe shuma e disbursuar nuk duhet të kalojë 10 milionë lekë.

Norma maksimale e interesit si nga bankat ashtu edhe nga institucionet jo banka, do të caktohet për çdo kategori të kredisë konsumatore, e cila do të ndahet edhe sipas shumave të huave.

Më konkretisht sipas dokumentit, për shumat deri në 200 mijë lekë, për ato nga ky nivel deri në 2 milionë lekë dhe si dhe nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë.

Pse favorizohet ‘Fondi Besa’

Kur prej 11 ditësh “Priza.al” po boton dëshmi dhe fakte mbi një skemë të madhe mashtrimi financiar me mikrokreditë e “Fondit Besa”, deri tani ky institucion nuk ka pësuar asnjë lloj kontrolli nga autoritetet.

Madje edhe vetë BSH-ja është munduar që ta kalojë në heshtje këtë skandal duke mos mbajtur asnjë qëndrim zyrtar, madje as edhe një sqarim për opinionin, në një kohë që në gjithë vendin janë të paktën disa mijëra klientë të prekur nga kjo skemë mashtrimi.

BSH për më tepër projekt-rregulloren e saj ka vendosur ta vërë në zbatim pas tre muajsh. Vet BSH nga ana e saj pranoi faktin se institucione të tilla të lëna në liri të plotë veprimi, kanë aplikuar dhe aplikojnë norma të larta interesi për klientët.

Kjo edhe për shkak të lehtësisë në dokumentacion për të përfituar financimin, si dhe afateve më të shkurtra kohore të përfitimit të kredive. Madje në shumë raste, transaksione të tilla si në “Fondin Besa”, mund të kryheshin edhe brenda ditës.

Por kjo ka sjellë probleme si me kreditë ashtu dhe me klientët që në një pjesë dërrmuese janë individë të mashtruar dhe të cilëve u janë tjetërsuar të dhënat personale të lëshuara në banka private.

Personat që i drejtohen më së shumti institucioneve të mikrokredisë janë individë që kanë një kulturë të dobët financiare e të ardhura të pakta, si dhe fermerët, një kategori që nuk gjen shumë mbështetje nga sistemi bankar për shkak të problematikave që ka sektori.

Por ndërkohë “Priza.al” ka mësuar se në takimet e fundit mes bankierëve, Guvernatorit të BSH-së, dhe titullarëve të institucioneve të mikrokredive, më shumë se sa gjetja e zgjidhjes dhe bërja e transparencës, është kërkuar “mbyllja e skandalit” në media.

Burimet i thanë “Priza.al” se brenda mbledhjes është menduar edhe krijimi i takimeve me gazetarët, kryesisht të ekonomisë, për t’i trajtuar ata me “dashamirësi” me qëllim që të mbyllen ciklet e shkrimeve kundër bankave dhe institucioneve të mikrokredive.

“Priza.al” bën me dije se asnjë trajnim, udhëtim apo ryshfet nuk do të jetë “çmimi i mbylljes së gojës”.

Ky investigim nuk ka lidhje me asnjë parti politike sikundër aludohet nga disa drejtues bankash, por është një vendim i panegociueshëm i stafit të “Priza.al”, për të qenë në krah të qytetarëve të pambrojtur të cilët tani e prej kaq vitesh janë të vjedhur dhe pa asnjë mbështetje.

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *