Së fundmi, duket se autoritetet iraniane për të kontrolluar gratë që nuk mbajnë shami do të vendosin kamera në vende publike për t’i gjurmuar dhe ndëshkuar.
Mediat e huaja shkruajnë se pasi të identifikohen ato që do të shkelin rregullat do të marrin paralajmërime me mesazhe me tekst për pasojat, ka njoftuar policia.
Masa ka për qëllim “parandalimin e rezistencës kundër ligjit të hixhabit“, shtoi policia në deklaratën, e cila u transmetua nga agjencia e lajmeve Mizan e lidhur me gjyqësorin dhe agjencitë e tjera shtetërore të lajmeve, duke vënë në dukje se rezistenca e këtij lloji dëmton imazhin shpirtëror të Irani dhe shkakton pasiguri.
Ndërkaq një numër i madh i grave në Iran po refuzojnë që të mbajnë shami që pas vdekjes së 22 vjeçares kurde iraniane Mahsha Amini në shtator, pasi ajo u arrestua nga policia e moralit për shkelje të rregullores së hixhabit. Forcat e sigurisë shtypën me dhunë protestat pas vdekjes së saj.
Megjithatë, pavarësisht rrezikut të arrestimit për shkeljen e kodit të detyrueshëm të veshjes, gratë ende shihen gjerësisht pa shami në qendra tregtare, restorante, dyqane dhe rrugë dhe videot e grave që ecin pa hixhabe që sfidojnë policinë e moralit kanë vërshuar në mediat sociale.