Ish-oficeri shpallet fajtor për vrasjen e Floyd

Oficeri i policisë Derek Chauvin, i cili akuzohet si autor i vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Mineapolis në majin e vitit të kaluar, u dënua për të tre akuzat ndaj tij.

Chauvin e kishte deklaruar veten të pafajshëm për akuzat e ngritura, që ishin tre, vrasje e paqëllimshme e gradës së dytë, vrasje e gradës së dytë që nënkupton vrasjen e qëllimtë, dhe të gradës së tretë, ku kjo e fundit nënkupton një veprim të qëllimtë për të shkaktuar dëm, pa asnjë respekt për jetën e tjetrit.
Polici mund të gjykohej për të tre akuzat, ku dënimi parashikohet deri me 10 vjet për akuzën e vrasjes së paqëllimshme të gradës së dytë, 40 vjet për vrasjen e gradës së dytë dhe 25 për atë të gradës së tretë. Gjykatësi do të saktësojë brenda 8 javëve vitet që Chauvin do të kalojë në burg.

Vrasja e George Floyd dhe thirrja e tij “Nuk marr dot frymë!”, drejtuar policit, u bënë simbol i një vale proteste që kaloi edhe kufinjtë e Shteteve të Bashkuara, ku akuzave për arrogancën e policisë ndaj personave me ngjyrë iu bashkua edhe një përkrahje globale kundër racizmit, e drejtuar nga lëvizja “Black Lives Matter”.

Verdikti u ndoq edhe nga vetë presidenti Joe Biden, që për rastin ndryshoi edhe takimet e tij institucionale. Jashtë Gjykatës, me qindra qytetarë, shumë prej tyre mbështetës të Black Lives Matter, u mblodhën duke festuar pas verdiktit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *