Në kohën e tensioneve të larta midis Kosovës dhe Serbisë, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, u bën thirrje të dyja palëve që të heqin dorë nga retorika nxitëse dhe të përqendrohen te gjetja e zgjidhjes për lirinë e lëvizjes.
Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, porosit Beogradin se përgjegjës për sigurinë në Kosovë është misioni i NATO-s, KFOR, i cili bashkëpunon me Policinë e Kosovës.
Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëse NATO-ja nuk e bën punën e vet, Beogradi do të ndërhyjë “për të mbrojtur” serbët në Kosovë, Shea thotë:“Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim”.