Ushtria e Irakut tha se ka rrëzuar dy dronë, të cilët po fluturonin mbi një bazë ajrore, ku janë të vendosura forcat amerikane. Ky rast ndodhi vetëm një muaj, pasi e njëjta bazë ishte cak i një sulmi nga një dron.
Sistemi i mbrojtjes së ushtrisë amerikane, C-RAM u aktivizua dhe qëlloi dronët, që po fluturonin më 6 qershor, mbi bazën Ain al-Assad rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, tha ushtria irakiane.
Më 8 maj, ndodhi një sulm me dron mbi këtë bazë ajrore, që gjendet në provincën Anbar. Por, nga ky sulm nuk kishte të plagosur.
Ndërkaq, zëdhënësi i koalicionit ushtarak në Irak që udhëhiqet nga SHBA-ja, tha se disa orë para rrëzimit të dronëve ishte rrëzuar edhe një raketë mbi aeroportin e Bagdadit dhe në këtë rast “nuk u shkaktuan dëme në njerëz dhe dëme materiale”.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Por, zyrtarët amerikanë kanë fajësuar milicitë e mbështetura nga Irani, që vazhdimisht sulmojnë interesat amerikane në Irak, përfshirë trupat, Ambasadën në Bagdad apo konvojet irakiane, që bartin furnizime për forcat e huaja.
Në muajin mars, në një bazë në perëndim të Irakut, që janë të vendosura trupat e koalicionit që udhëhiqet nga SHBA-ja dhe kontraktorët, ishte goditur me dhjetë raketa. Në këtë sulm, u vra një kontaktor.
Grupet paramilitare, të lidhura me Iranin kanë kërkuar nga të gjitha trupat e huaja – përfshirë 2.500 trupat amerikane – që të largohen nga Iraku, duke thënë se prezenca e tyre në këtë shtet paraqet okupim.
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja, misioni i të cilit është të luftojë militantët e Shtetit Islamik, vazhdon të jetë i vendosur në Irak. Ky shtet po ashtu është nikoqir i misionit të udhëhequr nga NATO-ja, që trajnon forcat e sigurisë irakiane./REL