Në konsultimet për buxhetin e vitit të ardhshëm me banorët e Njësisë 11, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se për sa i përket çerdheve, kopshteve e shkollave, Bashkia e Tiranës e ka mbajtur fjalën si kurrë më parë. Ai numëroi shkollat moderne të ndërtuara nga e para vetëm në këtë njësi.
“Njësia 11 ka formën e një trekëndëshi: Në njërin cep është shkolla “Andrea Stefani”, ku kemi siguruar një hapësirë fantastike për fëmijët; në cepin tjetër, ku puqemi me Njësinë 9, kemi bërë dy shkolla të reja: “Kristo Frashëri” dhe Vaçe Zela”, plus parashkollorin; në cepin fundor, ku takohemi me Kamzën, tek Universiteti Bujqësor kemi po ashtu dy shkolla të reja, shkollat “John Kennedy” dhe “Nënë Tereza”, edhe këto me parashkollor. Kjo ka qenë kërkesa kryesore: çerdhet, kopshtet, shkollat, dhe unë besoj se skuadra jonë, ekipi ynë, mund ta mbajë kokën lart. Nuk është çdo gjë perfekte, por kur vjen puna te fëmijët, çerdhet, kopshtet e shkollat, e kemi mbajtur fjalën 100%, si kurrë më parë, për një zonëë që deri dje, mund të konsiderohej si periferi, kurse sot ka shkolla, kopshtet e çerdhet më cilësore”, u shpreh Veliaj.
Një tjetër pikë ku u ndal Veliaj, ishte terminali perëndimor i autobusëve, i dyti i Tiranës, që do i japë zgjidhje trafikut dhe do disiplinojë udhëtarët e linjave interurbane. Ai tha se puna edhe për këtë trminal do të nisë para Vitit të ri.
“Sapo kemi firmosur kontratën për Terminalin te Kthesa e Kamzës. Ne duam të jemi porta hyrëse, të jemi lagjja e parë e Tiranës që i mirëpret të gjithë, por nuk duam që gjithë trafikun ta kemi poshtë pallatit. Më vjen mirë që kemi fituar gjyqet dhe më në fund, do të fillojmë para Vitit të Ri terminalin e Kthesës së Kamzës”, u shpreh Veliaj.
Kryetari i Bashkisë veçoi ndër investimet në Laprakë edhe ato për bibliotekat dhe kinematë. “Njësia 11 është e vetmja njësi që ka kinemanë e saj, kinemaja “Maks Velo”. Po sot ka kinema edhe tek qendra Marubi, në Kinostudio, tek lagjja e re në Kombinat. Jam shumë i lumtur që kemi filluar një risi edhe me bibliotekën, edhe me kinemanë, për të dhënë një mesazh se ne, çunat e gocat e njësisë i kemi të gjithë njësoj. Nuk ka rëndësi nëse kanë lindur në periferi, apo në qendër të Tiranës. Ne duam që secili të ketë shansin e barabartë. Nuk ka rëndësi si e ka emrin mami, babi apo tesera e partisë. Kush është i mirë, kush ka talent, të ecë përpara, ne i japim gjithëve shansin njësoj,” deklaroi kryetari i Bashkisë.
Veliaj tha gjithashtu, se në Laprakë, ashtu si në zona të tjera të Tiranës, do të hapet edhe një qendër e re sociale. Ai nënvizoi faktin se falë investimeve të kryera nga bashkia, Lapraka nuk përmbytet më nga lumi i Tiranës.