Ish- i dërguari i BE-së për Kosovën Ambasadori Wolfgang Petritsch e ka cilësuar propozimin franko-gjerman si një hap të ndërmjetëm drejt njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se rruga evropiane e Serbisë është e kushtëzuar me njohjen e Kosovës dhe njëkohësisht i bëri thirrje kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq që përfundimisht ta marrin vendimin politik për ta mbështetur dhe zbatuar propozimin gjermano-francez.
Petritsch tha se përmes propozimit BE-ja do që të përshpejtojë negociatat me Beogradin, por njëkohësisht që ta shtyjë përpara edhe aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në BE.
Ai tha se Bashkimi Evropian po kërkon themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që nuk ka fuqi ekzekutive dhe as legjislative dhe që nuk është një lloj i Republikës Serbe, një shembull sipas tij shumë i keq. Kjo është intervista e tij për rtv21.