Ndonëse sot ishte parashikuar që të mbahej seanca gjyqësore për të shqyrtuar kërkesën për liri të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, gjyqi është shtyrë për të disatën herë.
Sipas avokatit të tij, Maksim Haxhia, gjyqi do të zhvillohet në 24 shkurt 2023. Ish-ministri Saimir Tahiri ka kërkuar llogaritje të kohës së paraburgimit. Ish-ministri po vuan dënimin e formës së prerë, pasi është dënuar për shpërdorim detyre. Tahiri i dërgoi pak muaj më parë një kërkesë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.
Seanca e planifikuar gjatë vjeshtës së 2022 u shty, pasi u kërkua zëvendësimi i gjyqtarit Elis Dine me gjyqtarin Elton Frashëri, i cili kërkoi kohën e mjaftueshme për t’u njohur me përmbajtjen e dosjes. Më 4 shkurt të 2022 , Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë e dënoi ish-ministrin Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’.
Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.