Pesë ish-zyrtarë policorë në Memfis të Shteteve të Bashkuara, që akuzohen për vrasjen e Tyre Nichols, janë deklaruar të pafajshëm gjatë paraqitjes së tyre të parë para gjykatës.
Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills Jr, Emmitt Martin III dhe Justin Smith ishin të përfshirë në arrestimin e Nichols më 7 janar.
Ata u përjashtuan nga puna pasi departamenti i policisë në Memfis kreu një hetim të brendshëm.
Vdekja e Nichols nxiti protesta kundër brutalitetit të policisë në SHBA.
Gjykatësi James Jones Jr., konfirmoi se pesë të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e vrasjes së shkallës së dytë, sulm, rrëmbim, sjellje të papërshtatshme zyrtare dhe shtypje zyrtare.
Gjykatësi kërkoi për durim derisa avokatët të përgatisin lëndët e tyre.
“Ky rast mund të marrë kohë”, iu drejtua ai të pandehurve që po qëndronin para tij në gjykatë.
Pjesëtarë të familjes së Nichols ishin të pranishëm në gjykatë së bashku me avokatin e tyre, Ben Crump.
Nëna e Nichols, RowVaughn Wells, foli me gazetarët jashtë sallës së gjyqit, duke treguar se si ishte t’i shihte ish-policët.
“Ata nuk patën kurajën të më shikonin në fytyrë”, tha ajo.
Ajo premtoi se do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore “derisa të arrijmë drejtësi për djalin tim”.
Asnjë nga ish-policët nuk foli në seancën gjyqësore dhe avokatët e tyre thanë se klientët e tyre deklarohen të pafajshëm.
Zyrtarët u arrestuan dhe u dërguan në paraburgim më 26 janar pasi policia në Memfis mori xhirimet e kamerave të trupit dhe pa arrestimin e dhunshëm të 29-vjeçarit.
Në këto pamje, Nichols është dëgjuar duke thirrur nënën e tij teksa po rrihej nga policia, pasi ishte ndaluar për ngasje të pakujdesshme. Ai vdiq në spital tre ditë më vonë.