Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u takua dy ditë më parë me ambasadoren amerikane në vendin tonë Yuri Kim. Ky takim erdhi në kuadër të një turi takimesh, që diplomatja amerikane zhvilloi me përfaqësues të partive kryesore në vend. Objekt i diskutimeve ishin zgjedhjet e ardhme lokale të 14 majit.
Pas takimit Meta-Kim, u ngritën dyshime nëse kishin biseduar lidhur me mënyrën se si ish-kryeministri Berisha do të marrë pjesë në zgjedhje. sidomos sa i përket rolit të “Rithemelimit” të Sali Berishës.
Ish-deputeti demokrat Vili Minarolli ka komentuar në postimin e Metës në rrjetin social ‘Facebook’: “Po ajo (Yuri Kim) çfarë tha për ato që i shprehët?”
Meta iu përgjigj po në komente, duke shkruar: “I dashur profesor Vili Minarolli. Ambasadorja u tregua shumë korrekte dhe e interesuar vetëm për standardin e zgjedhjeve. Faleminderit që gjeni kohë të më ndiqni në aktivitetin tim”.