Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-agjentja speciale e Byrosë Federale të Hetimeve, Coleen Rowly, flet mbi rastin e ish zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili ditë më parë u arrestua nga autoritetet amerikane nën dyshimet se ka ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane.
Ai dyshohet edhe se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve shqiptare të zbulimit dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri. Sipas ish agjentes Rowly, zoti McGonigal synonte që pas daljes në pension të pasurohej përmes lobimit për interesa të huaja.
Ish-agjentja Rowly është një sinjalizuese e njohur për publikun amerikan. Në vitin 2002 ajo ka dëshmuar para Senatit mbi problemet e thella me të cilat përballej FBI-ja dhe në përgjthësi agjencitë e zbulimit. Revista Time e shpalli atë, së bashku me dy sinjalizuez të tjerë, si personin e vitit më 2002, për shkak të dëshmisë së saj se FBI kishte injoruar informacionet lidhur me veprimtaritë e dyshuara të një personi në Minesota, aty ku zonja Rowly punonte si agjente e FBI-së. Personi në fjalë, Zacarias Moussaoui, më pas ishte një prej rrëmbyesve të avionëve të sulmit të 11 shtatorit.
Duke folur për rastin McGonigal, zonja Rowly përmendi edhe dy raste të tjera:
Michael Flynn, i cili në vitin 2016 kishte lobuar dhe ishte paguar nga Turqia por e kishte mbajtur këtë të fshehtë.
Dhe rasti i Robert Hanssen-it, një zyrtar i lartë i FBI-së, i cili më 2001 u arrestua nën akuzat se kishte spiunuar për Bashkimin Sovjetik. Ai e pranoi fajësinë, për të shmangur dënimin me vdekje dhe u dënua me burgim të përjetshëm./VOA