Irani ka realizuar një sulm masiv me 200 raketa balistike drejt Izraelit, duke e bërë këtë incident më të madhin ndonjëherë mes dy vendeve.
Sulmi, i kryer më 1 tetor, erdhi pa paralajmërim dhe përfshiu raketat më të avancuara, duke u konsideruar si një hakmarrje për ofensivat izraelite në Liban dhe në Rripin e Gazës. Dëmet dhe viktimat e kësaj goditjeje akoma nuk janë të qarta, por Izraeli ka premtuar një përgjigje të ashpër.
Ekspertët parashikojnë se Izraeli do të reagojë me një hakmarrje shumë më të fuqishme se në sulmin e kaluar në prill, kur përgjigjja e tij ishte më e butë. Sulmi iranian është perceptuar si një shenjë e nevojës për të vepruar përballë presionit të brendshëm dhe sfidave strategjike në rajon.
Zyrtarët izraelitë kanë sugjeruar se përgjigja e tyre mund të përfshijë goditje në objekte strategjike brenda Iranit, duke ngritur shqetësime për një rritje të tensioneve në rajon.