Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj ka një grup zyrtarësh që punojnë për të kopsitur letrat e tenderave korruptivë vetëm për të kaluar paratë publike në xhepat e tij.
Bëhet fjalë për ish berberin e Tepelenës, Mitro Todhe, një klient solid i ministrave të Shëndetësisë, kontrabandist i vjetër ilaçesh, matrapaz dhe i dyshuar si spiun i ish Sigurimit të Shtetit.
Todhe e ka nisur ‘karrierën’ si berber dhe spiun në Tepelenë, më tej si kamarier në Fier, në vijim si kontrabandist ilaçesh me çanta, ndërsa sot është kthyer në oligark i tenderave në shëndetësi, me një rekord prej 1600 tenderash me flamur korrupsioni, por duke mos harruar as zanatin e vjetër të letrave anonime.
I lakuar në media si ish berberi i Gramoz Ruçit, Mitro Todhe qëndron pas kompanisë farmaceotike Florfarma (K21405001N), të cilën e ka kaluar formalisht në emrin e fëmijëve Florjan dhe Arjola Todhe që në vitin 2010.
Kompania është themeluar në vitin 1999 nga ‘ujku i vjetër’ i barnave kontrabandë Mitro Todhe, me emrin Biomedic, emër të cilin e ka ndryshuar më vonë në Florfarma.
Kompania Florfarma nisi të rrisë xhiron vjetore kur iu fut tenderave pas ardhjes në pushtet të Rilindjes, duke arritur kulmin vitet e fundit, tregues ky i një skeme klienteliste dhe korrupsioni në shëndetësi, dega më e lakuar e qeverisjes për koncensione dhe tendera korruptivë, shpërdorime, skema mashtrimi etj.
Gjatë viteve të fundit, kompania klienteliste Florfarma ka marrë rreth 1600 tendera me vlerë miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj. Tenderat janë shënjuar me flamur të kuq korrupsioni për shkak të mungesës së konkurrencës, paracaktimit të fituesit me pazar në tavolinë dhe ofertave fituese gati sa fondi limit. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, numërohen mbi 3 mijë transaksione të buxhetit të shtetit drejt llogarisë së kompanisë Florfarma, në zbatim të kontratave me natyrë korruptive për blerje ilaçesh dhe materialesh mjekësore.
Nga verifikimet rezulton se kompania e ish berberit spiun Mitro Todhe rreth 400 tendera i ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë, kryesisht gjatë drejtimit të ‘klloçkës’ së korrupsionit me dosje në SPAK, Ogerta Manastirliu.