Ish-sekretari i SHBA, Kissinger: Lufta nuk duhet të çojë në shkatërrimin ose shpërbërjen e Rusisë

Ish-sekretari amerikan i Shtetit dhe ish-diplomati Henry Kissinger tha se bota kërcënohet me një luftë të re botërore për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës dhe bëri thirrje për fillimin e negociatave të paqes.

Kissinger, 99 vjeç, pohon se për herë të parë në histori, Ukraina është bërë vendi kryesor i Evropës Qendrore, me një nga ushtritë më mbresëlënëse në rajon dhe se neutraliteti i saj nuk është më i mundur.

Një lidhje e fortë me aleancën e NATO-s, “në një formë apo tjetër”, është e pashmangshme në të ardhmen, shkruan revista britanike The Spectator.

Kissinger propozon një armëpushim dhe një kthim në kufijtë e përpara 24 shkurtit, kur Rusia nisi sulmin e saj ndaj Ukrainës, ndërsa territoret ukrainase të pushtuara më parë nga Rusia, përfshirë Krimenë, do t’i nënshtroheshin negociatave të mëtejshme.

Në rastin e territoreve të diskutueshme, do të mbizotëronte e drejta për vetëvendosje nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Sipas Kissinger, fundi i luftës do të duhej të çonte në krijimin e një arkitekture të re sigurie, në të cilën përfundimisht do të përfshihej Rusia.

Kissinger pretendon se lufta nuk duhet të çojë në shkatërrimin ose shpërbërjen e Rusisë, e cila do të shkaktonte një sërë luftërash afatgjata në territorin e atij vendi, rënien e sistemit të kontrollit të armëve bërthamore dhe do të çonte në një epokë të re të paqëndrueshmërisë globale.

“Kërkimi i paqes dhe stabilitetit përbëhet nga dy qëllime në dukje kontradiktore, përkatësisht nevoja për siguri dhe nevoja për pajtim. Nëse nuk mundemi t’i arrijmë të dy qëllimet, nuk do të arrijmë asnjërin prej tyre”, përfundoi Kissinger.

o.j/dita

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *